• |
ide | kryesore

“Kërkesa u firmos në datë 7, por mbërriti në 10 Korrik” Nikolla ia ngec SPAK-ut vonesat për Ahmetajn

Arkiva, Lajme, Të fundit
Altin Dumani Kryesia e Kuvendit


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka bërë një deklaratë që rëndon prokurorët e SPAK në lidhje me largimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nga vendi. Ajo tha se vërtet prokurorët e firmosën kërkesën për heqjen e mandatit të Ahmetajt në datën 7 Korrik, të premten, por realisht kërkesa erdhi në kuvend të hënën në datën 10 Korrik.

“Kërkesa e SPAK se ka shumë abuzime, ka shumë abuzime u depozitua në kuvend në 10 korrik. Edhe pse mban datën 7 është depozituar në datën 10 Korrik” tha Nikolla.

Me këtë deklaratë, kryetarja e kuvendit e heq përgjegjësinë nga vetja për zvarritjen e procedurave, por lë të kuptohet se ishin vetë prokurorët që zgjodhën ta dërgojnë kërkesën të premten, duke ditur se do t’i jepnin tre ditë kohë Ahmetajt.

Lexo edhe: Kërkesa e SPAK/ Misteri i procedurave për arrestimin e Ahmetajt

Lexo edhe: Do arrestohet apo jo Ahmetaj? Skenaret sipas vendimit që merr Rama

Deklarata e Nikollës është në përputhje me versionin e Berishës, që disa ditë më parë deklaroi se SPAK kishte njoftuar Ahmetajn për kërkesën për ta arrestuar.

Mesa duket prokuroria, ose kontrollorët e saj, njoftuan Ahmetajn para se të njoftonin parlamentin për vendimin e arrestimit të tij. Shtoj këtu se për të mos e emocionuar gjatë arratisë, kërkesa e Prokurorisë Speciale ishte fshehur për tre ditë nga parlamenti i vendit” tha Berisha gjatë një konferene nga selia e PD.

Edhe në raportimin e Zërit të Amerikës për largimin e Arben Ahmetajt nga vendi thuhej se ish.zv-kryeministri ishte larguar nga dogana e Kakavijës disa orë para se SPAK të niste kërkesën për arrestim.

Zëri i Amerikës, ka konfirmuar përmes burimeve zyrtare se ai është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë, të premten paradite, pikërisht pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit, shkresën për arrestimin” thuhej në këtë raportim.

Ahmetaj është ende qytetar i lirë dhe mund të lëvizë brenda dhe jashtë vendit nëse dëshiron. Por ikja e tij nga Shqipëria disa orë para se të dilte shkresa për arrestimin e tij nga godina e SPAK, tregon se sinjalet i mori nga brenda prokurorisë. Më herët, dy prokurorë të SPAK u tërhoqën nga dosja hetimore e inceneratorëve, pasi kishin fshehur pagesat e Klodian Zotos për udhëtimet e Ahmetajt jashtë vendit.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *