• |
ide | kryesore

“Gabuam një episod në 100 minuta”. Deliallisi nuk merret me arbitrin, Tetova justifikon Dwamena: “Luan me dhimbje”

-Instant, Sport
Deliallisi



“Besoj që ishte një ndeshje e ekuilibruar, ne gabuam vetëm një episod në 100 e ca minuta, një mungesë përqendrimi dhe pësuam golin. Një kundërshtar me kualitet të tillë të dënon dhe shënon”. Alfred Deliallisi eviton polemikat për 11 metëshin e pretenduar në fund të ndeshjes së humbur 1-0 me Egnatian. Tekniku i Erzenit i ka bërë elozhe kundërshtarit, pavarësisht keqardhjes për pikën e munguar, edhe pse ndoshta do të ishte e merituar: “Pjesa e parë ishte në kontroll, nuk erdhi Egnatia asnjëherë në zonë. Ne kishim rastet tona e disa goditje, më vjen keq për mundin, sakrificën e djersën se dhamë gjithçka. Mendoj se e meritonim një pikë sot si shkoi ndeshja. Ishte një mungesë përqendrim që mori tre pikë kundërshtari”.

Deliallisi pastaj i sugjeroi hapur drejtuesve lëvizjen në merkaton e janarit: “Përderisa nuk ke një sulmues, një pikë referimi, një lojtar që të tërheqë ekipin para e marrë faulle, mendoj që këto vështirësi kanë qenë e do të jenë. Ne dhamë maksimumin, do të vazhdojmë të luajmë me këtë lloj personaliteti. Dihen cilësitë e Egnatias, ia dimë aftësitë që ka kjo skuadër që ka dominuar ndaj thuajse çdo skuadre në kampionat”.

TETOVA: DWAMENA LUAN DUKE NDJERË DHIMBJE

“Erzeni ishte kthyer i gjithi në mbrojtje. Na kishte bllokuar manovrat, se ishte me 5 mbrapa. Ndaj gjithmonë bëhet e vështirë që të shkohet drejt portës kundërshtare. Ndryshova diçka në pjesën e dytë me vendosjen e Dwamena në qendër. Provova të gjeja thellësinë me Zejnullain dhe fatmirësisht ia arritëm”. Edlir Tetova shpjegon mënyrën e lojës me Erzenin, ndeshje të cilën Egnatia e tij e fitoi 1-0. Sidoqoftë, për teknikun tre pikë të rëndësishme, pavarësisht notave stonuese të kapitenit Dwamena.

Tetova megjithatë e mbron sulmuesin, duke zbuluar se po luan duke ndjerë dhimbje: “Dëamena nuk është në kondicionin e duhur. Ai ka vetëm pak ditë se vazhdon të luajë me dhimbje por ka dëshirën e madhe të luajë. Një lojtari të tillë apo kapitenit të skuadrës do t’i bëjmë vend”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *