• |
ide | kryesore

“Pësuam aty ku kishim marrë masat”: Mehmeti i zhgënjyer nga humbja e parë, Osmani lajmëron tërmet në merkato

Sport
Mehmeti



“Normalisht më vjen keq për mënyrën se si jemi ndëshkuar. E nisëm shumë mirë lojën, por kemi gabuar. Ishim ne ata që e dhuruam fitoren. Edhe pse i morëm masat, të vjen keq sepse kishim mundësitë tona. Ndodh në futboll, sepse futbolli është i paparashikueshëm”. Dritan Mehmeti pëson humbjen e parë pas 8 ndeshjesh, që kur u ul në pankinën kryeqytetase. Tekniku, duke patur parasysh edhe avantazhin e shpejtë, priste tjetër gjë nga të tijtë.

Goditjet standarde u bënë faktor në këtë ndeshje, me Vllazninë që shfrytëzoi Balajn në mënyën më të mirë të mundshme. Në fakt dy gola erdhën në zhvillimet e një goditje këndi e për këtë Mehmeti ka keqardhje: “Sa i përket goditjeve standarde, patjetër i kishim studiuar. Aty ku i kishim marrë masat, aty pësuam. Si situata e golit të dytë, Vllaznia në të tilla situata ka shënuar dhe në raste të tjera. Në goditje standarde Vllaznia ishte shumë e fortë. Edhe te goli i tretë, ja dhuruam vetë goditjen e këndit. Ndodhin në futboll dhe normalisht më vjen keq, por duhet të shohim përpara”.

Në fund edhe një shigjetim për lojtarët, si për t’i ulur me këmbë në tokë: “Skuadra mendoi se realizoi shpejtë dhe e uli ritmin – tha Mehmeti -. Por kjo skuadër duhet të jetë gjatë gjithë kohës e përqendruar. Sot vendosën episodet, sepse po ta shohësh loja ka qenë e barabartë. Edhe me raste kemi qenë shumë efikas dhe të rrezikshëm. Aty ku e kisha frikën, te goditjet standarde pësuam”.

OSMANI: “KA LOJTARË PËR TU LARGUAR”

“Një fitore shumë e vlefshme për ne duke marrë parasysh situatën që kemi. Dua të theksoj se Vllaznia luajti mirë në fazën mbrojtëse. Kur duhej të luanim shpejt, krijuam disa raste me sulme të shpejta. Ndaj jam i kënaqur edhe me lojën, edhe me përkushtimin e lojtarëve”. Qatip Osmani, tekniku i Vllaznisë, i gëzohet tashmë fitores 3-1 që e kthen në lojë për një vend në Final Four. Nuk ishte ndoshta një lojë e bukur për tu parë, si theksoi vetë tekniku, por rëndësi kishin pikët: “Ne në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, por edhe me Partizanin, bëmë një ndeshje shumë të hapur, me tendenca sulmuese. Sot ndryshuam pak, ndoshta nuk ishte lojë e bukur dhe e mirë. Vendosëm që ekipi të vendosej në bllokun e mesëm. E përsëris që ndoshta nuk ishte lojë e bukur, por nga rezultati e mendon që ishte e arsyeshme”.

Lexo më tej: Vllaznia, fitore me përmbysje: Çoba, Gruda e Balaj i japin Mehmetit humbjen e parë në krye të Dinamos

Dy lojtarë, Dodev e Cheshmediev janë larguar tashmë, por të tjerë duket se do të zbrazin radhët në janar. Osmani në këtë pikë ka lajmëuar atë që do të ndodhë pas tre javësh në merkato: “Patjetër duhet të reagojmë në merkato, për të rritur konkurrencën në ekip. Ne jemi të përqendruar edhe në këto dy ndeshje që t’i kalojmë. A ka lojtarë për t’u larguar? Përafërsisht po. Është ndoshta pak problemi i merkatos, se është periudha kur lojtarët cilësorë rrallëherë gjenden të lirë. Por megjithatë ne patjetër duhet të reagojmë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *