• |
ide | kryesore

“Dita e Gjykimit” për Kombëtaren e teknikun Sylvinho: kundër Polonisë për vendin e parë në grup

-Instant, F1, Sport
Sylvinho



Me Republikën Çeke që rri të vështrojë, direkt e interesuar, përballjen në Arenën Kombëtare, Shqipëria kërkon vendin e parë në Grupin E kualifikues për Euro 2024. Kundër Polonisë nuk marrim pikë prej gati 40 vjetësh, fitorja e vetëm është e vitit 1953, por duhet një fitore për të konfirmuar pretendimet e ngritura pas gjysmës së rrugëtimit europiane. Në Varshavë u dënuam nga një episod, që më tepër ishte dhuratë e prapavijës se meritë e vecantë e formacionit të Fernando Santos. Tekniku portugez fitoi duelin e parë me brazilianin Sylvinho, por aty e pa qartë se kolegu i pankinës kundërshtare ka shumë për të treguar. E provoi Çekia e Silhavi, e sulmuar befasisht në minutazhin e saj më produktiv. E tregoi Moldavia, që pas 2-0 në Tirana shkoi e mundi polakët e barazoi me çekët.

E megjithatë, sonte në mbrëmje në orën 20.45 në “Arena Kombëtare”, Sylvinho duhet të tregojë se është trajneri i aftë ta bëjë Shqipërinë të kapërcejë në nivel. Kemi dështuar rregullisht, që nga Euro 2016, në takimet vendimtare. Polonia na ka dhuruar gjithnjë kujtime të hidhura, si fitorja e fundit në Tiranë, që na la jashtë Botërorit. Me Qazim Laçin KO për shkak të gjendjes gripale e me Keidi Baren me shqetësime muskulore, kundër Polonisë Sylvinho nuk do të ndryshojë asgjë në mesfushë. E megjithatë, prekjet në mbrojtje e sulm braziliani i ka planifikuar.

STËRVITJA E FUNDIT

Bare u stërvit i diferencuar, por sidoqoftë do të jetë në dispozicion të teknikut Sylvinho. Braziliani, në seancën e fundit stërvitore, e ka ndarë grupin në dy pjesë. Formacione të përziera me prapavijën titullare të vendosur kundër ofensivës titullare. Atmosfera në skuadër është pozitive dhe lojtarët janë të karikuar për të marrë një fitore në “finalen” me Poloninë. Ndeshja mund të vendosë shumë për fatet e kualifikimit në Grupin E eliminator, por kjo vlen edhe për polakët.

FORMACIONI

Sylvinjo që në Pragë e kishte ndërtuar një strategji për të kursyer energji dhe për të mbajtur ndonjë të freskët për Poloninë. Uzuni e Balliu mund të jenë vetëm dy prej tyre. Beratasi i Granada ka ndezur motorët për krahun e majtë të sulmit, aty duke marrë vendin e Seferit. Të paktën nga fillimi, Cikalleshi duhet të jetë në qendër të sulmit, me Asanin në të djathtë. Gjasula mund të fusë në mendime brazilianin. Por me një Ramadani në këtë formë, treshja e gjitha Serie A me Bajramin e Asllanin duket e rikonfirmuar. Ai që rrezikon në prapavijë është Hysaj, me Balliun që qendroi në pritje në Pragë.

SYLVINHO ME SHPIRT E ZEMËR

Tekniku i kombëtares Sylvinho e di mirë se luan një ndeshje vendimtare, nga ato në të cilat nuk kemi kujtime të bukura. Kjo është edhe arsyeja që braziliani kërkon nga skuadra të vendosin zemrën në fushë: “Të gjithë lojtarët hyjnë në fushë për të fituar, e gjithë skuadra përpiqet. Nga ana tjetër është edhe kundërshtari. E ndodh që edhe mundesh. Duhet të hyjmë në fushë me zemër e shpirt por edhe të përgatitemi mirë për ndeshjen. Ata kanë një skuadër të fortë teknikisht me lojtarë të nivelit të lartë, kanë trajner me eksperiencë. Por unë jam i kënaqur me skuadrën në gjysmë të rrugës. Kemi 4 edhe ndeshje”.

SANTOS ME FRIKËN E HUMBJES

Një fitore për të kthyer në garë të plotë për kualifikimin. Polonia ka mbërritur me këtë synim në Tiranë, duke i thirrur në kujdes fushatës së Botërorit kur kaluan me sukses në Arenën Kombëtare. Megjithatë, tekniku Fernando Santos e ka të qartë se është një ndeshje tjetër, në të cilën të dy formacionet futen për të fituar. Diferenca mes dy skuadrave pas kompletimit të gjysmës së rrugëtimit është me kuqezinjtë një pikë më shumë.

Lexo më tej: “Nuk kemi asnjë problem përbrenda”: Santos sfidon Shqipërinë, por mendon edhe humbjen

Polonia është e kuptueshme që kërkon të fitojë, por nuk është se nuk e ka menduar se mund të dalë e humbur nga kryeqyteti shqiptar: “Jemi në futboll, aty gjithmonë dikush fiton e dikush humbet, është normale. Edhe humbja është pjesë e lojës. Por nëse ne do të fitojmë, atëherë do të shohim në ndeshjet e radhës vetëm veten tonë. Ndërsa nëse humbasim, do ta kemi mendjen edhe te skuadrat e tjera, do të varemi nga ata”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *