• |
ide | kryesore

Sveçla: Nëse KFOR nuk vepron, ne do t’i heqim vetë barrikadat

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Svelça



Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se situata e sigurisë në veri të Kosovës është rënduar. Andaj ai tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vetë barrikadat.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që këtë angazhim të tyre ta realizojnë. Por, pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në stacionin policor Jarinjë dhe Leposaviq, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Unë besoj se KFOR-i dhe gjithë faktori ndërkombëtar do të angazhohet maksimalisht që këtë ta bëjnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media në Mitrovicë, duke thënë se kushtet e serbëve, të paraqitura për largimin e barrikadave, janë të nxitura nga Serbia dhe janë për të arritur qëllime politike. Gjatë protestës në Rudarë të Zveçanit, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Policia “s’ka lista për arrestimin dhe vrasjen e serbëve”

Sveçla po ashtu hodhi poshtë pretendimet se Policia e Kosovës ka lista përmes së cilave po arreston ish-policët serbë. Ai tha se Serbia po kryen fushatë të dezinformimit sa i përket tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

“Një e pavërtetë që po përdoret në vazhdimësi ka të bëjë me lajmin se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët. Policia e Kosovës nuk ka lista të tilla, nuk ka asnjë listë as për përndjekje, e aq më pak për vrasje të qytetarëve serbë. Kjo është logjika që Serbia ka ushqyer historikisht. Pra, lista bëjnë ata të cilët vranë edhe Oliver Ivanoviqin, e shtypin e maltretojnë serbët e padëgjueshëm ndaj Beogradit”, u shpreh ai.

Transferimi i Pantiçit,”në bashkëpunim me partnerët tanë”

Sveçla njoftoi se ish-polici serb, Dejan Pantiç, arrestimi i të cilit më 10 Dhjetor nxiti ngritjen e barrikadave në veri, gjendet në një stacion policor afër Jarinjës. Ai tha se Pantiç është mirë me shëndet dhe po merr trajtimin e duhur. Ministri Sveçla tha se transferimi i Pantiçit në një qendër paraburgim është prioritet për autoritetet dhe se për këtë kanë kërkuar edhe ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë.

“Prandaj për ne mbetet prioritet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë”, tha ai. “Largimi i barrikadave e mundëson këtë transferim nga Policia e Kosovës, lehtë dhe sigurt”, tha Sveçla, duke shtuar se kërkesa për lirimin e tij është “e papranueshme” për Kosovën.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) ka konfirmuar më 16 dhjetor për Radion Evropa e Lirë se ka marrë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të ndërmjetësuar transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç. “Në linjë me mandatin e tij, EULEX po monitoron rastin e D.P”, u tha në përgjigje. Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 Dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Policia po heton informacionet për Radoiçiçin

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka deklaruar se “bartës i rezistencës” në veri është nënkryetari i kësaj partie, Millan Radoiçiç. Ai kërkohet nga Kosova për dyshimet se ka frikësuar dëshmitarë në rastin “Brezovica”, ndërkaq është nën sanksione nga SHBA-ja për shkak të dyshimeve se është pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar. Por, Sveçla tha se janë duke hetuar të gjitha informacionet lidhur me mundësinë që Radoiçiq të jetë brenda territorit të Kosovës.

“Në momentin që këto informacione konfirmohen, ne do të kujdesemi që secili kriminel, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin, të sillen para drejtësisë”, tha ai.

Disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës më 10 Dhjetor, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç. Sveçla tha se pranë barrikadave po rrinë një numër i vogël i qytetarëve. Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim. /REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *