• |
ide | kryesore

Dy debutues, një traversë e barazimi i dytë: Partizani ndal hapin, Dinamo me Mehmetin mbetet e pathyer

F1, Sport
Partizani



Dinamo ndalon edhe Partizanin, në barazimin e dytë radhazi për teknikun Arbër Abilaliaj, që nuk mundi të gjejë zgjidhjen për kasafortën e ndërtuar nga Dritan Mehmeti. Rezultati i pestë pozitiv radhazi për teknikun, që ruan portën të paprekur për të tretë herë radhazi. 0-0 mbyllet derbi i kryeqytetit në Arenën e Demave, për javën e 14 të Superiores. Partizani pati rastet më të mirë, por muri difensiv i bluve rezistoi dhe në pjesën e dytë në ndihmë i erdhi edhe traversa.

Me shumë dëmtime sidomos në mbrojtje, ku Bytyçi, Sota e Preka i kishin lënë qendrën Sembene e debutuesit Janjeva, Partizani ushtroi presion nga fillimi. Rrapaj, por edhe Taipi frikësuan në disa raste portierin Sali, në një sfidë që nuk kishte shumë histori, të paktën në pjesën e parë. Rasti më i mirë ishte i Sembene në minutën e 43′, por senegalezi tregoi përse si rol ka qendërmbrojtësin.

SALI E TRAVERSA

Dinamo e ngriti pak qendrën në pjesën e dytë, në tentativë për të lehtësuar presionin. Blutë patën edhe dy raste për shënim me Denison dhe mbrojtësin Prodani, por të pa shfrytëzuara. Partizani, në finale ndryshoi marsh dhe mund të kishte shënuar me Mensah në minutën e 86′. Fantastik reagimi i portierit Sali, në devijimin me kokë të sulmuesit, pas goditjes së Maguette. Në shtesë pastaj debutuesi tjetër me të kuqtë Birçaj, lojtari i 27 i përdorur nga të kuqtë në 14 javë kampionat, u ndalën nga traversa.

Lexo më tej: “Nuk është dramë”: Ahmataj minimizon humbjen me Erzenin e thumbon arbitrimin, Deliallisi pranon cinizmin

Pas barazimit me Egnatian, vjen një tjetër ndalesë e të kuqve, që nuk humbasin prej 8 javësh, që nga ndeshja me Skënderbeun. Abilaliaj e sheh veten në vendin e parë, me 28 pikë, por mund të kalohet nesër nga Egnatia, në rast fitore në Laç. Ndërkohë, Dinamo me Mehmetin në pankinë mbetet e pathyer, duke forcuar pozitat në vendin e pestë me 16 pikë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *