• |
ide | kryesore

Turqi, rikonfirmohet Erdogan

I pakategorizuar



Në zgjedhjet administrative të zhvilluara dje, shumica e votuesve turq rikonfirmuan mbështetjen për partinë e kryeministrit Erdogan. AKP e drejtuar nga Erdogan ia doli të merrte mbi 50.4% të votave. Partia kryesore e opozitës CHP, e liderit Kemal Kilicdaroglu arriti në kuotën e 24.9% të votave, MHP 14.5% dhe BDP, 5.9%. Por këto zgjedhje u njollosën me gjak: 8 të vdekur dhe 20 të plagosur, ishte bilanci i përleshjeve në disa nga qendrat e votimit të komunave Hatay e Sanliurfa, shumë të afërta me kufirin sirian.

Protestat dhe skandalet e korrupsionit që mbërthyen qeverinë, i bënë zgjedhjet lokale një testim për mbështetjen popullore që gëzon ende kryeministri turk. Sondazhet kishin parashikuar se pavarësisht rënies së mbështetjes, Erdogan do të kishte përparësi në pjesën më të madhe të vendit. Ajo që luan në favor të tij është opozita e paorganizuar dhe mbështetja solide e shtresës së mesme myslimane. Kryeministri mbetet i dashur nga myslimanët më të devotshëm, që vlerësojnë përkushtimin e tij ndaj Islamit. Kush e mbështet është i bindur për versionin e tij të fakteve në lidhje me përgjimet që tregojnë përfshirjen e tij në skandalin e korrupsionit: një komplot i organizuar nga ndjekësit e liderit islamik Fetullah Gylen, dikur aleat i tij i ngushtë sot jeton në SHBA. Qeveria gjithashtu ka reaguar duke pushuar qindra anëtarë të forcave të rendit dhe magjistraturës të cilët janë marrë me hetimet për korrupsion të zyrtarëve të qeverisë. Javën e kaluar Erdogan urdhëroi mbylljen e Tëitter-it dhe Youtube në të gjithë territorin kombëtar. Erdogan e përkufizoi opozitën “si një grup tradhtarësh” dhe i ftoi mbështetësit që t’i jepnin asaj një “shuplakë osmane” me votimet e së dielës. Ndërkaq monedha vendase, lira, ka pësuar rënie të madhe në tregun valutor si pasojë e ngjarjeve të fundit në skenën politike.