• |
ide | kryesore

Pjanic zbuloi ‘armikun’ te Barcelona: “Më trajtoi sikur të isha një 15 vjeçar”

-Instant, Sport



Vetëm disa orë pas transferimit të tij te Besiktas, Miralem Pjanic ka nisur një sulm të ashpër ndaj trajnerit të Barcelonës, Ronald Koeman. “Unë jam një lojtar që mund të pranoj gjithçka, por gjithmonë do të doja që të më thoshin gjërat ballë për ballë – shfryu ai për mikrofonët e “Marca” -. Jo sikur të mos kishte ndodhur asgjë e unë të isha 15 vjeç. Ai nuk më respektoi”.

Arsyeja për sezonin e tij të pasuksesshëm me blaugranat ka një emër dhe një mbiemër: Ronald Koeman. “Sot ende nuk e di se çfarë donte saktësisht Koeman, ai nuk u përpoq të më shpjegonte gjërat, as të gjente një zgjidhje – shpjegoi mesfushori boshnjak – Isha unë që do ta pyesja se çfarë donte nga unë, cfarë po bëja gabim ose mirë. Për të nuk kishte asnjë problem në lojën time, nuk më dha përgjigje. Koha po kalonte dhe situata po përkeqësohej, por pa asnjë arsye. Do të kisha preferuar të mi thoshin gjërat drejtpërdrejt. Ishte një mënyrë shumë e çuditshme për të komunikuar, ishte hera e parë që më ndodhte. Nuk kam pasur kurrë probleme me asnjë ekip, me asnjë trajner. Punoja në ditët e pushimit, ndonjëherë vrapoja vetëm edhe pas stërvitjes për t’u ndier mirë… mund të jepja shumë më tepër nëse do të donte. Por ai është një trajner shumë shumë i çuditshëm, është hera e parë që kam parë një menaxhim të tillë”.

Pjanic pranoi kontaktet me Juven dhe jo vetëm. “Është e vërtetë, kishte shumë gjëra, situata e atyre skuadrave nuk ishte e lehtë. Jo shumë klube bënë një merkato të madhe, vetëm PSG, nuk e di se si arritën dhe anglezët, me blerje të mëdha. Në Spanjë u bënë pak gjëra, ashtu si në Itali. Ishte stresuese, mendoja: po situata ime? Por derisa mora një telefonatë isha i fokusuar në stërvitje dhe përgatitje, por ishte shumë e vështirë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *