• |
ide | kryesore

Champions/ Juventus në Lisbonë duke “u lutur” për një mrekulli: Haaland, djali plangprishës, kthehet në Dortmund

-Instant, F1, Sport
Juventus



Për Milan e Juventus sfida për jashtë ose brenda, edhe pse për bardhezinjtë situata është më e vështirë. Skuadra e Piolit duhet të fitojë kundër Dinamo Zagreb dhe të luajë pastaj gjithcka me Salzburg. Ndërsa për Allegrin mund të mos mjaftojnë edhe dy fitore kundër Benfica në Lisbonë dhe PSG në Allianz. Impenjim në transfertën gjermane për Real Madrid, i kualifikuar tashmë. Dortmund e Manchester City luajnë për kreun e grupit G.

GRUPI E

Dinamo Zagreb-Milan një ndeshje për jashtë apo brenda. Për t’u rrëmbyer është një pjesë e madhe e kualifikimit në 1/8 së Champions. Kuqezinjtë duhet të fitojnë për të mbajtur shpresën gjallë dhe më pas të luajnë gjithçka kundër Salzburg në shtëpi. Për pronarin e ri Gerry Cardinale është prioritar ky objektiv. Arritja në raundin e dytë do të nënkuptonte arkëtimin e të paktën 20 milionë eurove. Para që mund të zhbllokojnë edhe situatën delikate të rinovimit të Leaos. Kuqezinjtë do të dalin në fushë duke ditur tashmë rezultatin Salzburg-Chelsea, por për skuadrën e Piolit ka vetëm një rezultat të dobishëm, fitorja. Më pas do të nisin përllogaritjet e ndryshme për kualifikim në kuadër të ndeshjes në San Siro të 2 nëntorit ndaj austriakëve. Chelsea është i pari me 7 pikë, por në Salzburg rrezikon shumë. Austriakët kanë një pikë më pak dhe e dinë se kjo ndeshje thotë shumë. Potter nuk mund të gabojë dhe kërkon kualifikimin, ndoshta me Brojën në fushë, përpara ndeshjes së fundit.

GRUPI F

Real Madrid i kualifikuar do të jetë një lloj arbitri për të përcaktuar se kush mes Leipzig e Shakhtar do të shkojë në 1/8. Blancos, kampionë në fuqi kanë 10 pikë dhe do të luajnë kundër Leipzig me 6. Gjermanët kanë një pikë më shumë se ukrainasit, por Shakhtar luan kundër Celtic të vendit të fundit. Skocezët kanë vetëm një pikë dhe nuk duken pengesë e pakalueshme për ukrainasit. Në këtë këndvështrim Leipzig duhet të bëjnë rezultat me cdo kusht, sepse në ndeshjen e fundit do të jenë vizitorë në fushën e Shakhtar.

Lexo më tej: Video/ Chelsea e arbitri ‘groposin’ Milan në Champions: Real Madrid eviton turpërimin, PSG e Benfica ndajnë pikët

GRUPI G

Gjithcka vërtitet rreth forcës së parë të grupit, sepse kualifikimi është përcaktuar tashmë mes dy skuadrave. Dortmund do të presë në shtëpi Manchester City dhe djalin plangprishës Haaland. Norvegjezi që ka entuziazmuar kaq herë ‘murin e verdhë’, tani do të jetë frikësuesi numër 1. Borussia ka tre pikë më pak dhe i duhet një fitore me dy gola për të kapërcyer anglezët në renditje. Citizens po kalojnë një formë brilante dhe Guardiola kërkon të mbyllë llogaritë që në Dortmund. Vështirë megjithatë që Sevilla, me dy pikë, pesë pas Borussia, të mund të përfitojë. Spanjollët do të luajnë kundër Copenhagen, me të dyja skuadrat në kuotën e dy pikë. Por andaluzianët edhe nëse fitojnë, duhet të shpresojnë që një mes City e Dortmund ti humbasë të dyja ndeshjet.

GRUPI H

Për të mbajtur gjallë shpresat për kalimin e komplikuar në 1/8 e Champions League, Juventus i kërkohet të marrë pikë të plota kundër Benfica. E Massimiliano Allegri e di shumë mirë këtë. “Ne kemi vetëm një rezultat në dispozicion, por nuk jemi zotër të fatit tonë – shpjegoi trajneri i Juventusit -. Nëse Benfica humbet me ne dhe fiton ndeshjen e fundit, ata kalojnë dhe ne shkojmë në Europa League”. E megjithatë në Lisbonë, aty ku Juventus nuk ka fituar kurrë në histori, bardhezinjtë duhet të fitojnë për të mbajtur derën hapur për raundin tjetër. Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër një ekipi që nuk ka humbur ende këtë sezon. Në fakt portugezët kanë 15 fitore dhe katër barazime ndërmjet kampionatit dhe kupës.

Benfica e Roger Schmidt po përgatitet të përballet me Juventusin në një ndeshje që mund t’i japë atij kualifikimin matematik. Në fakt, luzitanëve u duhet vetëm një pikë ndaj bardhezinjve për t’i garantuar vetes kalimin e turit: “Situata në grup është e qartë: nesër na mungon një pikë, ndërsa atyre u duhen dy fitore”, shpjegoi trajneri gjerman. “Ne kemi një avantazh të vogël, por të gjithë mund të kualifikohen dhe Juve është Juve. Një klub i madh me shumë lojtarë të mirë që duan të ecin përpara. Ne presim Juventusin më të mirë të mundshëm dhe jemi gati të luajmë siç dimë”. Bardhezinjtë do të kenë gjashtë mungesa dhe një tabu për të thyer. Atë të Lisbonës, qytet ku nuk kanë mundur kurrë as Benfikën e as Sporting. Për PSG është mundësia të konsolidojnë vendin e parë me një fitore kundër Maccabi, që ndodhet në të njëjtat pozita me Juventus.

NDESHJET E MBRËMJES

Champions League Group E
18:45 FC Salzburg – Chelsea
21:00 Dinamo Zagreb – AC Milan
Champions League Group F
21:00 Celtic – Shakhtar Donetsk
21:00 RB Leipzig – Real Madrid
Champions League Group G
18:45 Sevilla – FC Copenhagen
21:00 Borussia Dortmund – Manchester City
Champions League Group H
21:00 Benfica – Juventus
21:00 Paris Saint-Germain – Maccabi Haifa



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *