• |
ide | kryesore

Lojrat e fatit/ Favoret e reja, Rama thellon “vazhdimin e marrëzisë”

Arkiva, Kryesore



Qeveria po harton një plan të ri masash për të ndihmuar biznesin e llotarive. Kabineti i rilindjes që e filloi punën 5 vite më parë me aksionin butaforik “Fundi i marrëzisë” tani po planifikon të ulë barrën fiskale për lojrat e fatit. Ashtu sikurse raporton revista e specializuar e ekonomisë “Monitor”, qeveria “mendon të shpërndajë disa lehtësi fiskale për disa sektorë gjatë vitit tjetër dhe, ndërmjet tyre, do të ndajë edhe një copë të madhe për biznesin e lojërave të fatit”.

Ministri i Financave, nga fundi i draftit që ka përgatitur, propozon që vitin tjetër për lojërat e fatit, tatimi mbi xhiron të llogaritet pasi janë zbritur shpenzimet operative dhe fitimi i ditës nga klientët që luajnë. Sipas editorialit të “Monitor”, “Teknikisht, ky propozim nuk ka sens te një biznes që nuk paguan TVSh dhe djeg mundësinë që humbësi të marrë paratë mbrapsht, si investim publik nga qeveria që i mbledh përmes taksës (favor i pastër!)”.

Sipas llogarive që bën revista ekonomike, ky sektor nuk ka nevojë për lehtësira sepse ai ka në mes bizneseve shqiptare marzhet më të larta të fitimit nga 20 deri në 80 përqind të xhiros dhe fitimet informale të sektorit mund të shkojnë deri në 80 milionë euro në vit. Po atëherë pse planifikohet kjo “ndihmë” e re?

Për të kuptuar këtë masë të fundit, ajo nuk mund të shihet e shkëputur nga gjithë raporti i marrëzisë që qeveria ka pasur me lojrat e fatit.

Në vjeshtën e vitit 2013, të gjithë e mbajnë mend dalldinë që kapi mbi 6 mijë trupa policie për të mësyrë drejt kazinove. Ende janë në memorie shiritat e verdhë në dyert e tyre, që krijonin përshtypjen se aty kish ndodhur një krim makabër. Ende zhurmojnë vendimet për ta shoqëruar me eskortë 24 orëshe, si një luftëtare të re të antimafias, drejtoreshën e Rilindjes që do luftonte me këtë biznes të paskrupullt.

Dhe natyrisht në gjithë këtë sfond beteje epike u shfaq edhe kryeministri, që shpalli masat drastike kundër kazinove. Ato nuk do të ishin më pranë qendrave të banuara. Do të vendoseshin larg nga shkollat dhe zemra e qyteteve. Plani i qeverisë për këtë biznes parashikonte që ato të zhvendoseshin drejt zonave turistike, hoteleve me 5 yje, pra sa më larg jetës së përditshme të qytetarëve të zakonshëm.

Lexo me tej:

Aksioni kundër Lojërave të Fatit/ Ish-drejtuesi i policisë zbulon qëllimin e vërtetë të Tahirit

KLSH zbulon “marrëzinë pa fund” të lojërave të fatit. Dëmi në 3 vjet 375 milionë euro

Edi Rama atëhere nuk e fshihte triumfalizmin. Ai i paralajmëroi pronarët e lojrave të riskut që të bëheshin gati ta linin këtë punë se nuk mund të bënin para gjithë jetën me një biznes, i cili po shkatërronte familjet dhe po ndikonte në ekuilibrin psiqik të njerëzve.

Por, butaforia nuk zgjati shumë dhe dalëngadalë fundi i marrëzisë ia la vendin heshtjes. Një vit më pas revista ekonomike “Monitor”, me një investigim të plotë, pohonte se nga 1 mijë pika lojrash të bllokuara, vetëm 25 biznese ishin mbyllur. Edhe ligji që i jepte fund ekzistencës së kazinove dhe bingove në qytete, u shty për zbatim për në janar të vitit 2016. Me një ndërhyrje të re data u rrokullis deri në fund të po atij viti. Dhe, kur të gjitha justifikimet qenë djegur dhe “fundi i marrëzisë” duhej të bëhej fakt, disa deputetë të majtë i kërkuan parlamentit një afat të ri deri në fund të 2018.

Po t’i lexosh arsyet që ata rendisin në relacionin dërguar kuvendit, dhe që më pas e votuan, ato qenë qesharake. Ata u qanin hallin pronarëve të kazinove që kishin nënshkruar kontrata marrjesh me qira më të gjata sesa dhjetori 2016. Ata pretendonin se Shqipëria ka dështuar të ndërtojë resorte turistike me 5 yje, kështu që lojrat e fatit nuk kishin se ku të zhvendoseshin. Ata paralajmëronin mbylljen e 1800 vendeve të punës dhe zhdukjen nga buxheti i shtetit të 125 milionë eurove në vit që derdhin këto kompani.

Argumentat dukeshin absurdë.

Pse vallë nuk e dinte Rilindja tre vitë më parë se Shqipëria nuk do të shndërrohej kaq shpejt në një parajsë resortesh me 5 yje? Pse vallë nuk e dinin ekonomistët e saj se sa njerëz punësonin këto biznese dhe sesa të ardhura derdhin ato në buxhet?

Pra, asnjë nga arsyet që e bënë Ramën të shpallte në tetorin e 2013 “fundin e marrëzisë” nuk kishte ndryshuar.

Por Rama e hengri turpin me bukë dhe e votoi shtyrjen e afatit. Kur u pyet në disa konferenca shtypi me radhë ai deklaroi një proçkë të madhe që nuk e besoi askush: Se ai vazhdonte të qe kundër favorizimit të lojrave të fatit, por se ishte minorancë brenda partisë së tij dhe grupit parlamentar. 

©Lapsi.al

Lexo më tej:

Skandali/ Kush janë deputetët që po lobojnë pro kazinove? (video)

Rama nuk është viktimë e « post truth »



4 Comments

  1. Ja luan fene,Saliun ka nje zyre moderne qe ja fallen,ka nje keshtjelle ne gjirin e hajduteve bashke me Meten.O sot o kurre.Vidhni sot se neser eshte vone.Nano jeton me pensionin 350 Euro ne Vjene,K/prokurori eshte arratisur nga grabitje e pamase…kush te vjedhim SA me pare.

  2. sa per fundin e marrzis ajo ishte fillimim i marrezis nuk ka nevoj per koment TVSH ben rreklam per ero-lloto kujdes ketu MUNGON PERKURORIA SHTETI GJYKATA PARLAMENTI OPOZITA KETU KANE RENE QE TE GJITHA PUSHTETET NE NJE ORGANIZATE NUK E DI SI E KA EMRIN POR PO JA LEM -RILINDJE-

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *