• |
ide | kryesore

“Na mungonin 9 ose 10 lojtarë, kam rezerva për arbitrimin”: Abilaliaj i kënaqur me pikën në derbi

Sport
Abilaliaj



“Një gol do më bënte të ndihesha më mirë. Patëm raste që mund t’i shfrytëzonim. Ishte një pjesë e parë goxha pozitive, me një rënie të vogël në të dytën. Keqardhje sepse mendoj se në pjesën më të madhe Partizani ishte dominant në mënyrën si u zhvillua loja”. Arbër Abilaliaj provoi ndeshjen e dytë radhazi pa fitore, i ndaluar në 0-0 nga Dinamo. Drejtori Sportiv e trajneri i të kuqve kujton edhe mungesat e forta që kishte skuadra para derbit, edhe pse tenton të mos e ketë alibi: “Kjo gjë vazhdon deri më 17 maj. Sot na mungonin 9 ose 10 lojtarë. Por po të shikojë ato lojtarë që ishin në fushë do të ishin në formacionin bazë të çdo ekipi. E ka të vështirë Partizani të dalë nga moduli i vet i lojës”.

Abilaliaj pastaj e përforcon mendimin: “Partizani ka në përbërje gati 40 futbollistë. Janë të gjithë të vlefshëm. Kemi bërë një seleksionim që deri tani jemi të kënaqur, kemi besim absolut dhe besoj se kjo na jep besim. Nuk jemi ankuar kurrë për mungesat, punoj çdo ditë me këta djem dhe i besoj. Ne u futëm në fushë për ta fituar takimin për të vazhduar pjesën e rritjes. Kam një rezervë deri diku për gjykimin, por në pjesën më të madhe Partizani ishte dominant”, e mbylli Abilaliaj.

MEHMETI: “NË FUND TË DHJETORIT PIKAT MBI I”

“Kur nuk pëson gol nga një skuadër me sulm të rrezikshëm, jam i kënaqur. Ata kishin goxha momente që mund të na ndëshkonin. Derbi është i paparashikueshëm. Barazimi ishte i drejtë, ashtu siç e interpretuan të dy skuadrat ndeshje. Ndoshta meritonim diçka më tepër pjesën e dytë, kishim raste më të pastra, por edhe Partizani kishte raste. Ndaj them që edhe barazimi ishte rezultat i drejtë”. Dritan Mehmeti pranon verdiktin e fushës, edhe pse e di mirë se pikët do ti ishin shumë komod të tijve. Tekniku i gëzohet serisë pozitive prej 5 ndeshjesh, që kur ai është ulur në pankinë. “Na ka ndihmuar në aspektin psikologjik, për të rritur besimin. Skuadra ka vlera. Jemi përmirësuar edhe në aspektin taktik. Kemi 3 ndeshje që nuk pësojmë, ky faktor të mban në ekuilibër, do të kemi edhe kohën e duhur, për të studiuar më tepër zonën e kundërshtarëve”.

Lexo më tej: Dy debutues, një traversë e barazimi i dytë: Partizani ndal hapin, Dinamo me Mehmetin mbetet e pathyer

Për janarin, dritarja e shpëtimit është ajo e merkatos, në të cilën Mehmeti mezi pret të futet: “Ne do të futemi në merkato, një skuadër që ka pretendime, duhet të analizojë të dyja fazat. Duhet të rrisim konkurrencën në skuadër, konkurrenca rrit edhe cilësinë. Jemi duke bërë maksimumin për të qenë racional dhe në ekuilibër. Në fund të dhjetorit do të bëjmë analizë dhe do të nxjerrim pikat mbi I ku do të ndërhyjmë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *