• |
ide | kryesore

Video/ “Dua të shkoj në Europian”: Reja i lë takim Dukës në nëntor për rinovimin dhe paralajmëron Brojën

-Instant, F1, Sport, Video
Reja



“Sigurisht që kemi zhgënjyer në Ligën e Kombeve dhe nuk dua të kërkoj alibi. Unë dua ta çoj deri në fund këtë mision për në finalet e Euro 2024. Dua të qëndroj sepse kam energjinë e duhur por do të flas me Dukën menjëherë pas përfundimit të kontratës. Dëshira ime është e madhe për të vazhduar”. Edoardo Reja nuk heq dorë nga përfaqësuesja e Shqipërisë dhe i lë takim presidentit Armand Duka. Të dy do të takohen në nëntor, kur italianit t’i ketë përfunduar kontrata aktuale me kuqezinjtë. “Ia kam thënë presidentit që me këtë skuadër mund të shkojmë në europian – tha Reja -. Ne ishim shumë pranë play-off të botërorit por situata u komplikua në ndeshjen me Poloninë. Aty, në një rast, Uzuni gaboi një gol pothuajse të sigurt në fillim dhe ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe”.

ARABIA SAUDITE

Qendrimi i teknikut Reja në lidhje me rinovimin e kontratës dihej, tani mbetet për tu parë se çfarë do të vendosë FSHF. Ndoshta miqësoret e fundit të tetorit dhe nëntorit nuk do të kenë vlerë, por gjithësesi kuqezinjtë duhet të bëjnë mirë. Kundër Arabisë Saudite do të jetë një seleksion i pazakontë, me 9 lojtarë të ardhur nga jashtë dhe 14 të thirrur nga kampionati i Superiores.

Lexo më tej: Reja nis grumbullimin për ndeshjen që nuk transmetohet askund: 9 lojtarë nën urdhëra, të tjerët të dielën

“I kam ndjekur prej disa vitesh lojtarët e Superiores. Kjo ndeshje do të më shërbejë t’i shikoj nga afër edhe pse do të doja që të punoja më shumë me ta. Shpresoj që ndonjëri prej tyre të jetë pjesë e Kombëtarës në të ardhmen. Tre vite më parë e kam pasur në projekt bashkë me presidentin për të përfshirë sa më shumë lojtarë nga Shqipëria. Marr si shembull Hoxhallarin, Seferin apo Trashin – tha Reja -. Do të ishte pozitive të grumbulloja ndonjë lojtar të kësaj miqësoreje në ndeshjen me Italinë por fillimisht duhet t’i vlerësoj”.

PARALAJMËRIMI

Tekniku italian i është kthyer edhe gabimeve fatale të kohëve të fundit. E sidomos ato gafa që kanë ndëshkuar skuadrën dhe kanë dënuar rezultatin: “Nuk mund të fal më këto rënie tensioni në minutat e fundit. Nuk mund të hedhim poshtë punën e bërë dhe këto gabime nuk i fal më. Nëse vazhdon të gabosh në fund, atëherë je gjysmë-lojtar sepse ndeshjet nuk luhen 90 minuta por 100 minuta – analizoi Reja, që në fund dha edhe një paralajmërim të qartë për Armando Brojën -. Mentaliteti është i gabuar sepse ka ndodhur në 5,6,7 ndeshje. Tani nuk mund të gabojmë më as një presje në fundin e ndeshjeve. Unë fola me lojtarët edhe ndeshjen e fundit dhe isha shumë i nxehur. Nuk pranoj më solistë në ekip, të gjithë duhet të luajnë për skuadrën në të kundërt nuk kanë më vend në skuadër” theksoi 77 vjeçari.

https://youtu.be/UfEHikh5FOY



3 Comments

  1. Ne ishim shumë pranë play-off të botërorit por situata u komplikua në ndeshjen me Poloninë – thote Maestro.

    Llogarite i ben ky, qe 6 pike i mori fale atij Brojes?!

  2. Deshtak spektakolar, akoma me kete trajner Shqiperia?! Cfare pazaresh fshihen pas qendrimit te tij ne drejtimin e Kombetares?

  3. Nuk na dashka solist ky trapi do vetem “qemanaxhinj” ti vijne pas avazit. Besoj nuk ka shance ta rinovojne ket tarallak qe ha inat me Brojen. Nese do fuste Brojen si titullar me Polonine do ishim ne play off.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *