Vajza 24-vjeçare që u gjet e vetëvarur nga familjarët e saj mesditën e djeshme në Tiranë, shtetasja me iniciale E.Y., nga Mallakastra dyshohet të jetë vetëvrarë në kushtet e depresionit, e rënduar edhe nga gjendja e vështirë ekonomike.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:20, prapa pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Policia është lajmëruar nga familjarët e viktimës dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.2.
24-vjeçarja kishte mbaruar studimet e larta në Tiranë, ndërsa nuk kishte arritur të gjente punë në profesionin e saj. Prej pak kohësh ajo kishte filluar punë në një “Call Center”, në kryeqytet, por ndërkohë familja e saj jetonte në kushte të vështira ekonomike, që kanë sjellë shqetësime edhe te 24-vjeçarja, e cila së fundmi kishte shfaqur probleme me depresionin.
Megjithatë, nuk dihet nëse merrte apo jo mjekim për këtë problem. “Më datë 02.10.2018, rreth orës 11:20, mbrapa pallatit të sportit ‘Asllan Rusi’, dyshohet të jetë vetëvarur shtetasja E.Y., 24 vjeçe, lindur në Mallakastër dhe banuese në Tiranë. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, po punohet për sqarim të mëtejshëm të rrethanave”, njoftoi dje zyrtarisht Policia e kryeqytetit.