• |
ide | kryesore

“Topat ua dhuroi Murataj ose Sembene”. Abilaliaj i tërbuar me lojtarët, Martini: “Meritonim më shumë”

Sport
Abilaliaj



“Kam përshtypjen që bëmë gabime të pafalshme njësoj si me Tiranën. Të gjithë topat ua dhuroi Murataj ose Sembene. Më vjen keq se nuk mund të luajmë kështu, të marrësh atë lloj goli është e habitshme”. Arbër Abilaliaj është akuzues pas barazimit të katërt radhazi. Partizani nuk shkoi më shumë se 1-1 përballë Teutës së vendit të fundit, në rikuperimin e javës së parë të kampionatit. “Në pjesën e dytë edhe mund ta kthenim ndeshjen. Ndërsa në fund s’na lanë as të luajmë futboll. Nuk besoj se ka lidhje ngarkesa në derbi, e kemi humbur stabilitetin në qendër dhe kjo na sjell pasiguri për të gjithë ekipin”.

Tekniku i Partizanit vazhdoi të thellonte pakënaqësitë e tij dhe janë të gjitha për lojtarët: “Jemi të detyruar të marrim 3 pikët në çdo ndeshje, disa lojtarë futen në situatë pasigurie dhe kjo nuk i shkon për shtat këtyre lojtarëve. Mendoj që kemi ndryshuar diçka në pjesën e dytë. Po të kishim shënuar me rastet e Kekos dhe Carës do ishte ndryshe. Por kthehemi tek sëmundja e vjetër që shpërdorojmë për të shënuar” tha Abilaliaj.

MARTINI: MERITONIM MË SHUMË

“Jo vetëm në pjesën e parë, edhe në pjesën e dytë kishim mundësinë ta bënim ndeshjen 2-0. Të vjen keq se si e humbëm mundësinë. Të marrësh me patjetër tre pikë është në mendjen e të gjithëve”. Edi Martini nuk e pranon dot si i iku nga duart një fitore që dukej e arritur. Partizani barazoi në një periudhë ku durrsakët nuk po rrezikonin asgjë. Megjithatë, takimi me fitoren është shtyrë për teknikun shkodran, që skuadrën e ka në vendin e fundit, po llogaritë i bën me Final Four. “Të vjen keq, sepse nuk e meritonim ta barazonim këtë ndeshje. Në këtë kampionat nuk e di kujt t’ja lëshojmë vendin e katërt. Të luash me Partizanin që është në krye në këtë formë, tregon që diferencat në këtë kampionat janë të vogla”.

Lexo më tej: Video/ Keko shpëton përsëri Partizanin: vetëm 1-1 me Teutën, por Abilaliaj nuk fiton prej 4 ndeshjesh

Martini jep edhe shpjegimin e tij për situatën në të cilën ndodhet Teuta. “Sigurisht që ndikon edhe aspekti psikologjik. Pëvrveç asaj që nuk po lirohemi të jemi një herë të qetë, po vuajmë në aspektin psikologjik. Sapo kalojmë në avantazh mendojmë të kthehemi mbrapa të mbrojmë rezultatin dhe lëmë shumë hapësira”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *