• |
ide | kryesore

Kush ishte Yevgeny Prigozhin/ Kuzhinieri i Putin që u bë armiku i tij

Arkiva, Lajme, Të fundit
Yevgeny



“Ai është thjesht një qytetar, që nuk përfaqëson shtetin”. Me dinakëri dhe buzëqeshje ironike, para një salle të mbushur plot me gazetarë, Vladimir Putin në korrik të 2018-ës foli për të parën herë për kreun e mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin. Atë ditë në Helsinki, Presidenti rus sapo kishte takuar Donald Trump dhe ai kishte shumë arsye për të qenë në humor të mirë, teksa mohonte përfshirjen e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane. Në krahun tjetër Presidenti amerikan sapo e kishte nderuar duke e quajtur një “konkurrent brilant” dhe sapo kishte thënë se ai u besonte mohimeve të tij “shumë të fuqishme” për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane më shumë sesa raportet e CIA-s.

Kështu, për herë të parë dilte në publik, Cari i ri, i quajtur Yevgeny Prigozhin. Ish-kuzhinieri dhe pronari i njohur i restoranteve në Shën Petersburg, i cili akuzohej për menaxhimin e një ekipi hakerësh, të cilët kishin punuar shumë për të denigruar Hillary Clinton gjatë garës së saj presidenciale përballë Trump.
“Ai nuk përfaqëson shtetin rus”, përsëriti sërish kreu i Kremlinit, duke folur për mikun e tij të vjetër, i cili në Rusi njihej si “kuzhinieri i Putinit”, pasi zotëronte një kompani kateringu që i shërbente pallatit presidencial. “Është një çështje private që nuk na përket neve. E dini, ka shumë njerëz, si Soros, që përzihen kudo. Por është pozicioni i një individi të vetëm. Vetëm kaq”, shtonte më tej Putin.

5 vjet më vonë, e kemi ende të freskët atë shprehje tipike të KGB-së, me Putin që donte të mohonte çdo përfshirje të Kremlinit në punët e brendshme të SHBA-ve. Prigozhin u kthye në një qytetar privat. Njeriu që grumbulloi një pasuri në mensat e shkollave dhe ushtrisë, i cili zotëron restorantet e Petersburgut ku Putin darkonte me udhëheqës të huaj, përjetoi një rritje të paprecedentë gjatë vitit të kaluar.

Krijesa e tij, milicia mercenare e grupit Wagner, nuk ka qenë asnjëherë ndërmarrje private. Prigozhin e modeloi atë në Blackwater, agjencia e diskutueshme që trajtonte sigurinë në Irak në emër të Departamentit të Shtetit të SHBA. Me një këmbë në institucione dhe një tjetër jashtë, sepse fjala mercenar është gjithmonë turp. Në Siri, Wagner ishte i paçmuar për Putinin, sepse prania e tij, e menaxhuar dhe e koordinuar nga GRU dhe Ministria e Mbrojtjes, i lejoi Kremlinit të luante me numrat duke mohuar shkallën e humbjeve ruse të dislokuara për të mbrojtur regjimin e Asadit. Kur vdesin, mercenarët nuk janë fëmijët e askujt.

Por Operacioni Special Ushtarak dhe rezistenca e papritur e Ukrainës i përmbysën këto trillime. Prigozhin dhe Wagner-ët e tij u gjendën në një pozitë të vështirë. Në nivel zyrtar, ato nuk ekzistojnë, edhe nëse Duma miratoi disa ligje që e bënin më të lehtë rekrutimin. Në të njëjtën kohë, njerëzit e tij mbanin peshën e luftës në front, me humbje dhe pakënaqësi gjithnjë e më të dukshme.

Nuk duhej të shkonte kështu, nuk duhej të bëhej një konflikt i gjatë. Në fund, gjithçka përfundoi në këtë mënyrë. Prigozhin nuk është një politikan që di kur të heshtë. Ai vjen nga rruga. Ai ishte 20 vjeç kur u dënua me 13 vjet burg në Leningradin e atëhershëm. Pasi kreu 9 vite dënim, në vitin 1990 ai ngriti një stendë hot dog-ësh me njerkun e tij me të cilin bëri rublat e para. Më pas hapi një kazino, një zinxhir dyqanesh ushqimore dhe më në fund hapi restorantin e tij të parë, “Dogana e Vjetër”. Pastaj një varkë lumi u shndërrua në një vend takimi luksoz, «New Island».

Putini çoi atje për të drekuar presidentin francez Shirak, presidentin amerikan Bush dhe presidentin japonez Mori. Nga ajo pjesëmarrje lindi vazhdimi i historisë, fabrika e trolleve online dhe grupi privat Wagner i punësuar për aksione “të pista” në Siri, Libi, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Ukrainë. Një personazh i tillë, më i rehatshëm në xhaketën ushtarake sesa xhaketën sportive, është e vështirë të mbahej larg dhe nën kontroll. Shtoni pastaj edhe megalomaninë.

Në fillim të prillit të kaluar, kur u bë e qartë se Operacioni Ushtarak Special nuk ishte sigurisht një marshim triumfal, ai sulmoi drejtpërdrejt Dmitry Peskov, zëdhënësin e Putinit. Rastësisht, 10 ditë më vonë, ndërsa Kremlini mbuloi praninë e Wagnerit në Ukrainë, Prigozhin, i cili kishte kaluar vite duke mohuar çdo lidhje me grupin mercenar u fotografua me ushtarët e tij, i veshur me kamuflazh në Donbass, pranë një deputeti shumë besnik të Putinit.

Vetëm për ta bërë mesazhin më të qartë. Që atëherë, çdo ditë një sulm ndaj udhëheqjes së Forcave të Armatosura dhe ndaj Ministrit të Mbrojtjes Sergej Shoigu. “I paaftë, burokrat, i paaftë”, ishte refreni i Prigozhin gjatë atyre muajve. “Fajtor për tradhti të lartë sepse nuk dërgojnë municion të mjaftueshëm”, shprehej ai, deri në atë pikë sa mediat shtetërore morën udhëzime nga lart për të mos ia publikuar deklaratat.

Më 24 nëntor të vitit të kaluar, në përgjigje të kërkesës së Parlamentit Europian që grupi Wagner të përfshihej në listën e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian, ai tregoi një kuti violine që përmbante një çekiç dhe gjurmë gjaku si “dhuratë” për deputetët evropianë. Dyshohet se arma ishte ajo me të cilën u masakrua një mercenar dezertues, një ekzekutim i publikuar në një video që ngjalli tmerr në mbarë botën.

Këto teprime dhe figura e rëndë e themeluesit, duket se janë në origjinën e forcimit të Wagner-it dhe 50 mijë burrave që ai pretendon se ka dërguar në vijën e frontit në Ukrainë. Rebelimi ndaj Kremlinit ishtefillimi i fundit të tij. Shëmbëlltyra e Prigozhinit kishte nisur të merrte një prirje rënëse kohët e fundit dhe shpërthimi i tij kundër Moskës ishte diçka që pritej. Me kalimin në Bjellorusi u duke se u fal, por mesa duket Kremlini nuk harron… ©LAPSI.al



2 Comments

  1. një ish-sekretar partie për 25 vite me radhë, që e shfrytëzoi në mënyrën më të keqe Partinë Demokratike, duke i marrë asaj gjithçka dhe, në këmbim, duke mos i dhënë asgjë, duke shkatërruar shtetin në favor të pushtetit, duke përdorur nga metodat më të poshtra dhe më të pamoralshme për të zbuar të gjithë intelektualët dhe duke e udhëhequr me një grusht injorantësh rreth vetes,klani mafioz Trusti i Geshtenjave ka dore ke ky krim

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *