• |
ide | kryesore

Për ata që nuk e njohin/ Si festohej Viti i Ri para vitit “90 në Shqipëri

-Instant, Arkiva, Dossier
festohej



Ajo natë, si e vetmja festë popullore është festuar më shumë se cdo festë tjetër në Shqipëri. Sipas një modeli uniform, mundësive, rrethanave, kushteve, në familje, lokale, në shesh, në spitale, reparte ushtarake, deri edhe në postat kufitare. Gazeta “Panorama” ka publikuar një përmbledhje si festohej Viti i Ri. Ajo sjell kujtimet e fotografit Nikon Baba. Si punohej edhe paraditen 31 dhjetorit? Nga pema e Vitit të Ri, dezhurnet, menunë e darkës, Koncerti televiziv, restorantet, gjithcka, deri edhe Koncertin e Vjenës në Rai 1. Të paktën deri më 1990 një Shqipëri ku festohej, por edhe vigjëlohej.

Baba, si kujtoni prag festën e Vitit të Ri?

Atmosfera e ardhjes së Vitit të Ri, niste me Festivalin e Këngës në RTVSH, që zakonsiht zhvillohej në javën e fundit të dhjetorit. Pastaj pema e Vitit të Ri, që vendosje atë javë, ndonëse jo traditë e të gjitha familjeve, kjo për mentalitetin, përkatësitë fetare. Ato nuk tregtoheshin nga shteti, por nga persona që i merrnin në Malin e Dajtit, edhe pse ishte e ndaluar, duke i shitur rrugëve. Një e tillë kushtonte 10 lekë. Me pak zbukurime, pambuk, disa lodra, arra të ngjyrosura, etj. Ndonëse dikur në dyqanin e Valutës shiteshin zbukurime të ardhura nga Cekia, shitja e topave masivë me ngjyra për një pemë, kujtoj vitin 1972, kur në Ma-Po-n e madhe fluksi për blerjen e tyre, një prodhim kinez, ishte i jashtëzakonshëm.

Nga kartolinat, e gjithë Shqipëria një foto te Skënderbeu?

Kartolinat ishin një nga mënyrat për të uruar, si brenda Tiranës, në qytete të tjera dhe jashtë Shqipërisë. Ato i gjeje në postë, kinkaleri, dhe kushtonin pesë lekë. Posta qëndrore, postierët kishin shumë punë në atë periudhë. Atmosfera festive në Tiranë, ndihej, kryesisht në bulevardin kryesor, te lulishtja pas monumentit të Skenderbeut, pemët e larta të saj, zbuluroheshin me llampa që lyheshin me bojra të ndryshme dhe të zakonshmit fotografë. Paraditja, aty kishte fluks të madh, familje, fëmijë, të ardhur, vetëm për të bërë një foto.

Dhuratat, ato për fëmijë, tjetër festë?

Bëhet fjalë për ato që jepeshin për fëmijët, në ndërmarrje, shkolla, institucione, kopshte, kudo. Punonjësve i mbahej një kuotë e vogël nga paga e tyre, duke organizuar më pas takime, festime për t’ja shpërndarë fëmijëve. Në ditët e fundit të vitit një pritje e madhe organizohej në Pallatin e Brigadave nga Enver Hoxha me pionierët e dalluar. Po kështu edhe tek fëmijët jetimë, ata me probleme shëndetësore, etj. Për punonjsit e dalluarit jepeshin shpërblime te vogla financiare.

Edhe ndeshje futbolli?

E vecanta e 31 dhjetorit ishte ndeshja e futbollit që zhvillohej në Pallatit të Pionerëve, paradite, një takim që u kthye në një traditë, në të cilën luanin edhe futbollistët më të njohur, të klubeve të kryeqytetit. Takimi ndiqej deri edhe nga jashtë rrethimit, me njerëzit që qëndronin matanë murit, ose sipër tij, pasi nuk kishte hapsirë për të qenë brenda territorit të vogël të fushës, me spekakorë në këmbë në bordurat e saj. Nga Dekori I Tiranës, vendoseshin banera të mëdhenj festivë. Ardhja e plakut të Vitit të Ri në familje, ndërmarrje, institucione për fëmijët ishte dicka jo e zakontë.

Dezhurne me turne, festojmë e vigjëlojmë

Të parët që largoheshin nga Tirana ishin studentët që ktheheshin për pak ditë në shtëpitë e tyre, dhe veprimtaritë sportive, artistike ndërpriteshin. Në ato ditë as gazetat “Zëri i Popullit, “Bashkimi”, “Sporti”, “Drita” nuk dilnin. Të djelën e fundit të muajit punohej, për të zevendësuar 2 janarin, ndërkohë që shqiptarët mund të ishin i vetmi popull që punonin edhe paraditen e 31 dhjetorit. Natën e Vitit të Ri, si dhe datat 1 e 2 janar në ndërmarrje, dikastere, kudo organizoheshin dezhurne, cdo dy orë me punonjësit që alternoheshin sipas një grafiku, ku ata më të rinjtë, të pamartuarit ishin të angazhuarit, ndërsa gratë, vajzat jo.

Vjen 31 dhjetori, si pritej ajo ditë?

Gjatë ditës së 31 dhjetorit qyteti gumëzhinte dhe dyqanet ishin të hapura deri pak orë para mbrëmjes, deri edhe berberët, permanentet, pastaj të gjithë të mbledhur në shtëpi. Nata e fundvitit festohej në reparte ushtarake, konvikte, spitale, Shtëpitë e Pleqve, të Beqarëve, të fëmijëve jetimë, deri edhe në postata kufitare, me televizor, radio, apo ndonjë magnetofon. 

Jo të gjithë e festojnë ?

Policia patrullonte, pra një vend ku punojmë, festojmë por edhe vigjilojmë. Natën e fudnvitit, të nesërmen urgjencat e spitaleve ishin në gadishmëri, PTT gjithashtu me vetëm një sportel. Nuk ndryshonte lëvizja e trenave, që pasi kryenin udhëtimin e fundit të vitit, të nesërmen niseshin normalisht. Po kështu edhe autobuzat e udhëtarëve me destinacion qytetet e largëta. në ato ditë lëvizja urbane ishet e kufizuar.

Cila ishte menuja e asaj nate?

Menuja e asaj nate kishte pulën e vendit apo hungareze, që shiteshin me tallon në dyqanet e lagjeve, ose një gjel deti të marrë një muaj më parë e të ushqyer me ullinj në banjon e pallatit, apo oborrin e shtëpisë. Ishte kthyer në traditë që në një shesh midis pallateve bë zona të vecanta të Tiranës, shërbenin për “Luftë” gjelash, që ndiqeshin nga banorët, duke shpallur gjelin kampionin. Sigurisht edhe të tjera, ndër to peshku, por më pak, se nuk tregtohej masisvisht, sallamrat, etj.

Furrat sa punë atë ditë?

Furrat e pjekjeve punonin pa ndërprerje. Pasi dorëzoje tavën, furrtari te jepte një letër me një numër i njëjtë me atë të një llamarineje matalike, që ai vendoste në tavë. Njerëzit siguronin bukë rezervë pasi dyqani i bukës mbyllej për dy ditë. Përgatitja për natën e Vitit të Ri ishte tejet lodhëse për gratë, që gatuanin pa pushim në kushte aspak normale në apartamentet e kohës.

Cilat ishin pijet e preferuara?

Rakija, vecanërisht ajo e Skraparit, Përmetit, por, edhe vera ishte pije e preferuar dhe masive. Riesling, Tokai, ose Shesh i Zi, Merlot, Kallmet, e kuqe ose e bardhë të cilësisë së dytë, një shishe kushtonte 42 lekë, dhe tregëtohej në Ushqimore. Cilësia e parë, si ajo Pino Nero, kishte tjetër destinacion. Birra me shishe sihte e KU “Ali Kelmendi” Tiranë. Limonë, portokallë nga bregdeti, Himara, siguronin vetëm ata që kishin të afërm në ato zona.

Jemi në kohën e tallonit, si funksiononte në ato vite?

Gjithcka me listë, miqësi, njohja e një shitëse ushqimoreje, Fruta Perime, Bulmetit, të siguronte dicka më shumë. Gatuhej me vajgur, me furnellat e Gjirokastrës, sobat me dru, tavat me korent, etj. Jo në pak raste nga ngarkesa e madhe, rrezikonte ikja me orë e dritave. Familjet e dëshmorëve kishin një tollon me shumë. Edhe në një familje, ku djali i martuar figuronte i ndarë me prindërit, sic veprohej formalisht, merrte nje racion më shumë.

Mesnatë, të gjithë në shesh?

Në shumë raste kishte grupe të rinj, miq e shokë që mblidheshin atë natë në shtëpinë e dikujt, për të dalë në shesh në 12-të pas mesnate. Ashtu si në festat e 28-29 Nëntorit, ajo orë e ndarjes së viteve shoqërohej me fishekzjarre. Paraditen e 31 dhjetorit, në disa pika të Tiranës, pas Bankës, sot selia e PS, mbrapa Teatrit të Operas, vendoseshin murtaja dhe zona rrerthohej me ushtarakë.

Fishekzjarret, me sytë nga qielli?

Disa prej tyre ishin në formë parashute, në majë kishin një kub, që i shërbente për rënie të lirë. Njerëzit me vështrimin lart prisnin, dhe pastaj kush mundet t’i kapte. Edhe në shi, me cadër qëndronin në pritje të tyre. Me fat ishin familjet tiranase, kur një erë e lehtë i shtynte të binin në bacen, shtëpinë e tyre. Ishin të preferuara pasi me materialin e tyre, copën ngjyrë të bardhë mund të qepje një këmishë, ose një palë rroba banje.

Nga dëshira për to, dhe heqja nga qarkullimi?

Për një periudhe kohe, fishekzjarret për popullsinë u ndaluan, nuk lejoheshin, pasi ishin të rrezikshme, shkaktonin dëme, djegie, dhe urgjenca e spitalit ishte plot me njerëz që merrnin ndihmën e shpejtë nga plagët që u kishte krijuar zjarri i një fishekzjarri, duke luajtur, drejtuar njëri tjetrit. Veshja e një pardesyje, o dicka të tillë atë mbrëmje ishte e rrezikshme, nëse të godiste një fishekzjarr.

Po nxënësit, shkollat, studentët si e festonin?

Në shkolla, gjimnaze, liceun artistik, universitete festohej para se ato të mbylleshin, dhe konviktorët e studentët të largoheshin. Gjithcka e improvizuar, ku kërcehej me muzikë që sigurohej me magnetofonë, kush mundej të kishte një të tillë. Nga ato me shirita tek ato me kaseta që u futën dhe patën përdorim në fillim të viteve 70-të.

Televizioni, një program për të gjithë?

Të ulur në tavolina, para televizorëve “Butrinti”, “Iliria”, Dajti”, të gjithë ndiqnin “Koncertin e Madh të Vitit të ri” një program me këngë të muzikës së lehtë, popullore, humor, valle popullore, nga e gjithë Shqipëria. Me këngëtarët nga Vace Zela, Tonin Tërshana, Bashkim Alibali, Agim Krajka, etj, etj, te humoristët e njohur, Tano Banushi, Skënder Sallaku, Met Bega, Zef Deda, Fadil Hasa, trupat e estradave të Tiranës, Shkodrës, Fierit, Durrësit, parodistët e Vlorës, të cilin televizioni shqiptar e përgatiste që në shtator. Jepej i regjistruar më 31, 1 dhe 2 janar, duke filluar pas revistës televizive, ora 20.30, dhe vazhdonte deri në orën 2 pas mesnate. Mbyllja bëhej me natën finale të Festivalit të Këngës, ritransmetim, një film o numra cirku. Nuk kishte fjalim përshëndetës nga udhëheqësi i shtetit. Po kështu edhe radioja.

Ndiqej edhe Koncerti i Vjenës?

Me 1 janar, në orën 12.00, nga kanalin italian Rai 1, jepej Koncerti I njohur i Vjenës. Ndiqej me shumë interes nga kryeqytetasit, që e prisnsin në atë orë. Pas 1973, shkëputjes së kanaleve televizive italiane, lejohej hapja e sinjalit, i cili pritej menjëherë pas përfundimit të koncertit. E frekuentuar ishte shëtitja në bulevard, ose në Rrugën e Dibrës e njohur si Broduei i Tiranës, kur koha ishte e mirë, paraditen dhe në mbrëmjen e 1 e 2 janarit.

Një Tiranë me shumë lokale për një natë feste?

Eshtë festuar kudo, në shtëpi, lokale, me Kursalin, Internacionalin, Vollgën, Lidhjen e Shkrimtarëve, pranë Teatrit Popullor, Shtëpinë e Oficerave, Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Pastaj Hotel “Dajti”. Them deri në vitet 70-të, kanë qenë ndër lokalet më të preferuara për qytetarët.

Hotel “Dajti”, ballo e muzikë perendimore

Hotel “Dajti”, me një mjedis madhështor, sallat gjigante, luksoze, hollin-sallon modern, restorantin krijonte një mundësi të madhe dëfrimi, që garantonte mbi 250 persona gjatë natës së Vitit të Ri. Aty gatuhej shumë mirë dhe ushqimi ishte cilësor. Në mjedisin e brendshëm vendoseshin dy pemë të larta të zbukuruara, njëra në hollin kryesor dhe tjetra në sallën e madhe, ku edhe vallzohej. Pijet ishin të të llojeve të huaja e shqiptare të cilësisë së parë, tregtoheshin paketa cigare të markave të huaja, ndërsa orkestra ishte ajo e tavernës që ekzekutonte muzikë perendimore, këngë ruse, lindore të kohës, por edhe italiane, franceze, etj.

Më shumë të huaj apo jo?

Fillimisht aty shkonin kryesisht të shkolluarit në perëndim, familje mjekësh, inteletualësh, sportistë të njohur, fëmijët e udhëheqësve të lartë, artistë, pedagogë, ushtarakë, zyrtarë e pushtetarë, shkrimtarë, kompozitorë. Por edhe specialist të huaj, si ata jugosllavë, rusë, të vendeve lindore, të pranishëm këtu për ndërtimin veprave të 5-vjecarëve. Pa dyshim diplomatë.  Viti i Ri pritej si eveniment edhe për faktin se të krijohej mundësia për t’u takuar, njohur me të huaj Deri para prishjes me Lindjen, rreth viteve 61’, fluksi ka qenë i madh.

Një franceze, balerinë e asaj nate?

Ajo që kujtohet ishte Zonja Karmon, e njohur jo vetëm si gruaja e Paskal Karmon, Sekretarit të Parë të ambasadës franceze, por për elegancën, veshjen e saj moderne, kryesisht prej lëkure. Po kështu edhe gratë, vajzat e zyrtarëve të ambasadave perendimore, studentëve të huaj që studionin në universitetet tona. Një argëtim që vazhdonte deri në orët e para të mëngjesit. Frekuentimi intensiv i “Dajtit”, vijoi deri pak pas viteve 70-të, kur edhe filloi survejimi agresiv i të huajve, shqiptarëve, etj.

Në lokal, me prenotim një muaj përpara

Ndonëse pati një frenim festimi i natës së Vitit të Ri, sidomos në mesvitet 70-80-të si pasojë e situatave të tensionuara politiko-ekonomike-kulturore dhe jetës sociale të kufizuar, rikthimi tek nata dëfryese e fundvitit në një restorant nisi të funkionojë. Të kaloje natën e Vitit të Ri në një lokal si Vollga (Drini), Arbana, Arbëria, apo Rinia, ishte privilegj, pasi jo të gjithë i kishin mundësitë. Për të siguruar një tavolinë, për atë natë, duhej të bëje një prenotim në ditët e para të dhjetorit, pranë administratës së hotelit.

Hotel Tirana, dikur 15 katëshi më i pëlqyeri?

Në Tiranë, frekuentohej kryesisht 15-katëshi, i përuruar në vitin 1979, ku të gjithë vraponin aty. Nëse nuk arrije të siguroje, duhej nxituar tek restorantet e tjera. Me një pemë të madhe të vendosur në qendër, mbrëmja fillonte në orën 9.00, dhe familjarët vinin të veshur me arsenalin më të mirë, duke e konsideruar si një natë luksi atë mbrëmje. Cmimi varionte nga nga 600 lekë personi dhe 1200 lekë cifti. Të restorantet e tjera, vlera e një nate e Vitit të Ri, shkonte në 450 lekë me një menu me të zakonshmet, antipasta, pastaj pulë ose pilaf me gjel, bërxollë me patate, një shishe verë, birrë ose raki dhe ëmbëlsira në fund. Cigarja pihej në pufundësi.

Orkestrat, muzikë por e kontrolluar, vetëm ajo që lejohej?

Orkestra, ishte ajo e tavernës, ndërsa në restornatet e tjera përbëhej nga instrumentë të njohur të kryeqytetit. Ajo e dinte mirë repertorin, me një programin e kontrolluar më parë, me muzikë të lehtë shqiptare, pak të huaj, jo këngë kushtuar Partisë, shpesh edhe me një këngëtar o këngëtare. Pastaj vallzim, me tre kërcime, një pauz, sërish tre kërcime, kështu vijohej. Ora 24.00 fikeshin dritat, përplaseshin gotat dhe një puthje në faqe, pastaj dalja jashtë për të parë fishekzjarret. Më pas organizoheshin edhe lojra-llotari me prezantues, aktorë të njohur si Vilson Gjoncaj dhe fituesit merrnin një dhuratë. Qëndrimi në restorant vazhdonte deri në orët e para të mëngjesit.

Po në qytetet e tjera

Kujtoj Durrësin, “Vollgën”, “Adriatikun”, ku është festuar, sidomos nga të huajt, kryesisht marinarët e anijeve, që ndodheshin aty atë fudnviti. Muzikë e kohës, vallzim, argëtim i madh. Orkestra përbëhej me instrumentisë durrsakë shumë të njohur. Kjo rreth viteve 60-të më shumë.

Politikanët, byroistë e deputetë, si e festonin atë natë?

Në vitet 50 60-të, festa e Vitit të Ri për byroistët, qveritarët organizohej në Pallatit të Brigadave. Pastaj në bllok. Kujtoj që në orët e asaj nate, ajo ishte zona, ku mbizotëronte errësira, një heshtje e thellë, gjithcka e ruajtur me ushtarë. E nesërmja shoqërohej me vizitat tradicionale brenda bllokut, me ato në familjet e dëshmorëve. Deputetet, ishin njerëz që pak niheshin, jo si të sotmit. Festonin në shtëpitë, familjet e tyre, pak në restorante. Në përgjithësi i kushtëzonte qëndrimi në mjedise publike.

Po fëmijët e tyre ku e kalohej Viti i Ri?

Kujtoj mirë që një natë të Viti i Ri, në restorant “Arbëria”, pas mesnatës erdhi djali i ish-k/Ministrit asokohe, me miqëtë e tij dhe drejtori me shpejtësi i rregulloi një tavolinë. Dukeshin që kishin pirë. Pas pak, ndërsa një burrë po kërcente me një gotë vere mbi kokë sic ndodh shpesh në kërcimet popullore, papritur një mollë fluturoi drejt gotës, por pa e prekur. Situata u kthye në humor pasi, duke vijuar kërcimin, mbajtësi i gotës së verës, iu drejtua atij, duke bërë një gjest me dorë, pas të cilës plasi e qeshura. Ndërkohë, reagoi drejtori që dicka foli me të. Vite më vonë e kam takuar ish-djalin e K/Ministrit dhe kur ja kujtova, m’u përgjigj se nuk mbante mend asgjë.

1 janar, vizitat lodhëse, ardhja në shtëpi e njeriut të parë?

Dita e parë e Viti i Ri, 1 janari, me pak njerëz në qarkullim, gjithcka e mbyllur, asnjë bar i hapur, dhe që familjet në atë start vendosnin kalendarin vjetor në mur, një format standart, por ndryshonin vetëm pamjet, i prodhuar nga MMS“Hamit Shijaku“-Tiranë. 20 lekë kushtonte. Për të ardhur te vizitat cfilitëse nga ato familjare, të fqinjve që fillonin në atë mesditë. Rëndësi kishte njeriu i parë që vinte për vizitë, që sipas fjalëve, ishte ai që do të përcaktonte fatin e mirë ose jo të familjes për atë vit.

Dhe fëmija e parë, tjetër ngjarje e bujshme apo jo?

Fëmija e parë që lindte në orët e para të Vitit të Ri, për maternitetin, familjen, deri edhe në TVSH, që nuk mungonte me emisionet e lajmeve, ishte një ndër informacionet kryesore e të rëndësishme. Me 3 janar e gjithë Shqipëria, kudo, në cdo skaj të saj i rikthehej punës, ritmit ditor, javor, normalitetit. Vetëm nëse qëllonte e dielë. Përjashtim bënin shkollat, arsimi: Në vitet 70-të, ai fillonte një ditë pas Shpalljes së Pamvarësisë që ishte ditë pushimi, pra më 12 janar, ndërsa më vonë, ishte 5 janari dita e rikthimit të studentëve, nënësve, mësuesve në bankat e shkollës./ NGA UVIL ZAJMI



6 Comments

  1. Vdekshin idiotët, patronazhistët, parazitët, dembelat dhe neokomunistët. thotë:

    Pamja në foto, është në familjet e pasura të asaj kohe, kolltuqe, telefon kishin shumë shumë pak individë edhe në 1990, jo më në 1972.

  2. Pamja ne foto ishte jo vetem tek intelektualet, ku kishte edhe me mire (filmat e kohes jane me realiste), ndersa telefon fiks ne Tirane kishin mjaft familje. Fakti eshte qe Tirana kishte numra 4 shifrore qe nga vitet ’60.

    Kujtimet jane gjithnje subjektive dhe jo pergjithesuese, por shoqeria ishte me e paster, me më pak dallime midis shtresave, jo bipolare, egzibicioniste dhe hipokrite si 20 vitet e fundit.

    Sheshi Skenderbej dhe shiu i fishekzjarreve nuk jane e gjithe Shqiperia…

  3. Artikullshkruesi ose esht i ri lindur reth viteve 90 ose ne paste jetuar ate kohe eshte nje nostalgjik i asaj kohe.Fotoja e vendosur ne krye te artikullit eshte marre ne nje familje te parise se kohes,qe nuk mund te ishte me shume se 10% e popullates. Zotria a zonja ,te me falni se edhe mund ta ngateroj nga emri ka patur priviligjin ( nese ka lindur ne kohen e Dulles) qe prindit i kane vene nje emer jo te pranushem per kohen duhet te beje nje kalkulim te vogel se sa ishte popullsia ne Shqiperi dhe se sa jetonin ne Tirane .Edhe sikur te gjithe tiransit te “gezonin” ato qe shkruhen ne kete artikull pictura nuk eshte kaq e ndritshme.Imagjinoni se deri ne 90 ne fshat jetonin 70% e gjithe popullsise qe nuk kishin buke te hanin.Po qytetet e vogla qe ishin njelloj si fshatrat vetem me nje ndryshim te vogel kishin rrugen te asfaltuar gjer ne qender ( jo rruget e lagjeve) dhe tre- kater pallate qe mund ti shihni ende sot,me tulla e te pa suvatuara.Me vin keq kur femija im (i lindur pas 90 me thote pse ankohemi per ate kohe se nuk kini jetuar keq duke me treguar pikturen e mesiperme.Shikoj jo vetem kete artikull por edhe ne nje pjese jo te vogel te popullsise qe ate diktature qe shkateroi vendin por me kryesorja njeriun te harrohet kaq shpejt e mos i thuhet e verteta brezave qe linden pas saj.Nese do kisha mundesi do vija vetem nje fotografi nga exodi i shqiparevet drejt Italise me rrenien e komunizmit .Shihni ato fytyra e krahasohini me ato te cdo vendi perendimor.Ne ishim kavje ne nuk ishim humans

  4. Mama mia mama mia çburra kishte shqiperia, legena dhe patriot qe smunden te dilnin me not , sepse ishin kote , ja fusnin babes vet vetem te jetonte partia dhe KARI Enver, tani i shkerllen ed palla

  5. “[N]jë ditë pas Shpalljes së Pamvarësisë që ishte ditë pushimi, pra më 12 janar” … ndoshta e Pamvarësisë së autorit prej leximit apo trurit!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *