• |
ide | kryesore

Video/ Halili ngre në piedestal Shehin, Deliu sfidon Besiktas: “I lumtur që do ndeshem me ta”

-Instant, Sport, Video
Halili


“Jam shumë i lumtur. Falënderoj të gjithë skuadrën, trajnerin Shehi, skuadrën, drejtorin dhe gjithë stafin që nga punëtori deri tek maja e skuadrës. Falënderoj në veçanti tifozët, të cilët i përshëndesim nga larg dhe iu them që të na mbështesin më shumë se sa na kanë mbështetur deri tani. Është një arritje shumë e madhe për klubin tonë, sepse kemi bërë blerje të reja goxha të rëndësishme, por ama është një ekip i sapondërtuar”. Refik Halili, presidenti i Tiranës është i entuziazmuar pas kualifikimit të marrë në Gjeorgji. Bardheblutë shkojnë në raundin e dytë të Conference League me suksesin 1-2 në Batumi dhe rezultatin e përgjithshëm 2-3.

“Mendoj që prurjet e reja kanë treguar vlera dhe janë futbollistë me eksperiencë të cilët zbatuan më së miri të gjitha detyrat që trajneri u kishte dhënë. Edhe unë me shumë kureshtje e kam ndjekur se çfarë do të bënin, por u duk roli i trajnerit – tha Halili, duke ngritur në piedestal Shehin.

PANKINA EDHE NJËHERË DIFERENCUESE

Ardit Deliu shënoi golin e dytë që mbylli ndeshjen dhe bëri të pavlerë pastaj golin në shtesë të Dinamo Batumi. Tirana u imponua 1-2 në transfertë, duke bërë të vlejë edhe njëherë pankinën. I aktivizuar vetëm në minutën e 73, Deliu përsëriti atë që bëri Lushkja në ndeshjen e parë: “Fituam një ndeshje shumë të vështirë. Rastësi shumë e bukur që shënuan dy lojtarë nga Kavaja, sepse unë me Regin (Lushkja) jemi të dy nga Kavaja”.

Mesfushori shënoi vetëm pesë minuta pas hyrjes në fushë, duke i cuar shifrat në 2-0 provizorisht: “Jam shumë i lumtur për golin dhe për kualifikimin. Nuk ishte e lehtë, sepse Dinamo Batumi ishte një skuadër shumë e fortë dhe e organizuar mirë. Ishte një arritje e madhe për ne”.

Lexo më tej: Video/ Lushkja e Deliu kualifikojnë Tiranën në Batumi: në raundin e dytë i pret Besiktas

Ish-lojtari i Laçit sfidon pastaj Besiktas, me të cilin Tirana do të ndeshjet në raundin e dytë të Conference League: “Është një nga skuadrat më të mëdha në botë dhe jam shumë i lumtur që do të ndeshemi me ta. Mendoj se është ëndërr për çdo lojtar nga kampionati ynë që të ndeshet me kundërshtarë të tillë”, e mbylli Deliu prononcimin për Panorama Sport.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *