• |
ide | kryesore

Putin: Sapo kemi testuar me sukses raketën me energji bërthamore

Arkiva, Lajme, Të fundit
bërthamore



Rusia njoftoi se ka kryer një “provë përfundimtare të suksesshme” të një rakete me energji bërthamore. Pohimin e bëri vetë Vladimir Putin që reagoi pas një komenti të zëdhënësit të tij që hodhi poshtë një raport të New York Times për testimin e armës së njohur me emrin “Burevestnik”.

Arma eksperimentale, e zbuluar për herë të parë në vitin 2018 çthuhet se ka një rreze potencialisht të pakufizuar. Dihet pak për aftësitë e një rakete të tillë ndërsa raportohet se testet e mëparshme kanë dështuar. BBC thotë se deklaratat e Presidentit Putin nuk kanë qenë e mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur dhe se nuk ka pasur asnjë fjalë deri më tani nga ministria ruse e mbrojtjes.

Megjithatë, imazhet satelitore që qarkulluan muajin e kaluar treguan se Rusia kohët e fundit kishte ndërtuar objekte të reja në një bazë të largët të ishullit Arktik, ku më parë ishin kryer testet bërthamore sovjetike.

“Tashmë kemi përfunduar praktikisht punën për llojet moderne të armatimit strategjik për të cilat kam folur dhe për të cilat kam dhënë detaje disa vite më parë”, – tha Putin në një takim në vendpushimin e Detit të Zi të Soçit të enjten, i cili u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror. “Është zhvilluar një test përfundimtar i suksesshëm i Burevestnik, një raketë me fuqi bërthamore me rreze globale” – tha ai.

Raketa, me emrin e koduar “Skyfall” nga NATO, thuhet se merr fuqi nga një reaktor bërthamor, i cili supozohet se aktivizohet pasi përforcuesit me lëndë djegëse të ngurta e kanë ngritur atë në ajër. Por “New York Times” citoi “Iniciativën e Kërcënimit Bërthamor” që thoshte se 13 testet e mëparshme nga 2017 në 2019 ishin të gjitha të pasuksesshme. Putin i tha audiencës se puna ishte pothuajse e përfunduar edhe për një raketë balistike ndërkontinentale, të quajtur “Sarmat”.

LEXO EDHE: NYT nxjerr pamjet satelitore: Rusia po teston një raketë të re bërthamore

Pavarësisht deklaratës, Putin tha se Rusia nuk kishte plane për të ndryshuar doktrinën e saj bërthamore, politikë që përcakton rrethanat në të cilat forcat e saj mund të përdorin armë të tilla. Ai shtoi se ekzistenca e shtetit rus nuk ishte nën kërcënim dhe se “asnjë person me mendje të shëndoshë dhe kujtesë të qartë” nuk do të mendonte për një sulm bërthamor kundër tij.

Por ai tregoi se teorikisht Rusia mund të tërheqë ratifikimin e Traktatit të Ndalimit Gjithëpërfshirës të Testeve Bërthamore të vitit 1996. Ai argumentoi se pasi SHBA e kishte nënshkruar, kurrë nuk e ratifikoi atë ndaj ishte e mundur që Rusia të vepronte në të njëjtën mënyrë. Gjatë të njëjtit takim në Soçi, Putin tha se rrëzimi i avionit që vrau kreun e Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin në gusht, nuk ishte shkaktuar nga “ndërhyrje e jashtme” me ndonjë sulm me raketë.

Ai tha se shefi i mercenarëve dhe të tjerët që vdiqën në aksident kishin “fragmente granate dore” në trupat e tyre, duke shtuar se: “Kreu i Komitetit të Hetimeve ma raportoi këtë vetëm një ditë më parë”. Presidenti nuk shpjegoi se si një granatë mund të kishte shpërthyer në bord, por tha se ai mendonte se hetuesit duhet të kishin kryer teste alkooli dhe droge në trupat e viktimave të aksidentit. Ende nuk është publikuar asnjë raport zyrtar për shkakun e rrëzimit. ©BBC, LAPSI.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *