• |
ide | kryesore

FSHF kundërshton kërkesat e serbëve për tifozët

Arkiva, Sport
Logo_new_FSHF.JPG



Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi te hënën se e ka te pamundur te plotesoje kushtet e Federates serbe per takimin qe luhet ne Beograd. Sipas FSHF, nuk mund të shpërndahen biletat vetëm për përkrahësit me pasaportë shqiptare. Federata jonë shton se e ka të pamundur të rregjistrojë tifozët dhe për më tepër kjo nuk ka ndodhur në asnjë takim të mëparshëm.

Deklarata e plote e FSHF

Duke ju falenderuar paraprakisht për komunikimin dhe vënien në dispozicion nga ana e Federatës Serbe të Futbollit të 1000 biletave për tifozët shqiptarë, për ndeshjen e 14 tetorit Serbi-Shqipëri, që do të luhet në Beograd, ne po ju paraqesim mendimet tona lidhur me kete çeshje.

Federata Shqiptare e Futbollit, i quan kushtet e vendosura nga ju, për praninë e tifozëve shqiptarë në Beograd, të parealizueshme nga ana jonë. Së pari,Ne nuk mund të listojmë dhe të marrim të dhëna personale nga tifozët. Së dyti, ne nuk kemi asnjë arsye ta bëjmë një gjë të tillë. Dhe së treti, Federata Shqiptare e Futbollit, nuk ka infrastrukturën e nevojshme dhe as kohën në dispozicion, për të bërë të tilla regjistrime. Në praktikën tonë të komunikimit, me të gjitha Federatat e tjera anëtare të UEFA-s dhe FIFA-s, për organizmin e ndeshjeve të futbollit (zyrtare apo miqësore), kushte të tilla nuk janë vendosur kurrë dhe me to, njihemi për herë të parë. Ekipi kombëtar shqiptar, është shoqëruar nga tifozët e tij, kudo në Europë madje edhe jashtë kontinentit si në Argjentinë apo USA. Për vetë situatën që ka kombi ynë, bashkëkombasve tanë, që jetojnë në Greqi, Gjermani, Angli, USA, etj, nuk mund t’ua privojmë të drejtën për të ndjekur ndeshjet e kombëtares tonë.

Vënia e kushteve të tilla, mendojmë se ka ndikim jo të mirë, në krijimin e një fryme pozitive, bashkëpunimi dhe besimi reciprok, në organizmin e aktiviteteve futbollistike dhe jo vetëm. Ideja juaj, për organizmin e ndeshjes miqësore mes veteranëve të të dyja vendeve, e përshëndetur dhe miratuar nga ana jonë, do të jetë një nga ato sinjale të uljes së tensionit dhe bashkëpunimit të sinqertë mes dy federatave, që së bashku, do të përcjellim tek tifozët.

Për arësyet që përmendëm më lart, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon pajisjen me bileta për tifozët shqiptarë, pa kushte. Biletat e vëna në dispozicion nga ana e Federatës tuaj, ne do t’ua shpërndajmë shoqatave të tifozëve tanë, për të ndjekur ndeshjen Serbi – Shqipëri, në Beograd më 14 tetor.

Duke shpresuar në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, ju uroj punë të mbarë.