• |
ide | kryesore

Blushi: Edi Rama nuk është pjesë e librit tim

I pakategorizuar
blushi.jpg



Ben Blushi, deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin e Shqipërisë, ka qëndruar në Prishtinë dy ditët e fundit bashkë me disa deputetë të tjerë, në kuadër të një vizite të Komisionit për Politikë të Jashtme. Ai të martën ka pranuar të japë një intervistë për Gazetën Express rreth librit të tij të fundit, “Hëna e Shqipërisë”. Gjatë kësaj interviste Blushi shpjegon disa prej çështjeve kryesore të librit, flet për islamin politik, Turqinë e sotshme, Perandorinë e dikurshme Osmane, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe kosovarëve dhe raportet e tij me qeveritë dhe pse thotë se Rama nuk është personazh në librin e tij të fundit.

Pse u përcaktuat të parashikoni të ardhmen e shqiptarëve në librin tuaj më të ri “Hëna e Shqipërisë”?

Nuk ka pasur ndonjë qëllim të veçantë, por edhe unë si gjithë të tjerët mendoj më shumë për të nesërmen sesa për të djeshmen. Besoj se kjo është në genet e njeriut; pra që të mendojë më shumë për të nesërmen. Duke parë Shqipërinë e sotshme, Kosovën e sotshme, duke parë zhvillimet e brendshme, raportet me Europën apo raportin me religjionet, kam krijuar disa mendime të cilat kam dashur t’i ndaj me lexuesit.

Një libër i këtij lloji, pak a shumë, është edhe ai i George Friedman, politologut amerikan, “The Next 100 Years”, u inspiruat nga kjo?

Më tha dikush sot se në Shqipëri kanë bërë një shkrim, përmes të cilit më akuzojnë se kam bërë plagjiaturë nga “The Next 100 Years”. Në fakt, ky është një libër të cilin unë s’e kam lexuar, vetëm kam dëgjuar për të.

Nuk e kam lexuar këtë tekst as unë…

Nuk e kam lexuar librin, as shkrimin… Madje, po e them për herë të parë, librin “The Next 100 Years” ma ka bërë dhuratë një miku im një apo dy javë pasi doli në shitje libri im “Hëna e Shqipërisë”. Sigurisht, edhe ai duke i lidhur të dyja. Nëse ka një lidhje, ajo është vetëm për një arsye: para disa muajsh kam parë në internet një raport të Kombeve të Bashkuara që bënte një parashikim demografik për gjithë botën. Dhe, sipas OKB-së (e kam në libër këtë statistikë), pas 100 vjetësh popullsia e Shqipërisë nga 2.8 milionë banorë që është sot, do të jetë 1.8 milionë banorë. Kjo është një referencë që e kam pasur parasysh vazhdimisht vetëm për hir të saktësisë.

Ju përmendni qeverisjen e keqe në Shqipëri, e cila është determinuese për ndryshimet e së ardhmes që do të ndodhin në Shqipëri, por hezitoni t’i përmendni me emër qeveritë shqiptare. S’keni dashur të konfrontoheni apo…?

Unë, sidomos kur shkruaj, nuk kam frikë. Besoj se kam pasur rast ta dëshmoj këtë. Nuk jam marrë ekskluzivisht me qeveritë, jam marrë më shumë me fenomenet. Është e vërtetë se një prej arsyeve, siç edhe dëshmon historia, që ka ndikuar në problemet që kanë pasur shqiptarët apo fakti se kemi mbetur popull i vogël, nuk është klima, nuk është mungesa e ujit, nuk është mungesa e burimeve natyrore, por ka qenë mënyra se si kemi qeverisur apo si na kanë qeverisur të tjerët gjatë historisë. Edhe në këtë rast kam shfrytëzuar një statistikë, e kam diku në pjesën e parë të librit, se si duke u qeverisur më mirë disa popuj që vite më parë kanë pasur numër të ngjashëm me ne të banorëve, sot janë bërë më të mëdhenj. Ne jemi qeverisur keq gjatë këtyre 100 vjetëve, madje jemi qeverisur shumë keq. Jemi qeverisur shumë keq prej atyre që na kanë sunduar për 400-500 vjet, kemi ngelur popull i vogël, kemi humbur territore, u ndamë, patëm komunizmin, tash kemi tranzicionin më të keq. Jo gjithmonë ka arsye për të besuar se të tjerët na kanë bërë dëm më shumë sesa i kemi bërë dëme ne vetës. Sigurisht duhet thënë se Perandoria Osmane nuk është sjellë askund më keq sesa tek ne. Kur ka ikur Perandoria Osmane, nuk ka lënë një shkollë në Shqipëri, nuk ka pasur një shkollë shqipe për 500 vjet, e ka vonuar shkrimin e shqipes për 3-4 shekuj, nuk ka lënë një port, një hekurudhë. Kudo në Ballkan ka lënë hekurudha, vetëm tek ne nuk ka lënë asnjë. Dhe, natyrisht pyetja shtrohet, pse? Pse, si mund të ndodhë kjo? Ne kemi pasur 2-3 portet më të mira në Mesdhe gjatë venedikasve, pra para se të vinin turqit. Megjithëkëtë, turqit i kalonin mallrat tjetërkah, jo kah Shqipëria.

Rreth bashkimit kombëtar, ju “fajësoni” kosovarët që nuk kanë dëshirë për ta bërë këtë. Ta parafrazojmë atë që keni shkruar, pra thoni se, kur politikanët kosovarë flasin për Shqipërinë, këtë e bëjnë aq ftohtë, sa po të mos flisnin shqip do dukeshin si finlandezë… Jeni i sigurt se është e saktë kjo?

Jam përpjekur të kuptoj çfarë qasje do të kenë shqiptarët, në të dyja anët e kufirit, për proceset e Bashkimit Kombëtar. Nuk e di nëse historia do të më japë të drejtë, por këto ditë sa jam në Kosovë kam krijuar përshtypjen se kam të drejtë se në të ardhmen shqiptarët e Shqipërisë do të jenë më të interesuar për Bashkimin Kombëtar, do ta shohin këtë si projekt zhvillimi, si projekt i zmadhimit të Shqipërisë. Ndërsa në Kosovë do të ketë më shumë hezitim, pasi duke qenë shtet i ri do të mundohet ta ruajë pavarësinë e vetë, qoftë edhe nga Shqipëria. Ky është një sentiment i kuptueshëm dhe i justifikueshëm. Ndërsa unë e kam fjalën për klasën politike të Kosovës kur them se duken si finlandezë kur flasin për temën e bashkimit. Pra, bëjnë shumë farmaci politike.

Në Kosovë ka një përshtypje tjetër, pasi në shumë raste konstatohet se në Shqipëri nuk ka dëshirë për bashkim. Shpesh përmendet edhe një sondazh i Gallup, ku shqiptarët e Kosovës favorizojnë më shumë bashkimin.

Besoj se kështu është sot, por unë në libër flas për të ardhmen. Në të ardhmen besoj se kjo tendencë do të vijë duke u zbehur në Kosovë. Shpresoj se koha do të më japë të drejtë.

Ju thoni se kosovarët janë të dhënë shumë pas forcimit të identitetit shtetëror, si mund të ndodhë kjo kur në politikën kosovare ka kryesisht improvizime, politikanë të korruptuar etj., dhe shpesh krijohet përshtypja se me shtetin e Kosovës jemi duke jetuar diçka të përkohshme?

Këtë gjë ia kam thënë Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit. Po bisedonim për zhvillimin e Prishtinës dhe unë i thash se ju përgëzoj për punën që po bëni, por ke vetëm një problem. Çfarë? tha ai. I thash se ti po projekton ndërtimin apo modernizimin e një kryeqyteti të përkohshëm. Meqenëse partia e tij, Vetëvendosje, proklamon bashkimin me Shqipërinë, Prishtina do të jetë një kryeqytet i përkohshëm, sipas tyre. Për të ardhur tek pyetja juaj. Sigurisht, Kosova dhe Shqipëria kanë shumë ngjashmëri, një model politik, kanë modele të përafërta zhvillimi, të dyja kanë korrupsion, kanë probleme me zbatimin e ligjit… Sot janë vendet më të varfra në Europë. Por ndryshimi është se shoqëria kosovare është një shoqëri optimiste akoma, ndërsa Shqipëria është pesimiste. Kam disa arsye për ta besuar këtë gjë, dhe besoj se optimizmi i popullit të Kosovës do të vazhdojë edhe për disa vite, në radhë të parë për shkak se populli i Kosovës ende nuk e ka konsumuar një proces historik siç është pavarësia sepse akoma s’e ka marrë pavarësinë e plotë dhe nuk ka marrë të drejtën e vetëvendosjes. Në Shqipëri nuk është kështu. Shqipëria aktualisht pret vetëm dy data: hyrjen në Europë dhe bashkimin me Kosovën, këto janë dy ngjarje historike të cilat mund të priten nga gjenerata ime apo gjeneratat më të reja se mund të arritën. Ndërkohë që problemet tjera me të cilat përballet vendi, nuk kanë besim se do të arrihen shpejt dhe kjo i bënë ata pesimistë.

Keni shkruar po ashtu për ndikimin e Turqisë tek shqiptarët… A janë Edi Rama dhe Hashim Thaçi fajtorët që sollën Erdoganin me privatizimet…

Nuk merrem me këtë rast, jam marrë me atë që përfaqëson Turqia sot në Europë, Ballkan, si fenomen.

Pikërisht kjo po shprehet edhe tek ne…

Nëse ky fenomen na prek dhe ne, do të jetë shumë keq. Çfarë është Turqia sot? Është një vend me demokraci të cenuar, pasi që nëse Kryeministri ndalon Twitter-in dhe Youtube, nëse ndryshon Kushtetutën për t’i emëruar vetë gjyqtarët, për ta marrë drejtësinë në dorë, ndërkohë që ka rritur tendencën për islamizimin radikal të shoqërisë së vetë, kjo nuk është demokraci si ajo që ne presim, pra demokraci europiane. Nëse Shqipëria dhe Kosova preket nga këto në të ardhmen, gjë që nuk e përjashtoj, atëherë besoj se Shqipëria do të turqizohet më shpejt sesa do të evropianizohet.

Jeni prej njerëzve të vetëm tek socialistët, që kohë pas kohe, keni pasur mospajtime me Edi Ramën, si po ju duket qeverisja e tij, gati ka një vit që socialistët janë në pushtet, a shihni dallime në mënyrën e qeverisjes së vendit?

Edi Rama nuk është pjesë e librit tim dhe unë kufizohem të flas për këtë temë. Nuk mendoj se duhet ta bëj këtë gjë në Kosovë, nuk është vendi. Unë mund të flas në Shqipëri për Shqipërinë.