• |
ide | kryesore

Analiza në “The Guardian”/ Serbia, “Kali i Trojës” i Putinit që kërcënon Ballkanin

-Instant, Arkiva, F1, Lajme, Planet, Të fundit



Paqja në Ballkan është sërish nën kërcënim. Qeveritë e BE-së duhet të përballen me qeverinë serbe para se të jetë tepër vonë.

Nga: Daniel Cohn-Bendit, Timothy Garton Ash, Ireneusz Pawel Karolewski, Claus Leggewie

Samiti i fundit evropian në Versajë humbi një mundësi të madhe: për të nisur, në një vend simbolik, një rend të ri të pasluftës për Evropën. Ne nuk jemi ëndërrimtarë; ne e dimë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është “një shëtitje në park” pasi të njëjtat procedura u zbatuan në parim, si për Ukrainën ashtu edhe për vendet kandidate në Ballkan. Por kishte një mundësi për të krijuar një bashkim politik që do të lidhte hendekun midis vendeve në pritje dhe anëtarësimit të plotë. Në vend të kësaj, liderët evropianë vazhduan njëlloj sikur procedurat e sanksionuara të BE-së në kohë paqeje janë të përshtatshme edhe në rastin ekstrem të një lufte në Evropë. Projekti i lirisë dhe paqes i la vendin BE-së së burokratëve dhe zyrtarëve.

Por BE-ja nuk është më bashkimi ekonomik i viteve të fundit; Vladimir Putin e ka kthyer pa dashje atë në aleancën normative dhe institucionale të viteve të themelimit. Kjo duhet bërë sërish, pasi detyra tani nuk është vetëm mbrojtja e Ukrainës nga agresioni rus, por edhe forcimi i mbrojtjes së anëtarëve të saj më të rinj, veçanërisht shteteve baltike dhe përfshirja e të gjitha atyre shteteve që duan mbrojtje me anëtarësimin në BE. Ajo që nevojitet është një “Trekëndësh i zgjeruar i Vajmarit” (i cili që nga viti 1991 ka lidhur Gjermaninë, Francën dhe Poloninë). Kjo do t’i kushtonte vëmendje të veçantë zgjerimit rajonal të dimensionit të sigurisë brenda BE-së. Gjermania, Franca, Polonia dhe shtetet baltike duhet të hyjnë në një bashkëpunim më të fortë të politikës së sigurisë, nëse është e nevojshme edhe në fushën e mbrojtjes bërthamore.

Mbretëria e Bashkuar duhet të afrohet sërish me komunitetin politik të Evropës, një marrëdhënie që u shpërdorua pa kujdes nga Brexit. Por një mbrojtje më e fortë kundër Rusisë do të thotë gjithashtu se “kuajt trojanë” të Putinit, si Hungaria e Viktor Orbanit dhe Serbia e Aleksandar Vuçiçit, duhet të kundërshtohen më me vendosmëri. Kjo ngre pyetje mbi të gjitha në lidhje me zbatimin e angazhimeve themelore ligjore të anëtarësimit të Hungarisë në BE dhe statusit të vazhdueshëm të Serbisë si një vend kandidat.

Bosnje-Hercegovina meriton vëmendje të veçantë në këtë kontekst. Politikanët serbë në Beograd dhe në Banja Luka (kryeqyteti i Republikës autonome Serbe të Bosnjës) po nxisin tendenca përçarëse që 30 vjet pas fillimit të luftës në Jugosllavi, po shpërbëjnë konfederatën e brishtë të Bosnje-Hercegovinës. Ata madje po bëjnë që një luftë e re midis grupeve etnike të vendit të duket e mundshme. Separatistët e mëdhenj serbë mund të jenë të sigurt për mbështetjen aktive të regjimit të Putinit.

Putini ka dhënë idenë e manovrave të tilla të turpshme para syve të të gjithëve që prej vitit 2008 me rastin e Gjeorgjisë dhe në 2014-ën në Ukrainë. BE mbylli një sy ndaj tij, duke injoruar provokimet e Kremlinit dhe manovrat përçarëse të kundërshtarëve të unitetit evropian, nga Marine Le Pen tek Orbán. Teksa Putin përgatiste me përpikëri planet e tij të sulmit, varësia energjetike e Evropës u rrit në mënyrë dramatike ndërsa shpenzimet gjermane të mbrojtjes u ulën. E gjithë kjo u promovua në mënyrë aktive, jo më pak në Gjermani, nga aktorët politikë të vijës së parë, pavarësisht dëshmive të qarta të neo-imperializmit rus. Kjo lind një detyrim të veçantë sot.

Qytetarët evropianë tani kanë dëgjuar të shtënat e armëve dhe qeveritë e tyre po qëndrojnë sërish më pranë njëra-tjetrës në mbrojtje të vlerave dhe institucioneve demokratike. Së bashku ata kanë vendosur sanksione kundër Rusisë dhe dërgimin e armëve në Ukrainë, por ata nuk mund të parandalojnë vuajtjet e popullatës civile ukrainase. Sanksionet dhe dërgesat e armëve duhet të ishin ndërmarrë të paktën në vitin 2021 kur ushtria ruse u vendos në kufijtë e Ukrainës. Ne nuk duhet të presim edhe tani në rastin e Bosnje-Hercegovinës derisa edhe atje të jetë tepër vonë.

Ne kërkuam në vitin 1992 që Evropa të merrte një akt vendimtar për qytetin e rrethuar të Sarajevës. E kotë. Vetëm një gjenocid shkaktoi më pas një ndërhyrje të vonuar, e cila nuk u pasua nga një rend i qëndrueshëm në Ballkan.

Sot, BE-ja duhet të jetë më vigjilente dhe të deklarojë qëllimin e saj të qartë për të përfshirë Bosnjë-Hercegovinën në një komunitet politik që përfshin ndihmën kundër provokimeve dhe agresioneve të mundshme. BE duhet të mbështesë një aleancë që paralajmëron separatistët serbë dhe angazhon Kroacinë dhe Slloveninë në mbështetje të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe të ndërhyjë për një rend të qëndrueshëm të pasluftës në të gjithë Ballkanin.

Qeveria serbe duhet të kuptojë se shansi i saj për t’u bashkuar me BE-në do të humbasë nëse rrezikon rendin e pasigurt të paqes në Ballkan dhe kërkon të fitojë terren duke përfituar nga lufta në Ukrainë. Projekti i Putinit për një “botë ruse” kishte pararendës “botën serbe” të Sllobodan Millosheviçit, në të cilën bashkatdhetarët e tij në Bosnje dhe Mal të Zi do t’i bashkoheshin perandorisë amë, ashtu siç u sollën rusët etnikë në Krime dhe në rajonin e Donbasit në vitin 2014. Ëndrra e Millosheviqit përfundoi në mënyrë fantastike në gjykatën penale ndërkombëtare.

Serbët në Banja Luka dhe Beograd duhet të vendosin se cilës anë i takojnë. Milorad Dodik, lideri serb i Bosnjës, ka refuzuar sanksionet kundër Rusisë dhe aleatët e Rusisë (Kina) vijnë e shkojnë në Beograd. Një sinjal i qartë për Bosnje-Hercegovinën, si dhe për Malin e Zi, anëtar të NATO-s, do të tregonte se këto dy shtete llogariten si pjesë e botës demokratike dhe i përkasin një komuniteti të zgjeruar evropian.

Përpjekjet për të mos i bazuar më ligjet zgjedhore dhe administratës shtetërore në proporcionalitetin etnik po rezonojnë gjithnjë e më shumë në shoqërinë civile boshnjake, veçanërisht në mesin e brezit të ri për të cilin nacionalizmi etnik nuk ofron asnjë shans për paqe dhe prosperitet.

Në këtë mënyrë, Putin mund të ndikojë pa dashje duke forcuar Bashkimin Evropian.

©Marrë nga The Guardian, përktheu LAPSI.al.

Titulli origjinal: “Tmerret e Mariupolit duhet të na alarmojnë për një rrezik të ri për Sarajevën”



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *