• |
ide | kryesore

Kriza politike, ambasadori zvicerian: Vendimin për zgjedhjet e marrin shqiptarët dhe autoritetet vendase

Lajme


Në një dalje publike nga qytetit i Shkodrës, ambasadori zviceran, Adrian Maitre, ka folur mbi aktualitetin politik në Shqipëri, duke nënvizuar se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më datë 30 qershor, u përket shqiptarëve dhe autoriteteve vendase.

Maitre shtoi se zgjedhjet duke qenë një faktor kryesor për demokracinë, nënkuptojnë mundësinë e sovranit për të zgjedhur midis palëve të ndryshme. “Në vendin tim çelsi i suksesit ka qenë dialogu dhe dakordësia mes palëve për përparim. Sa i përket zgjedhjeve nëse duhet të bëhen apo jo duhet ta marrin shqiptarët dhe autoritetet shqiptare. Ajo që mund të them është që zgjedhjet janë faktor kryesor për demokracinë dhe duhet të kesh mundësi të zgjedhësh mes palëve të ndryshme.”- u shpreh Maitre për mediat, pas përfundimit të aktivitetit të organizuar nga bashkia e Shkodrës për inagurimin e lulishtes “Vaso Kadia”.

Përfaqësuesi diplomatik i Zvicrës në vendin tonë tha se për kapërcimin e krizës politike është e nevojshme që palët t’i rikthehen dialogut, duke i cilësuar pa dallim si të papranueshme episodet e dhunës në përplasjet e efektivëve dhe qytetarëve gjatë protestave të fundit të opozitës. “Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të jesh i gatshëm për dialog, jam tërësisht dakord me kolegët e mi që e cilësojnë dhunën të papranueshme, pavarësisht se nga cila palë vjen. Në vendin tim një faktor i rëndësishëm ka qenë dëshira për dialog dhe vullneti.”- përmbylli fjalën e tij Maitre.

 


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *