• |
ide | kryesore

Tensionet në Veri, Prishtina pret heqjen e barrikadave nga KFOR

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
KFOR


Pas një takimi të Këshillit të Sigurisë të Kosovës, të mbajtur të hënën, Zyra e Kryeministrit theksoi se Qeveria e Kosovës është ende “në pritje të veprimeve nga KFOR-i” për heqjen e barrikadave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takim të Këshillit të Sigurisë të Kosovës lidhur me situatën në veri, në ditën e 17-të që nga ngritja e barrikadave në atë pjesë.

Barrikadat u ngritën në shenjë proteste nga disa serbë lokalë pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq – i akuzuar për sulmin në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në komunikatën për media thuhet se gjatë këtyre 17 ditëve, Qeveria e Kosovës “ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in” dhe përsëritet se edhe pse “Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar”, qeveria është në pritje të KFOR-it.

“[Gjatë takimit] u tha se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet më tutje në këtë komunikatë.

Lexo më tej: Opozita – Kurtit: Heqja e barrikadave përgjegjësi e qeverisë 

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Më 22 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nëse KFOR-i nuk vepron, Kosova do t’i heq barrikadat.

Në të njëjtën ditë, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave gjatë një proteste në Rudarë. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit gjithashtu thuhet se incidentet dhe sulmet ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it janë shkaktuar nga “strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë”.

Të hënën, Policia e Kosovës e konfirmoi një sulm në fshatin Zupç të Zubin Potokut ndaj një ekipi gazetarësh të Klan Kosovës – ku si pasojë mbetën të lënduar dy gazetarë, ndërsa u shkaktuan edhe dëme materiale.

Një ditë më parë kishte pasur të shtëna edhe afër një patrulle të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të hënën ka bërë të ditur se është duke e hetuar rastin.

Incidente të ngjashme janë raportuar edhe ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe ndaj një patrulle të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX./REL


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *