• |
ide | kryesore

Shembja e Teatrit, artistët letër Metës: Ndale këtë grabitje me ligj!

Lajme, Të fundit

Në letër thuhet se kemi të bëjmë me një rast flagrant të vjedhjes së pronës publike, duke cituar edhe një sërë nenesh që shkelen nga ligji special I miratuar vetëm me votat e mazhorancës. Një grup artistësh i kanë dorëzuar sot një letër kreut të shtetit, Ilir Meta, përmes së cilës i kërkojnë që presidenti të mos dekretojë ligjin, që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar. Artistët i kërkojnë Metës të ndalë turravrapin drejt realizimit të asaj që ata e cilësojnë si vepër kriminale. Më poshtë letra e plotë e Aleancës për mbrojtjen e Teatrit


Tiranë, më 23.07.2018


Drejtuar: SH.T.Z. Ilir META

President i Republikës së Shqipërisë

Objekti: Kërkesë për kthimin për rishqyrtim dhe korrigjim në Parlament të Ligjit “Për caktimin e procedurës së vecantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” si në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet juridike dhe themelet morale të ndërtimit të shtetit demokratik.

Kërkesë për takim zyrtar të një përfaqësie të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në Institucionin e Presidencës me Presidentin e Republikës.

I nderuar Zoti President,

Në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, një grupim që bashkon disa organizata jofitimprurëse jopartiake dhe lëvizje qytetare, si edhe shumë aktivistë civilë, po ju ridrejtohemi me një letër të dytë brenda pak ditësh duke ju paraqitur argumenta shtesë dhe shqetësimin qytetar, në lidhje me nevojën për kthimin për rishqyrtim të Ligjit të miratuar nga Kuvendi “Për caktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Në vitin 2000, Ju me përgjegjësi të lartë qytetare, keni miratuar VKM nr. 180, datë 13.04.2000 “Për shpalljen ansambël monument-kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës”.

Në vitin 2017, pa asnjë arsye objektive, pa konsultim publik me ekspertë apo qytetarë, Këshilli i Ministrave përmes VKM nr. 325 datë 12.04.2017 “Për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Tiranës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth” ka vendosur zvogëlimin e zonës së mbrojtur në mënyrë dramatike, duke lënë jashtë edhe territorin dhe ndërtesat e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Arsyet e përgjysmimit të zonës së mbrojtur në qendrën historike të qytetit të Tiranës kuptohen qartë tashmë, kuptohet edhe heshtja me të cilën është kaluar ky vendim. Kuptohet qartë se ky është një plan i paramenduar, të paktën që prej datës 12.04.2017, shumë kohë përpara se Bashkisë Tiranë t’i vinte nga Fusha shpk një “ofertë e pakërkuar”. Pra u nxorr zona nga zonë e mbrojtur dhe pastaj kompania private bëri ofertën e pakërkuar, edhe pse nuk është kufitar me truallin e Teatrit Kombëtar, edhe pse ka në pronësi vetëm 3% të territorit, që kërkohet të zhvillohet.

Zoti President,

si asnjë vend demokratik në botë, Shqipëria gjendet pa Gjykatë Kushtetuese, ku mungon kuorumi, jo thjesht për të shqyrtuar ligjet, por edhe për t’i regjistruar si ankimime, pasi në këtë moment Gjykata, është jo vetëm jashtë funksioneve juridike, por edhe atyre më minimale administrative. Sikur ky të jetë ligji më i mirë në botë, juridiksioni dhe fryma e Kushtetutës sonë, e kërkon që çdo ligj mund dhe duhet të jetë i ankimueshëm për parim. Ju si President jeni garanti i Kushtetutës, garanti i të drejtave tona qytetare dhe ligjore por në çdo rast Kushtetuta jonë ia ka lënë gjykimin mbi kushtetueshmërinë e ligjit Gjykatës Kushtetuese. Pra, në kushte normale, ju do të ishit filtri i parafundit në proces, por në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk është një opsion real, ku ne si qytetarë të mund të kërkojmë të gjykohet çështja, atëhere përgjegjësia mbi Ju është vendimtare. Ju tashmë jeni filtri i fundit dhe final në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Ndaj ne si qytetarë kërkojmë nga ju që ta ktheni atë për rishqyrtim.

Ligji për shembjen e Teatrit, është një propozuar si një ligj i posaçëm, pa asnjë justifikim, duke injoruar tërësisht kornizën ekzistuese të legjislacionit në Shqipëri. Për pasojë, ky ligj meriton më shumë se çdo ligj tjetër që të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, për të provuar kushtetueshmërinë e tij. Në këto kushte, ne si qytetarë kërkojmë, në mënyrë të vendosur që, në zbatim të nenit 85 pika 1 dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të ktheni për rishqyrtim dhe korrigjim në Kuvend Ligjin “Për caktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” si në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet juridike dhe themelet morale të ndërtimit të shtetit demokratik, duke i dhënë kohë sistemit të drejtësisë të plotësohet, e nëse ky ligj rimiratohet, me kokëfortësi prej mazhorancës, atëhere ne të kemi mundësinë e vënies në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese.

Zoti President,

ligji që ju keni në tryezë, është i shtrembëruar në frymë, pasi në vend që të jetë një mekanizëm juridik që të rregullojë marrëdhënie shoqërore në tërësi, ky ligj është i ndërtuar në formën e një kontrate komerciale, me fitues të përcaktuar dhe me vlefshmëri për disa mijëra metra katrorë. Me këtë ligj shkelet balanca mes pushteteve, pasi Kuvendi kthehet në një zyrë që miraton me vulë leje ndërtimi, që vijnë me porosi nga qeveria, duke shkelur edhe ligjet që ka miratuar vetë, për koncensionet dhe për partneritetin publik-privat, ligjin e prokurimeve e shumë ligje tjera.

Konkretisht, ky ligj anashkalon dhe vjen në kundërshtim me ligjin nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar. Çdo kontratë publike duhet t’i nënshtrohet procedurave dhe kritereve të ligjit për prokurimin publik.

Kjo formë veprimtarie ekonomike e parashikuar në këtë ligj, vjen në kundërshtim me standartet e Bashkimit Europian, ku ne aspirojmë të integrohemi dhe konkretisht me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) të nënshkruar dhe ratifikuar nga Shqipëria, ku sanksionohet detyrimi i shtetit shqiptar, që kontratat publike t’i nënshtrohen konkurencës së lirë dhe transparencës (nenet 70 – 77). Me këtë ligj, ky standard europian i detyrueshëm për ne, është shkelur. Për ta konkretizuar, po sjellim si shembull Ligjin nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar.

Në nenin 4 të Ligjit “Për Prokurimin Publik” parashikohen përjashtimet nga procedurat e këtij ligji, pra rastet në të cilat kontratat publike nuk i nënshtrohen konkurencës. Deri në vitin 2012, në këtë nen, si përjashtim, ka ekzistuar dhe një fjali: “dhe ato që rregullohen me ligj tjeter”. Pra deri më 2012, lejohej që, me ligje të tjera të parashikoheshin kontrata publike, të cilat si përjashtim nga ligji i prokurimeve mund të mos i nënshtroheshin konkurencës.

Por me ndryshimin e vitit 2012 që iu bë Ligjit në fjalë, kjo fjali u shfuqizua. Dhe konkretisht, me Ligjin nr.131/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar, hiqen fjalët “dhe ato që rregullohen me ligj tjetër”, ndryshim që sigurisht diktohej nga nenet 70-77 të MSA-së së nënshkruar nga shteti shqiptar.

Nëse ky Ligj, lejohet të hyjë në fuqi nga Ju, zoti President, shkelet fryma e decentralizimit të pushteteve, e sanksionuar në Kushtetutë, duke injoruar rolin e pushtetit vendor, i cili shpreh vullnetin e qytetarëve të Tiranës, nëpërmjet votës në Këshillin Bashkiak, si i vetmi institucion i legjitimuar me votë të cilësuar, për të tjetërsuar pronën publike.

Me vendimin nr. 3, datë 2.02.2009, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë përcakton qartësisht si më poshtë:

“Gjykata, në jurisprudencën e saj kushtetuese, i ka analizuar parimet bazë mbi të cilat e ushtrojnë pushtetin organet e pushtetit qendror dhe të qeverisjes vendore. Qeverisja vendore ngrihet dhe funksionon mbi bazën e parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet nëpërmjet parimit të autonomisë, i cili kushtëzon ekzistencën e një pushteti vetëqeverisës vendor, sipas koncepteve të përparuara të organizimit të shtetit demokratik. Decentralizmi është një proces, ku autoriteti dhe përgjegjësia për funksione të caktuara transferohet nga pushteti qendror, në njësitë e qeverisjes vendore. Në themel të tij qëndron parimi i subsidiaritetit, sipas të cilit “ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t’u takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve”. Gjykata vlerëson se në një sistem që bazohet mbi vetëqeverisjen, parimi i subsidiaritetit kërkon që problemet të vështrohen si çështje vendore, që kanë ndikim në interesin e përgjithshëm. Njësitë vendore vetëqeverisëse nuk mund të pengohen në hapësirën juridiksionale të tyre, nga organet e pushtetit qendror, pasi ato kanë fushën e tyre të veprimtarisë të parashikuar nga Kushtetuta. Vetëqeverisja vendore paraqitet me një status kushtetues, që konsiston në ushtrimin nga organet e qeverisjes vendore të punëve brenda juridiksionit të tyre, pa ndërhyrjen e organeve të pushtetit qendror (neni 113), në ekzistencën e mjeteve financiare dhe të mjeteve të tjera, me të cilat ajo disponon në mënyrë të pavarur (nenet 111, 113, shkronja “b”, “c”, “ç”) (shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 29, datë 21.12.2006).

Kushtetuta në nenin 13 sanksionon qartë se: “Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.”

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në lidhje me mënyrën e menaxhimit, kalimit të pronësisë, apo dhënies në përdorim të pronës shtetërore, që është në pronësi të pushtetit vendor, ka përcaktuar një bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore. Konkretisht, Kushtetuta në nenin 113 ka përcaktuar se:

“1. Këshillat komunalë, bashkiakë dhe të qarkut:

a) rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të tyre;

b) ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike;”

Sipas nenit 81 pika 2 gërma (a) të Kushtetutës:

“2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:

a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;”

Në zbatim të këtij neni, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, si ligj organik për këtë fushë të veprimtarisë shtetërore. Ky ligj në nenin 54 gërma (e) përcakton:

“Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak

Këshilli bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca:

e) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;”

Ndërsa në nenin 55 pika 4 saksionon:

“4. Vendimet merren me jo më pak se tre të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të ke?shillit pe?r rastin e parashikuar ne? shkronje?n “e”, te? nenit 54, te? ke?tij ligji.”

Sa sipër, rezulton qartësisht, se në Republikën tonë, ndër vite, legjislatori ka mirëpërcaktuar një bazë ligjore të qartë, deri në nivel ligjesh organike, pra ligje që miratohen me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Ndërkohë, Kuvendi me një ligj të posaçëm, që kërkon një shumicë të thjeshtë, mbivendos bazën ligjore duke anashkaluar ligjin organik dhe duke zhbërë kështu parimin kushtetues të decentralizimit, që parashikohet qartësisht nga neni 13 i Kushtetutës.

Vetiu qytetarëve u lindin pyetjet:

1. Përse duhej që Kuvendi të miratonte një ligj të posaçëm, kur ligji organik i ka dhënë kompetencë Këshillit Bashkiak për këtë vendimarrje?

2. A mundet që një ligj, i cili miratohet me shumicë të thjeshtë, të anashkalojë dhe t’i mbivendoset një ligji, për miratimin e të cilit kërkohen 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, siç është Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”?

Zoti President,

nëpërmjet këtij ligji çertifikohet vjedhja, pasi të gjitha faktet thonë, se ato që shkruhen në ligj dhe në relacionin shoqërues janë gënjeshtra. Ky ligj nuk është thjesht i padrejtë, por është edhe i manipuluar në përmbajtje.

Zoti President,

nga Brukseli kanë ardhur dy seri pyetjesh dhe kërkesa për informacion, drejtuar Qeverisë, që do të thotë se çështja ka marrë përmasa europiane. Ne mund t’jua konfirmojmë këtë fakt nga takimi që kemi patur me Zyrën e Delegacionit Europian dhe presim nga institucioni juaj të njëjtin interesim për informacion, në lidhje me këtë çështje kyçe për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Duam t’ju kujtojmë se dy organizata, nga më prestigjozet në Europë, për ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë, “Europa Nostra” dhe “Docomomo”, e kanë shpallur Teatrin Kombëtar dhe atë Eksperimental si objekte të trashëgimisë europiane, duke ngritur alarmin tek institucionet ekzekutive për goditje ndaj trashëgimisë.

Në ndërtesat që Ministria e Kulturës i ka shpallur si të pavlera, veç Teatrit Kombëtar, janë themeluar institucionet më elitare të vendit, si Instituti i Shkencave – Sot Akademia e Shkencave, Filharmonia Shqiptare – sot Teatri i Operas dhe Baletit, Estrada e Tiranës – sot Teatri i Metropolit, Cirku i Tiranës – sot Cirku Kombëtar, Instituti i Lartë i Arteve – sot Universiteti i Arteve, Teatri Kombëtar i Komedisë – sot Teatri Kombëtar Eksperimental, por mbi të gjitha dhe që ka rëndësi kapitale për kujtesën e kombit tonë, është zhvilluar gjyqi i parë politik i diktaturës komuniste, ku janë dënuar me vdekje 19 të pafajshëm dhe burgosur 40 të tjerë. Zhdukja e kësaj godine, do të ishtë një dëshmi më pak për kujtesën kolektive dhe një arsye më pak për t’u distancuar nga një përiudhë e errët 45-vjeçare e historisë sonë.

Zoti President,

qëndresa tashmë 6–mujore për Teatrin ka fituar konsesus të gjerë publik, me një peticion drejtuar Ju dhe institucioneve tjera, me më shumë se 5000 firmëtarë, të cilët më 12 Korrik, marshuan paqësisht në bulevard, për të shprehur vullnetin e tyre në mbështetje të kësaj kauze. Letra të veçanta ju kanë drejtuar edhe mbi 130 artistë teatri dhe 77 arkitektë dhe urbanistë. (Peticioni po dorëzohet sot në protokollin e Presidencës.)

Në kushtet aktuale, dekretimi i këtij Ligji, do krijonte jo thjesht padrejtësi, por pështjellim shoqëror, pasi këtu cënohet e drejta, cënohet balanca e pushteteve, cënohet decentralizimi i pushteteve, cënohet trashëgimia dhe kultura e vendit, cënohet integriteti njerëzor dhe moral i artistëve, si një komunitet që sjell dritë në shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha cënohet interesi publik, i cili është edhe motivi kryesor se pse institucioni që ju drejtoni ka atë rëndësi që ka dhe që ne kemi besimin se ju do ta përligjni duke mos e dekretuar këtë ligj.

Përfundimisht, nisur nga arsyet e mësipërme, kërkojmë nga ju që, në zbatim të nenit 85 pika 1 dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ktheni për rishqyrtim dhe korrigjim në Kuvend Ligjin “Për caktimin e procedurës së vecantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” si në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet juridike dhe themelet morale të ndërtimit të shtetit demokratik.

Me këtë rast, ju shprehim dhe njëherë gadishmërinë dhe dëshirën, për t’u ulur dhe folur sy më sy, si përfaqësues të Aleancës, me qëllim që të merret vendimi më i mirë nga institucioni që Ju drejtoni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu