• |
ide | kryesore

Jeffrey Epstein u përpoq të zhvaste Bill Gates për lidhjen e tij jashtëmartesore

-Instant, Arkiva, F1, Planet



Sipas një shkrimit të Wall Street Journal, trafikanti i seksit Jeffrey Epstein ka kërcënuar Bill Gates në një përpjekje për ta shantazhuar multi-miliarderin për lidhjen e tij jashtëmartesore me një sportiste ruse.

Burime të njohura me këtë çështje thanë për Journal se pasi Epstein mësoi për lidhjen e bashkëthemeluesit të Microsoft me rusen Mila Antonova, ai kërcënoi Gates duke i kërkuar rimbursim të shpenzimeve që Epstein kishte paguar për një kurs për Mila Antonovën.

Kërcënimi i Epstein për Gates u bë me një email në 2017-n. Epstein e dërgoi mesazhin pasi nuk arriti ta bindte Gates të bashkohej me një fond bamirësie shumë miliarda dollarësh që kishte planifikuar të krijonte.

Gates u takua me Antonova rreth vitit 2010, kur ajo ishte në të 20-at, dhe vazhdoi të luante me të Bridge (lojë me letra). Në një video në YouTube të vitit 2010, Antonova rrëfeu lojën me Gates, duke thënë: “Unë nuk e munda atë, por u përpoqa ta godisja me këmbë”. 

(Bill Gates dhe Mila Antonova) 

Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Journal, Antonova donte të krijonte një kurs online të mësimit të lojës në internet dhe po përpiqej të siguronte fonde. Nëpërmjet Boris Nikolic, një këshilltar i ngushtë i Gates, Antonova u prezantua me Epstein për ta ndihmuar atë të mblidhte fonde për iniciativën e saj, e cila kërkoi të “promovonte këtë lojë duke krijuar mësime cilësore për fillestarët dhe lojtarët e avancuar”, raportoi Journal.

Antonova dhe Nikolic u takuan me Epstein në shtëpinë e tij në qytetin e Nju Jorkut në nëntor 2013, ku ajo i paraqiti propozimet e saj për mbledhjen e fondeve dhe kërkoi gjysmë milioni dollarë, sipas Journal. Antonova i tha gazetës se Epstein në fund të fundit nuk investoi në këtë iniciativë.

Megjithatë, Antonova vazhdoi të qëndrojë në një apartament në Nju Jork deri një vit më vonë. “Unë nuk kam ndërvepruar me të apo me dikë tjetër për sa kohë isha atje” tha ajo.

Epstein në një moment pagoi paratë që Antonova të ndiqte një shkollë programimi, raportoi Journal.

“Epstein pranoi të paguante”, tha ajo për median. “Asgjë nuk pati në këmbim. Nuk e di pse e bëri këtë.” 

“Kur e pyeta, ai tha se ishte i pasur dhe donte të ndihmonte njerëzit kur të mundej.” 

Gjatë kohës që Antonova po kërkonte të krijonte iniciativën e saj, Epstein po përpiqej gjithashtu të krijonte fondin e tij të bamirësisë. Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Journal, Epstein po përpiqej të krijonte fondin e tij bamirës me bankën JP Morgan. Ky fond do t’u kërkonte individëve ultra të pasur të jepnin një kontribut minimal prej 100 milion dollarësh dhe t’i paguanin atij miliona dollarë tarifa.

Fondi supozohej të ishte një mënyrë për Epstein për të rindërtuar reputacionin e tij pasi ai u detyrua të pranonte akuzën si ngacmues seksual dhe ishte deklaruar fajtor në vitin 2008 për kërkimin dhe blerjen e një të miture për prostitucion, sipas burimeve që folën për Journal.

Dokumentet e shqyrtuara nga media treguan se fondi i Epstein ishte i kushtëzuar nga marrja e mbështetjes nga Gates.

Në emailet e dërguara drejtuesve të JP Morgan, Epstein u përpoq të paraqitej si një këshilltar i ngushtë i Gates, pavarësisht se nuk përfshinte bashkëthemeluesin e Microsoft në emailet, të cilat Journal i rishikoi.

“Në thelb, ky [fond] do t’i lejojë Bill-it të ketë akses te njerëz me cilësi më të lartë, investime, shpërndarje, qeverisje pa e shqetësuar as martesën e tij dhe as ndjeshmëritë e punonjësve aktualë të fondacionit (që ka me gruan),” shkroi Epstein në një email në gusht 2011.

Dy muaj më vonë, Epstein u dërgoi një email tjetër drejtuesve të JP Morgan pasi kompania përgatiti një prezantim mbi projektin, duke shkruar, “prezantimi nuk është i përshtatur për [Bill]. Ai është i vetmi person, i vetmi që ka rëndësi.”

Duke folur për Journal, një zëdhënës i bankës JP Morgan tha: “Banka nuk kishte nevojë për të për prezantime. Duke ditur atë që dimë sot, do të donim të mos kishim punuar kurrë me të.” 

Në mënyrë të ngjashme, Journal raportoi se një zëdhënës i Gates ka thënë se “Epstein nuk ka punuar kurrë për Gates dhe ka keqinterpretuar lidhjet e tyre në komunikimet me JP Morgan dhe të tjerët”. 

Në vitin 2017, Epstein i dërgoi email Gates për Mila Antonovën pasi lidhja jashtëmartesore e Gates përfundoi, thanë për Journal njerëz të njohur me këtë çështje. Në email, Epstein i kërkoi Gates që t’i rimbursonte shpenzimet e shkollës së kodimit të Antonova.

“Toni i mesazhit ishte se Epstein kishte dijeni për çështjen dhe mund ta ekspozonte atë, thanë njerëzit”, raportoi Journal, duke shtuar se një zëdhënës i Gates tha se themeluesi i Microsoft “nuk kishte marrëdhënie financiare me Epstein”. 

Dy vjet më vonë, në vitin 2019, prokurorët federalë e akuzuan Epstein për trafikim seksual të të miturve dhe komplot për të kryer trafikim seksual. Epstein i mohoi akuzat dhe iu refuzua lirimi me kusht. Ai vdiq muaj më vonë në paraburgim në një vetëvrasje të dyshimtë.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *