• |
ide | kryesore

Zgjedhjet 2025/ Emrat kokë më kokë mes PD dhe PS në 12 qarqet e vendit

Arkiva, Lajme, Të fundit
2025



PD ishte e para disa ditë më parë që zyrtarizoi emrat e 12 drejtuesve politikë në qarqet e vendit. Ata do të kryesojnë fushatën e demokratëve dhe përgjegjësia e tyre është rezultati elektoral.

Sot ishte radha e socialistëve për të prezantuar ekipin e fushatës së pritshme. Gjatë punimeve të Asamblesë kombëtare të PS, kryesocialisti dhe njëherazi kryeministri Edi Rama lexoi emrat 12 drejtuesve të qarqeve (duke krijuar për herë të parë edhe një zonë të 13-të, atë të Diasporës). Në listën e socialistëve vërehej ndryshime të ndjeshme, në krahasim me drejtuesit e demokratëve.

Lexo më tej: Zgjedhjet e ardhshme/ Basti i Ramës: “Do e lë PD me aq mandate sa në ’97” 

Në Qarkun e Tiranës PS është mobilizuar me tre drejtues politikë, kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe kryebashkiakun Erion Veliaj. Treshja e PS do të ketë përballë Belind Këlliçin si drejtues i vetëm në qarkun e Tiranës, për demokratët.

Lexo më tej: Rama tkurr pushtetin e Veliajt në Tiranë 

Në Elbasan do të jenë përballë Ervin Salianji i PD me Arbjan Maznikun e PS.

Në Fier, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi do të sfidojë Belinda Ballukun, e larguar nga Qarku i Dibrës.

Në Qarkun e Shkodrës Benet Beci gjen Luçiano Boçin, ish-deputet në Elbasan dhe kandidat për kryetar bashkie në 14 maj 2023.

Niko Peleshi në Korçë një ekspert fushatash zgjedhore prej disa mandatesh do të ketë përballë juristin Ivi Kaso të PD.

Bledi Çuçi i larguar nga Qarku i Beratit, në Vlorë do të ketë përballë Bujar Leskajn i cili prej një kohe të gjatë drejton politikisht këtë qark.

Në Lezhë, Agron Gjekmarkaj sfidohet nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ndërsa në Berat, Eno Bozdo ka për kundërshtar kryebashkiakun Ervin Demo.

Në qarkun e Durrësit socialistët vijnë me një ndryshim në drejtimin politik ku largohet Ardian Çela dhe fushata i besohet kryebashkiakes Emirjana Sako e cila ka përballë Oerd Bylykbashin.

Ndërsa në Dibër, Blendi Gonxhja gjen Xhelal Mziun, në Kukës Flamur Hoxha i PD ka përballë Pandeli Majkon dhe në Gjirokastër ku asnjëra nga partitë nuk bëri ndryshime, Tritan Shehu i PD dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e PS.

PS ka krijuar edhe një zonë zgjedhore të 13-të e cila do të jetë e Diasporës, ku drejtues politik i të cilës do të jetë ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.


3 Comments

  1. Po Tao, e fiton ndeshjen aforfe, sepse përballë tij, PD ka harruar të vendosë drejtuesin për diasporën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *