• |
ide | kryesore

Elez Gjoza e bën përsëri: shtangisti shkon në Botëror pa trajnerin e tij, e zëvendëson presidenti

-Instant, Sport
Gjoza



Peshëngritja shqiptare nuk është e re në skandalet që e përfshijnë hera herës, por çështja është se pasojat i vuajnë sportistët dhe Shqipëria, që humbet mundësinë për të marrë medalje që do ta ndihmonin të rritej në hierarki. Pas skandalit, me denoncimin e Pirro Dhimës ndaj FSHP-së dhe presidentit të saj Elez Gjoza, kjo çështje e re ka kthyer në vëmendje një mënyrë të vjetër të të punuarit të presidentit të Federatës.

Peshëngritësi Ertjan Kofsha nuk do të ketë ndihmën dhe këshillat e trajnerit të tij Leonard Toska në Botërorin e Peshëngritjes U20, që po zhvillohet në Guadalajara në Meksikë (15-23 nëntor). Çështje vize, thuhet në nivel zyrtar, por që nuk duket dhe aq, duke qenë se vizat për antarët e tjerë të delegacionit nuk kanë patur probleme. E megjithatë, Gjoza tani ka marrë edhe virtytet e trajnerit, duke qenë se në të kaluar ka qenë shtangist.

Çështja është më e komplikuar se kaq. Presidenti Gjoza, i cili do të bëjë trajnerin, bashkë me peshëngritësin Ertjan Kofsha u nisën në datën 17 nëntor drejt Meksikës. Tre ditë nga gara, e programuar për në 20 nëntor, ku sportisti nuk ka kohë të rikuperohet nga udhëtimi i gjatë (më shumë se 24 orë). Me rezultatet që Kofsha ka arritur në palestër është pretendent për medalje ari në Botërorin U20. Ai është një ndër peshëngritësit e rinj më të mirë shqiptar, por pa trajnerin Toska dhe me mos plotësimin e kushteve të duhura, bëhet e vështirë.

“DËSHTIMET” ME VIZAT

Një histori që përsëritet për trajnerin e peshëngritësit Kofsha, sepse edhe në Botërorin U17 zhvilluar në qershor 2022, po në Meksikë, trajneri Leonard Toska nuk mori vizën. Në atë rast edhe vetë shtangisti Kofsha nuk u pajis dot me vizë nga Federata dhe dështoi të përfaqësonte Shqipërinë në Botëror. Të dy nuk u pajisën dot me vizë, pasi proceduart u bënë me vonesë dhe pa dokumentacionin e duhur.

PRECEDENTI ÇALJA

Briken Çalja u rendit i katërti në botë në Olimpiadën e Tokios, ku nuk ishte i shoqëruar këtë kompeticion nga trajneri i tij Gerald Toska. Në atë turne, Çalja humbi vendin në podium vetëm për një kilogram dhe ndoshta po ta kishte trajnerin e tij kjo nuk do të ndodhte. Por Toska ishte në shtëpi, sepse vendin e tij e kishte zënë presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *