• |
ide | kryesore

Ekspertët amerikanë: Moment kritik për Kosovën 15 vjet pas pavarësisë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Ekspertët



Ekspertët amerikanë thonë se duke konsideruar gjendjen e viteve ’90, kur Kosova vuante pasojat e shtypjes së skajshme nga Serbia dhe krimeve ndaj njerëzimit, vendi ka shënuar arritje të rëndësishme.

“Duhet të ndalemi një moment dhe të vlerësojmë faktin që miliona kosovarë jetojnë në një vend të pavarur dhe mund të përcaktojnë vetë fatin e tyre politik”, – thotë për Zërin e Amerikës Prof. Williams nga Universiteti Amerikan. 

“Pavarësia në vetvete ka qenë një sukses”, thotë Prof. Serwer, nga universiteti “Johns Hopkins”. Por ai shton se ajo që nuk është realizuar është vendosja e sovranitetit.

“Një pjesë e problemit është kontrolli i vazhdueshëm i Beogradit mbi popullsinë serbe në Kosovë që kufizon sovranitetin e Kosovës. Dhe një pjesë e problemit është dështimi për të fituar njohjen universale të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. Dhe pikërisht këtu ngrihen çështjet aktuale”, thotë zoti Serwer për Zërin e Amerikës. 

Prof. Williams thotë se historia është një proces i papërfunduar, gjithmonë duke u negociuar.

“Shihni se çfarë po ndodh në Ukrainë për momentin. E shikoni se çfarë po ndodh në Sudan dhe vende të tjera. Kosova po bën të njëjtën luftë si pothuajse çdo vend tjetër në faza të ndryshme të zhvillimit të tij politik dhe historik”, thotë Prof. Williams.

15-vjetori i pavarësisë vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja e kanë intensifikuar angazhimin diplomatik për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Por dy ekspertët thonë se nuk është e qartë se ku konsiston normalizimi sipas pikëpamjes së perëndimit. Ata thonë se ai duhet të përfshijë njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Kosova është një vend i pavarur, Serbia mund të ndajë mendimet dhe idetë e saj, por nuk ka të drejta dhe privilegje të veçanta në Kosovë dhe bashkësia ndërkombëtare mund të ushtrojë shumë masa presioni mbi Serbinë, dhe duhet ta bëjë një gjë të tillë jo vetëm për marrëdhëniet me Kosovën, por edhe atë që po bëjnë me Grupin Wagner dhe lidhjet e tyre me Rusinë”, thotë Prof. Willams.

“Është një lloj diplomacie ku përdoret më shumë ndikimi që ke ndaj miqve, sesa trysnia ndaj kundërshtarëve, duke u ofruar gjithçka që mund të përfitohet gjatë normalizimit që në fillim, si për shembull Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Por Kosovës po i ofrohet shumë pak me sa kuptoj unë dhe po ushtrohet shumë presion ndaj Kosovës, gjatë kësaj periudhe. Nuk e di se si do të funksionojë kjo”, thotë zoti Serwer.

Prof. Williams thotë se shpesh një shtet i fuqishëm ushtron presion mbi shtetin më të dobët për të marrë një “PO”, për të arritur tek një marrëveshje.

“Dhe ushtrohet trysni ndaj miqve dhe aleatëve, edhe nëse ata janë më të dobët, sepse kjo është më e lehtë për t’u arritur sesa të ushtrosh presion ndaj një kundërshtari. Jam i befasuar që Shtetet e Bashkuara po e bëjnë një gjë të tillë, pasi nuk ka funksionuar në rastin e ish-Jugosllavisë, nuk ka funksionuar në aq shumë vende anembanë globit”, thotë ai.

Një nga pikat kryesore tek e cila po këmbëngulin Shtetet e Bashkuara, është krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, por që kryeministri i Kosovës ka thënë që bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

“Ajo që duhet bërë, është që të përgatitet një propozim që Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe të zbatohet vetëm pas njohjes së Kosovës nga Serbia. Të përgatitet një propozim që përfshin garanci amerikane dhe evropiane, që ata i kanë ofruar në shkrimin e tyre, por nuk e kanë ofruar në dokumentin diplomatik”, thotë zoti Serwer duke iu referuar opinionit të botuar në mediat e Kosovës dhe Serbisë nga Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Por analistët thonë se Kosova nga ana e saj duhet të ndërmarrë një rol proaktiv lidhur me procesin, në mënyrë që të përfitojë nga fakti që diplomacia perëndimore por përqendrohet tek kjo çështje.

“Kosova mund të përfitojë në mënyrë strategjike nga kjo vëmendje e ripërtërirë nga Uashingtoni dhe Brukseli, duke vënë në pah planin e saj dhe një vizion gjithëpërfshirës për të ardhmen. Pra të kalojë nga çështja si ajo e targave, e cila është shumë taktike dhe shumë lokale, në paraqitjen e një plani strategjik që Uashingtoni dhe Brukseli të mund ta shohin si vizion të udhëheqjes së Kosovës për stabilitet afatgjatë në rajon”, thotë Prof. Williams.

Ai shton se duhet përfituar nga roli drejtues i Uashingtonit jo vetëm për të zgjidhur çështjen e vogël të Asociacionit por duke paraqitur një paketë gjithëpërfshirëse, me të gjitha çështjet.

“Pra, kur amerikanët thonë se po japin garanci, le t’u kërkojnë amerikanëve që këto garanci të jepen me shkrim, t’i shprehin ato publikisht në nivelin më të lartë. Për shembull një nga kushtet të jetë pesë vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën, ta njohin atë. Nuk mund të thuash thjesht ‘JO’. Mund të thuash ‘PO’, por ja tre gjëra që duhet të sigurohemi që të plotësohen”, thotë ai.

15-vjetori i pavarësisë së Kosovës përkon edhe me 1-vjetorin e një konflikti tjetër në Evropë, me agresionin rus në Ukrainë, një çështje që jo vetëm ka tronditur paqen botërore, por ka pasur pika takimi edhe me procesin Kosovë-Serbi. Analistët e shohin qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së si një mënyrë për ta bindur Serbinë që të ndjekë rrugën e Perëndimit dhe jo atë të Rusisë.

“Amerikanët dhe evropianët duhet të kuptojnë se është koha që Serbia të marrë një vendim: ose të angazhohet me Perëndimin, të përqafojë plotësisht vlerat perëndimore të amerikanëve, të Bashkimit Evropian, ose në të kundërt të angazhohet me vlerat ruse dhe të vuajë pasojat për rrugën që zgjedh. Ne vazhdojmë të presim që Serbia të marrë rrugën e saj drejt perëndimit dhe ajo e bën herë pas here, duke i mbajtur opsionet të hapura herë me Perëndimin, herë me Rusinë”, thotë Prof. Williams.

Ai shton se në vend që t’i bëjnë lëshime Serbisë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë, duhet t’i paraqesin Serbisë një plan gjithëpërfshirës dhe t’i thonë të zgjedhë, ose do të përballen me sanksione.

Në këtë dritë e sheh Prof. Serwer edhe faktin që Departamenti i Shtetit ka rënë dakord me Serbinë që diplomatë serbë të kenë pozicione koordinimi në Departamentin e Shtetit.

“Kjo dërgon një sinjal politik se Amerika po anon nga Serbia në dialog dhe nuk mendoj se Amerika duhet ta bëjë një gjë të tillë. Amerika dhe Bashkimi Evropian duhet të luajnë një rol ndërmjetësues, duke mos anuar nga Serbia”, thotë ai.

Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur se nuk do t’i ofronin kurrë Kosovës propozime që cenojnë sovranitetin e saj. Por është e paqartë se si do të vazhdohet më tej, ndërsa palët këmbëngulin në qëndrimet e tyre: Kryeministri Kurti e lidh asociacionin me njohjen, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç këmbëngul se vazhdimi i bisedimeve varet nga themelimi i asociacionit. /Marrë nga VOA



3 Comments

  1. Nderrimi i emisareve ne Ballkan eshte bere nje ceshtje e dites,sepse shihet kujdes per karrierat personale dhe jo per zgjidhje te drejte e afatgjate

    Rasti i Varlehyi, te BE, per te cilin kerkohet hetim, dekorimi i Grenell nga Vuçiç, deklaratat e paqarta te Escobar dhe paraqitja e Asociacionit si “zgjidhje”, pervec presioneve te Lajcak mbi politiken e Kosoves, jane tregues i qendrimeve per interesa te dites apo personale.

    Dikur ne ShBA ironizonin Europen e Bashkuar per mosakordimin e politikes se jashteme me shprehjen “na jepni nje numer telefonoi per komunikimet”, por sot kete po e shohim ne ShBA, permes mendimeve e qendrimeve ndaj Kosoves.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *