• |
ide | kryesore

Këshilltari i Thaçit “sfidon” eprorin e tij: Heqja e taksës ndaj Serbisë do të ishte gabim strategjik

Lajme, Planet


Bekim Çollaku, shefi i kabinetit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, ka mbajtur një qendrim diametralisht të kundërt nga kreu i shtetit dhe eprori i tij lidhur me debatin për heqjen apo pezullimin e taksës 100 % të vendosur mbi produktet dhe mallrat serbe.

Çollaku është i mendimit se shfuqizimi i taksës do të ishte një gabim strategjik, për arsye se ekzekutivi i Kosovës i ka rezistuar për një kohë të gjatë trysnisë së ndërkombëtarëve dhe në rrethanat e tanishme ka gjasa të pakta për arritjen e një marrëveshjeje bilaterale me Serbinë. “Për mendimin tim do të ishte gabim strategjik që në këto momente të mendohet heqja e tarifave… Nëse kjo qeveri dhe ky koalicion i ka rezistuar një presioni aq të madh presion pozitiv nga SHBA-të në mënyrë që t’i jepej mundësi dialogut dhe në të njëjtën kohë nuk është bërë një gjë e tillë, atëherë cili është arsyetimi që një gjë e tillë të ndodhë sot kur momentumi për një marrëveshje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë është humbur. Prandaj konsideroj që taksa duhet të mbetet në fuqi.”- është shprehur shefi i kabinetit të presidentit Thaçi në një intervistë për Klan Kosovën.

Çollaku shtoi se nëse pezullimi i taksës do të ndërmerrej për t’i paraprirë punimeve të Samitit të Parisit, të paralajmëruar për t’u mbajtur më datë 2 korrik mes krerëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, do të ishte një vendim absurd dhe i vonuar. “Vendimi i takon kryeministrit dhe qeverisë por edhe partnerëve të koalicionit andaj edhe heqja nuk do të ishte vendim vetëm i kryeministrit.”- theksoi më tej Çollaku.

 


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *