• |
ide | kryesore

Parlamenti i Ukrainës emëron ministrin e ri të Jashtëm

Arkiva, Planet, Të fundit



Parlamenti i Ukrainës e miratoi të enjten Andriy Sybiha ministër të Jashtëm të vendit, i cili do ta zëvendësojë Dmytro Kuleban si pjesë e një ndryshimi të madh në Qeverinë ukrainase.

“Emërimi i parë: Andriy Sybiha ministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës”, njoftoi ligjvënësi Yaroslav Zheleznyak të enjten.

Ai shtoi se 258 prej 450 ligjvënësve në Parlamentin e Ukrainës votuan për emërimin e Sybihas.

Sybiha, zëvendësministër i Jashtëm, u nominua nga presidenti Volodymyr Zelensky gjatë ditës për ta zëvendësuar Kuleban në postin e ministrit të Jashtëm

Ligjvënësit gjithashtu e aprovuan edhe emërimin e Oleksiy Kuleba si zëvendëskryeministër përgjegjës për restaurim dhe politika rajonale

Dmytro Kuleba dhe disa anëtarë të tjerë të kabinetit dorëzuan dorëheqjet e tyre këtë javë, pasi Zelensky la të kuptohej se ndryshimi i kabinetit ishte i pashmangshëm. Duke folur për të ardhmen e Kulebas dhe pjesës tjetër prej 22 anëtarëve të kabinetit, Zelensky tha të mërkurën se “ne kemi nevojë për energji të re dhe këta hapa kanë të bëjnë me forcimin e shtetit tonë në fusha të ndryshme”.

Kuleba ka qenë njëra prej fytyrave kryesore të përpjekjeve të Kievit për të fituar mbështetje ndërkombëtare prej se Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.

Ai është cilësuar nga shumë si një lajmëtar i suksesshëm i paralajmërimeve të Ukrainës se ndalja e agresionit rus është jetike për Evropën dhe Perëndimin, dhe i lutjeve të vazhdueshme për ndihmë të madhe ushtarake dhe ndihma të tjera për Kievin nga anëtarët e NATO-s për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse.

Zelensky ka thënë se do të ketë më shumë ndryshime në Qeveri, në përpjekje për ta forcuar atë dhe për të korrur rezultate për të cilat ka nevojë vendi.

Ai gjithashtu tha se Ukraina ka nevojë për më shumë ndërveprime mes qeverisë qendrore dhe komuniteteve, posaçërisht gjatë përgatitjeve për sezonin e dimrit.


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *