• |
ide | kryesore

Brazili rrezikon vendin në Botëror, duke pritur teknikun Ancelotti: do të ishte hera e parë në histori

-Instant, Sport
Brazili



Botërori i parë me 48 ekipe dhe mungesa e parë e Brazilit. Do të ishte një nga lajmet më të bujshme në historinë e futbollit. Ka ende kohë dhe Seleçao i ka të gjitha mundësitë për t’u rikthyer në lojë, por të shohësh renditjen e grupit për kualifikueset e zonës së Amerikës së Jugut me verdhëejeshilët në vendin e gjashtë (pas Venezuelës dhe Ekuadorit p.sh.), është vërtet hutuese. Sigurisht që qendron alibia e mungesave të rëndësishme si ajo e Vinicius e Neymar, por është edhe ndërgjegjësimi që Brazili nuk ka fituar prej katër ndeshje (një barazim me Ekuadorin dhe tre humbje radhazi ndaj Kolumbisë, Uruguait dhe Argjentinës).

Humbja në Maracanà kundër rivalëve të tyre të përjetshëm Albiceleste (kampionë në fuqi të botës) nuk do të dhembë si akti i fundit i vitit 1950 me Uruguain ose ‘Mineirazo’ i 2014 kundër Gjermanisë, por, duke vlerësuar atë që ndodhi në tribuna, sigurisht që nuk është marrë filozofikisht nga publiku brazilian. Renditja tregon Argjentinën në krye me 15, Uruguain 13, Kolumbinë 12, Venezuelën 9, Ekuadorin 8 dhe Brazilin 7. Për momentin, duke pasur parasysh formatin e ri të turneut, Seleçao do të ishte brenda, duke qenë se 6 më të mirat shkojnë në Kupën e Botës, me të shtatën e përfshirë në play-off.

KRIZA E DINIZ

Ka kohë dhe mënyra për të rikuperuar, por ajo që është shqetësuese është kriza e lojës dhe e rezultateve të kombëtares së Diniz. Një trajner i përkohshëm, por i klasit botëror, nëse llogarit se sapo ka fituar Copa Libertadores në krye të Fluminense. Ai njihet në mbarë botën si një nga interpretuesit më të mirë të të ashtuquajturit ‘futbolli funksional’, një lloj loje që kërkon të shfrytëzojë maksimalisht karakteristikat teknike të individëve, duke mbingarkuar zona të caktuara të fushës me lojtarë. Ndoshta përkushtimi i dyfishtë po e kondicionon atë, ose ndoshta duhet kohë për të mësuar këtë lloj futbolli. Fakti mbetet se Brazili ka individë dhe mjete për të ngjitur shkallët, edhe në mesin e rekrutëve të rinj, siç tregohet nga hyrja në fushë, kundër Argjentinës, e fenomenit të ri Endrick, një shtatëmbëdhjetë vjeçar tashmë i nënshkruar nga Real Madrid.

Lexo më tej: Lautaro shfryn dufin për ngjarjen në Maracana: “Në Brazil gjithnjë e njëjta histori. Por ne kemi bo*e”

E PAIMAGJINUESHMJA

Do të ishte e paimagjinueshme të shohësh Brazilin jashtë një Botërori, edhe pse do të dukej po aq e pamundur të mendohej se Italia do të eliminohej në kualifikuese, gjë që në fakt ndodhi dy herë radhazi. Gjithsesi, ekziston rreziku serioz që kur Carlo Ancelotti të mbërrijë në pankinën e 5 herë kampionëve të botës, nga qershori e në vazhdim, të gjendet në një situatë komprometuese. Brazili është e vetmja skuadër që nuk ka munguar në asnjë edicion të Kupës së Botës dhe e vetmja kombëtare që ka ngritur pesë herë kupën më të rëndësishme. Shumë siguri tashmë kanë humbur në botë, por kjo është një nga ato që duhen shmangur.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *