• |
ide | kryesore

“Çmenduritë” e të rinjve shqiptarë, për çfarë i shpenzojnë paratë në krahasim me prindërit e tyre

Lajme, Të fundit
rinia-kafe.jpg



Ndërsa “prindërit e tyre” janë më të prirë që të shpenzojnë për ushqime, të rinjtë kryefamiljar të moshës deri në 24 vjeç harxhojnë më shumë para për veshje dhe restorante dhe më pak për t’u ushqyer.

Monitor ka krahasuear shpenzimet sipas grupmoshave, bazuar në tabelat e publikuara nga INSTAT. Familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç  kanë shpenzimet më të ulëta për ushqime dhe pije alkoolike se grup moshat e tjera. Në një familje me kryefamiljar deri në 24 vjeç  kjo kategori zë një peshë prej 31% në totalin e shpenzimeve që ka familja. Në ndryshim, të gjitha grup moshat e tjera për ushqime dhe pije jo-alkoolike shpenzojnë mbi 40% në totalin e shpenzimeve mujore për ushqime.

Për çfarë shpenzojnë më shumë të rinjtë

Krahasuar me grup-moshat e tjera familjet me kryefamiljar deri në 24-vjeç shpenzojnë më shumë për banesë, veshje dhe këpucë, restorante dhe hotele, argëtim dhe kulturë dhe arsim.

Referuar të dhënave të INSTAT në lidhje me shpenzimet për banesë, familjet me kryefamiljarë deri në 24 vjeç kanë peshën më të lartë. Mesatarisht në vitin 2016, shpenzimet për banesë kanë zënë rreth 24.8% të të gjithë shpenzimeve të familjes së re. Edhe për grup moshën 25-34 vjeç shpenzimet janë të larta, ku sipas të dhënave kjo kategori shpenzimi zë 14% të totalit të shpenzimeve dhe për grup moshën 35-44 vjeç. Për grup moshat 45-54 dhe 55-64 shpenzimet për banesë janë më të ulëta, me përkatësisht 8.7 dhe 9.7 % të totalit.

Kategoria e dytë ku familjet e reja “nuk e mbajnë dorën” në të shpenzuar janë veshjet dhe këpucët. 5.9% e shpenzimeve shkojnë për tu veshur dhe për tu mbathur, ndërsa mesatarja e të gjitha kategorive është 4.7%. Grup mosha e dytë që shpenzon më shumë për veshje dhe për këpucë është 45-54 vjeç, ku rreth 5.4% e shpenzimeve shkojnë për këtë kategori.

Edhe në kategorinë e arsimit, kryefamiljarët deri në 24 vjeç, kanë shpenzimet më të larta. Në totalin e shpenzimeve të tyre, ato për arsim zënë rreth 10.5%. Shpenzimet për këtë kategori janë të larta edhe për familjet më grup moshë 45-54 vjeç, të cilat zënë rreth 8.2% të totalit. Më të ulëta janë për kategoritë e tjera, ku shpenzimi për arsim nuk është më shumë se 3% e totalit.

Argëtimi dhe kultura janë gjithashtu një tjetër kategori ku familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç, kanë një peshë më të lartë se grup moshat e tjera, me 3.9%.

 Shpenzojnë pak për ushqime, por hanë më së shumti jashtë

Kanë shpenzimet më të ulëta për ushqime dhe pije alkoolike, por më të larta për  restorante dhe hotele. Në krahasim më të gjithë grup moshat e tjera, familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç shpenzojnë më shumë për restorant dhe hotele. Rreth 6.4% e shpenzimeve shkojnë për këtë kategori, ndërkohë që mesatarja për të gjitha grup moshat ishte 4.4%.

Anketa e Buxhetit të Familjeve

Të dhënat për shpenzimet e familjeve grumbullohen në mënyrë të përvitshme nga INSTAT nëpërmjet Anketës së Buxhetit të Familjeve me njësitë ekonomike familjare. Grupet kryesore të konsumit janë përcaktuar sipas Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit (COICOP), 2012.

Shpenzimet janë grupuar në 12 kategori kryesore: Ushqim dhe pije jo-alkoolike; Banesa; Arsim; Të tjera mallra dhe shërbime; Transport; Restorante dhe hotele; Veshje dhe këpucë; Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të zakonshme të banesës; Komunikim; Pije alkoolike, duhan; Shëndet; Argëtim dhe kulturë./ Monitor

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *