• |
ide | kryesore

“Askush nuk futet në lojë i mundur”: Shehi sfidon Besiktas dhe thërret në ndihmë… Abazaj

-Instant, F1, Sport, Video
Shehi



“Në një ndeshje futbolli ka favorit dhe jofavorit. Sigurisht që jemi të vetëdijshëm që në këtë ndeshje nuk jemi ne favoritët. Por deri diku jemi sfiduesit. Por mendoj se në një ndeshje futbolli, çdo skuadër ka shanset e veta. E me këtë koncept do të futemi nesër në fushë”. Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, i jep kreditet Besiktas, por nuk zbret në fushën e Stambollit i dorëzuar. Bardheblutë, në raundin e dytë të Conference League, do të luajnë në transfertë me gjigantin turk. Para gazetarëve një ditë para ndeshjes, Shehi theksoi qartë llojin e ndeshjes që pret nga të tijtë. “Shpresojmë që situatat që do të na paraqiten t’i vlerësojmë siç duhet. E të jemi vigjilent për të marrë më të mirën e këtyre momenteve. Futbolli vendoset edhe nga momentet. Por duhet të jemi ata që duhet të jemi, pa ndryshuar fytyrën dhe personalitetin në varësi të situatave që mund të kemi në favor apo jo”.

FORMACIONI

Skuadra që doli fituese në Batumi, në kthimin e raundit të parë, dha garanci mbi mënyrën e lojës që Shehi beson se mund të luajë edhe kundër Besiktas. Në këtë pikë, gjërat mund të mos ndryshojnë shumë: “Në këto ditë e kemi ndarë në kokën tonë se kush mund ta fillojë nga fillimi. I qëndroj asaj që kam thënë që në fillim se duke pasur shumë lojtarë në dispozicion, pak rëndësi ka kush e nis nga fillimi. Por do të jetë i afërt me atë formacion të ndeshjes së fundit”.

Lexo më tej: Video/ Lushkja e Deliu kualifikojnë Tiranën në Batumi: në raundin e dytë i pret Besiktas

NOSTALGJI E EKSPERIENCË

Eksperienca e përballjeve me turqit të ndonjë elementi bardheblu, përfshirë trajnerin, mund të ndihmojë në këtë rast. “Kam pasur përballje me Besiktas kur luaja ende futboll me Skënderbeun. E vërtetë që qasja është komplet tjetër se pozicioni ndryshon, përgjegjësia ndryshon. Unë mendoj se përballja me këtë kundërshtar, edhe e disa lojtarëve si Abazaj që e kanë përjetuar, i ndihmon në interpretimin e ndeshjeve në të tilla ambiente – tha Shehi, që shtoi -. Ne këtu vijmë për të luajtur futboll në raundin e dytë, që çdo skuadër kërkon ta kalojë. Asnjë skuadër, trajner apo lojtar nuk hyn në betejë i dorëzuar. Hyn në betejë gjthmonë për të kërkuar maksimumin e të dalësh nga ndeshja me idenë që dha maksimumin. Pastaj çfarë prodhon fusha e lojës, ajo është tjetër gjë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *