• |
ide | kryesore

Rrokada e fushës që ndodh vetëm në Shqipëri e 15 javë pritje për ndeshjen Partizani-Teuta

Sport
Partizani



Ndeshja që atëherë u shty për shkak të impenjimeve të të kuqve në ndeshjet e Conference League, ka gjetur tashmë hapësirën për tu luajtur, mes një kalendari të ngjeshur që po detyron skuadrat të sforcohen. Praktikisht, pas 15 javë pritje, do të luhet sot në orën 17 rikuperimi i javës së parë të kampionatit: Partizani-Teuta. Nëse në 27 gusht dy klubet do të përballeshin në ekuilibër të plotë, tani në lojë është edhe pesha e renditjes. Teuta është në vendin e fundit dhe në emergjencë për të marrë rezultatin, që do ta lejojë të mos humbasë kontaktet me skuadrat e tjera në luftë për mbijetesë. Partizani në anën tjetër është vërtetë në vendin e dytë, por vjen nga tre barazime radhazi dhe duhet të mbajë Egnatian nën presion.

7 TË PADISPONUESHËM PËR ABILALIAJ

Partizani në fakt duhet të bëjë llogaritë me shumë mungesa, që sidomos në mbrojtje i krijojnë një vakum të rrezikshëm, edhe pse shpresohet që Sota të jetë gati për të luajtur në krah të Sembene. Lista e të padisponueshëmve të Partizanit për rikuperimin me Teutën është zgjatur edhe më shumë. Pikërisht kështu, sepse mungesave tashmë të zakonshme i është shtuar edhe Maguette Guaye. Mesfushori senegalez u ndëshkua me karton të verdhë në derbin me Tiranën, duke plotësuar edhe numrin katër të paralajmërimeve. Kështu, lojtari kyç në mesfushën e Abilaliajt do të mungojë në sfidën e mbartur nga java e parë.

Sidoqoftë për mesfushën Abilaliaj i ka lojtarët dhe Emiljano Vila e Bilali janë gati të marrin një vend në formacion në krah të Muratajt, Rrapajt dhe Taipit. Problemet kryesore, në fakt, janë në prapavijë. Përvec Alban Hoxhës, që po rikuperohet nga ndërhyrja kirurgjikale, vazhdojnë të mungojë Marçelino Preka, Mateo Koçijan dhe Eljon Sota. I shtati e aspak për nga rëndësia është Altin Bytyçi, që do t’i nënshtrohet operacionit në ligament në ditët në vijim dhe do të mungojë gjatë. Sidoqoftë dyshja Sembene-Mehmeti mbajti mirë dhe nëse nuk kthehet Sota, mund të ripropozohet nga tekniku, që kërkon të kthehet te fitorja, pas tre barazimesh radhazi.

Lexo më tej: Partizani-Teuta sposton kampionatin me një ditë: këto janë datat dhe oraret e sfidave të javës së 16-të

MUNGON ALLA

Edi Martini nuk po arrin të stabilizojë performancat në fushë të të tijve, që janë sulmi më i dobët i kampionatit me 10 gola të shënuar dhe një nga tre mbrojtjet më të dobëta me 21 gola të pësuar, sa Tirana e vetëm Kukësi ka bërë më keq. Fitorja e fundit e durrsakëve daton në 22 tetor kundër Dinamos, por që atëherë Teuta ka parë vetëm 2 pikë në 6 daljet e fundit. Martini, sidoqoftë, nuk ka shumë dilema. Alla që do të mungojë i dëmtuar është i padisponueshmi i vetëm për ndeshjen e të enjtes, e shtyrë nga javën e parë të kampionatit.

Dema mes shtyllave është i sigurtë, ashtu si linja katërshe e mbrojtjes në një 4-2-3-1, që i jep më shumë ekuilibër teknikut. Kruja, Qaqi, Jazxhi e Kotobelli, do të kenë digën e parë filtruese të aksioneve të Partizanit në dyshen Beqja-Daja. Teuta synon të jetë aggressive përpara, duke qenë se sulmi i tyre ka qenë anemic. Ndaj për të ndihmuar qendërsulmuesin Daci do të mendojë treshja Peposhi, Arifi, Gjinollari, me 16 vjecarin që do të jetë rifinitori i durrsakëve: përgjegjësi e madhe, por tani Teuta ka nevojë për djaloshin e talentuar.

Nëse mund të llogaritet si favor, dhe i tillë është, vlen fakti që takimi do të luhet në Niko Dovana, edhe pse sipas kalendarit duhet të ishte në Arenën e Demave. Një rrokadë fushe e bërë për shkak të punimeve në stadiumin e Durrësit, që e coi ndeshjen e fazës së dytë, të fituar 0-1 në kryeqytet.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *