• |
ide | kryesore

“Gasperini më sulmoi fizikisht”: Gomez zbuloi arsyen e lamtumirës nga Atalanta

-Instant, Sport


Ajo e Papu Gomez me Atalantën ishte një histori dashurie që zgjati gjashtë vjet, por pa një fund të lumtur. Ish-sulmuesi zikaltër, tani tek Sevilla, është kthyer të flasë për lamtumirën e ashpër në janar, duke dhënë një intervistë për ‘La Nación’, në të cilën zbuloi grindjen e egër me teknikun Gasperini që solli në vendimin për tu larguar: “Në dhomën e zhveshjes ai i kaloi kufijtë dhe u përpoq të më sulmonte fizikisht”.

“Duhet të kem gabuar dicka – shpjegon Papu – sepse në një ndeshje të Ligës së Kampionëve (kundër Midtjylland) nuk iu binda një indikacioni taktik. Kishin mbetur dhjetë minuta nga pjesa e parë dhe trajneri më kërkoi të lëvizja në të djathtë, ndërsa unë isha shumë mirë në të majtë. I thashë jo. Imagjinoj se përgjigjja kështu, në gjysmë të ndeshjes dhe para kamerave, krijoi situatën perfekte që ai të zemërohej. Në atë moment e kuptova se do të zëvendësohesha në pjesën e parë dhe kështu ndodhi. Në dhomën e zhveshjes, megjithatë, ai i tejkaloi kufijtë dhe u përpoq të më sulmonte fizikisht “.

“Aty thashë mjaft – vazhdon Gomez – Mund të diskutojmë, por agresioni fizik është i patolerueshëm. Kërkova një takim me Presidentin Antonio Percassi dhe i thashë se nuk do të kisha probleme për të vazhduar. E kuptova që kisha gabuar, se si kapiten nuk isha sjellë mirë dhe se kisha qenë një shembull i keq duke mos iu bindur trajnerit, por gjithashtu i thashë se doja ndjesën e Gasperinit”.

Ndjesa që nuk erdhën kurrë: “Të nesërmen pati një takim me të gjithë ekipin. I kërkova falje trajnerit dhe shokëve të skuadrës për incidentin, por nuk kam marrë asnjë ndjesë. Si duhej ta kuptoja këtë? Isha gabim dhe ai bëri diçka të drejtë? Gjithçka filloi prej aty. Pas disa ditësh i thashë presidentit se nuk doja më të punoja me Gasperinin te Atalanta. Ai u përgjigj se nuk do të më linte të shkoja dhe për këtë arsye filloi një krah i hekurt për të cilën e pagova unë: përfundova jashtë skuadrës. E tani tifozët e mësuan të vërtetën” përfundoi Papu Gomez.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *