• |
ide | kryesore

Vrau bashkëshorten, 35 vite burg për burrin e moshuar

Lajme, Të fundit



Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 35 vite burg Namik Velajn, të cilin e gjeti fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, dy vite më parë.

Gjithashtu, fajtor u deklarua edhe mjeku Ilir Tanku, për “Shpërdorim detyre” dhe u dënua me 2 vite burg, por gjykata pezulloi dënimin dhe do të shlyhet me 4 vite shërbim prove.

Sipas prokurorisë, Velaj ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën e tyre, duke i bllokuar rrugët e frymëmarrjes, ndërsa krimi është zbuluar një vit pas ngjarjes.

Prokuroria

Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar burgim të përjetshëm për Namik Velajn, i cili mbyti bashkëshorten e tij rreth dy vite më parë.

Ndërkohë, për mjekun, Ilir Tanku, u kërkua 3 vite burg dhe 2 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar profesionin e tij.

Kujtojmë se vrasja ka ndodhur në janar të 2017-ës, por 67-vjeçari u arrestua në mars të 2018, pasi vdekja e Verke Velaj, u raportua si natyrale, version i konfirmuar edhe nga mjeku Ilir Tanki, i cili është marrë i pandehur për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, kanë qenë familjarët e viktimës që kanë dyshuar për vdekjen e të ndjerës dhe kanë bërë denoncim në polici, pas 1 viti hetime, rezultoi se Namik Velaj, e kishte mbytur me duar bashkësborten dhe rreth qafës, kishte vendosur një shall për të fshehur shenjat e mbytjes.

NGJARJA

Në janar të vitit 2017, Namik Velaj është konfliktuar me bashkëshorten e tij, Vreke Velajn në banesën e tyre në Patos dhe e ka keqtrajtuar atë duke e mbytur dhe thyer krahun. Pas vrasjes, ai menjëherë ka nisur të thurë planin për zhdukjen e provave. Ai ka thirrur një mjek të Qendrës Shëndetësore të Patosit, shtetasin Ilir Tanku.

Ky i fundit, në shkelje të ligjit, ka përcaktuar se shkak i vdekjes së të moshuarës ka qenë hipertensioni, duke e trajtuar si vdekje natyrale. Në këto kushte, Namik Velaj ka nisur të zhdukë provat për krimin e kryer duke organizuar vetë ceremoninë mortore.

Ai i ka vendosur viktimës një shall rreth qafës në mënyrë që të zhdukte shenjat e dhunës në qafën e saj. Një ditë më pas, gjatë ceremonisë mortore, familjarët e viktimës kanë kërkuar që të lëvizin trupin dhe ta shohin, por Namik Velaj ka kundërshtuar. Ai u ka kërkuar atyre që të mos ia hiqnin shallin trupit të viktimës, pasi e kishte amanet nga vajza, e cila kishte ndërruar jetë një vit para ngjarjes.

Përkundër insistimit të Velajt, familjarët e viktimës kanë insistuar dhe kanë mundur që t’ia heqin shallin kufomës, duke konstatuar mavijosje të qafës dhe fryrje në shpatull. Që të mos binin në sy tek autori i krimit, familjarët e viktimës kanë preferuar të heshtin dhe ta ndjekin rastin në rrugë ligjore.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *