• |
ide | kryesore

Video/ Milan i prish punë Newcastle, në 1/8 shkon PSG: Dortmund mban vendin e parë, pret biletën edhe Porto

F1, Sport, Video
Milan



PSG dhe Porto janë skuadrat e fundit që kanë arritur në fazën e 1/8 të Champions League. Parisienët u kënaqën me barazimin 1-1 në Dortmund të shënuar nga Adeyemi dhe Zaire-Emery, ndërsa portugezët fituan sfidën direkte kundër Shakhtar 5-3. Nuk mjaftoi fitorja me përmbysje e Milan në Newcastle, me kuqezinjtë që shkojnë në Europa League. City e mbylli me pikë të plota falë 3-2 ndaj Crvena Zvezda, ndërsa Barcelona është e para pavarësisht humbjes 3-2 në Antwerp. Lazio humb vendin e parë, e mundur 2-0 nga Atletico Madrid, ndërsa Celtic mundi 2-1 Feyenoord.

GRUPI E

Lazio u rrëzua 2-0 në Madrid ndaj Atleticos në javën e fundit të Grupit E të Champions League, duke dështuar të kapërcejë spanjollët në krye. Skuadra e teknikut Sarri shkon kështu në raundin e 1/8 si i dyti në renditje. Ndeshja e Citivas Metropolitano u vendos nga dy gola në minutat e para të çdo pjese loje. Goditja e Griezmann në minutën e 6′ dhe perla e Lino në minutën e 51′ fundosën italianët. Bardhekaltrit bënë shumë pak për të tentuar arritjen dhe në fund duhet të kënaqen me kualifikimin e arritur tashmë, që në ndeshje ndaj Celtic. Tani Sarri, ashtu si Mazzarri dhe Inzaghi, po përballet me një short potencialisht shumë të komplikuar.

Edhe pa asnjë vlerë renditjeje, ndeshja tjetër në Grupin E dhuroi spektakël. Në fund triumfoi Celtic, duke mposhtur 2-1 Feyenoord. Skocezët kaluan në avantazh në minutën e 33′ falë penalltisë së Palma, por në minutën e 82′ Minteh u duk se i dhuroi barazimin holandezëve. McGregor goditi traversën pak më pas, por në minutën e 91′ Lagerbielke i çoi vendësit në delir. Celtic i dha lamtumirën garave evropiane me një fitore, ndërsa të besuarit e Slot do të marrin pjesë në Europa League.

GRUPI F

Në fund, PSG dhe Dortmund zgjodhën të keqen më të vogël duke pasur parasysh fitoren e Milan ndaj Newcastle. Barazimi 1-1 lë gjermanët të parët, e francezët të dytët. Ndeshja në Gjermani ishte menjëherë plot emocione. Süle bllokoi gjuajtjen e Mbappe në vijë, më pas Barcola, goditi shtyllën, duke i afruar francezët pak centimetra nga avantazhi. Situata nuk ndryshoi as në minutën e 24′, kur prekja delikate e Kolo Muani nuk gjeti objektivin. Në pjesën e dytë gjermanët kaluan në avantazh falë Adeyemi. Megjithatë, 1-0 zgjati vetëm 5 minuta, sepse Zaire-Emery barazoi, duke i dhënë sërish një shans skuadrës së Luis Enrique. PSG mund të kishte fituar dhe të përfundonte i pari në grup, por një gol i gjermanëve do t’i eliminonte. Kështu, ritmi u ul dhe 1-1 ishte i pashmangshëm.

Milani i thotë lamtumirë Champions League dhe bie në Europa League. Kuqezinjtë mposhtën me përmbysje Newcastle 2-1, por barazimi i PSG kundër Borussia Dortmund çertifikoi dështimin e tyre për t’u kualifikuar në raundin e 1/8-ve. Pjesa e parë ishte e gjitha e markës angleze, me Magpies që zhbllokuan ndeshjen në minutën e 33′. Joelinton ishte brilan në finalizimin e tij, pa i lënë shanse Maignan. Në minutën e 59′, me goditjen e parë në portë, Milan barazoi me Pulisiç. Më pas Maignan shpëtoi me ndihmën e traversës në goditjen e Bruno Guimaraes (69′). Milan barazoi trarët me shtyllën e Leao në minutën e 79′. Në minutën e 84′, pastaj, Chukwueze, i cili sapo kishte hyrë në lojë, gjeti golin për të bërë rezultatin 2-1. Në kohën shtesë një tjetër shtyllë e kuqezinjve që duhet të kënaqen me Europa League.

GRUPI H

Porto zë vendin e dytë në grupin H duke fituar sfidën direkte në shtëpi ndaj Shakhtar me rezultatin 5-3. Sfida në Dragao u zhbllokua në minutën e 10′ me golin e Galeno, me asist të Evanilson. Në minutën e 29′, Sikan barazoi pas një asisti të Zubkov, i cili fillimisht u gjykua në pozicion jashtë loje nga asistenti. Në fund gol u vlerësua, por portugezët protestuan se kishin ndalur pasi anësori kishte ngritur flamurin e tij. Protesta të kota: është 1-1. Në minutën e 43′, megjithatë, Porto kaloi sërish përpara me Galeno, që bëri rezultatin 2-1, duke shënuar dygolëshin e dytë pas asaj në ndeshjen e parë.

Taremi e mbylli ndeshjen në minutën e 62′ duke i çuar shifrat në 3-1. Ukrainasit ngushtuan diferencën me autogolin e Eustaquio në minutën e 72′, por tre minuta më vonë Pepe shënoi në zhvillimet e një goditje këndi duke e bërë rezultatin 4-2. Ka kohë edhe për pesëshen e shënuar nga djali i trajnerit Sergio Conceiçao, Francisco. I kotë pastaj 5-3 final i firmosur nga Eguinaldo.

Pavarësisht humbjes 3-2 nga Antwerp, vendi i parë i Barcelonës mbetet i salduar. Ndeshje që ndryshoi fytyrë pas dy minutash, kur belgët kaluan në epërsi me Vermeeren. Ai përfitoi nga gabimi në ndërtim i Romeut dhe shënoi. Në minutën e 35′, megjithatë, Ferran Torres barazoi me një depërtim të shkëlqyer pas asistit të Yamal. Në pjesën e dytë u anulua 2-1 i mundshëm për vendasit, por goli vetëm u shty. Janssen nuk gaboi me të majtën, duke kthyer Antwerp në avantazh. Në shtesë pastaj ndodhi gjithcka. Guiu shënoi golin e 2-2 në minutën e 91′, por në aksionin vijuese Ilenikhena vulosi fitoren 3-2, duke i dhënë Antwerp suksesin e parë historik në Champions League. Katalanasit të parët falë avantazhit në përballjet direkte me Porton.

Lexo më tej: Video/ City i të rinjve pushton Beogradin: Guardiola mban rekordin të pastër, në Europa League shkon Young Boys

REZULTATET E MBRËMJES

Champions League Group E
Atletico Madrid 2-0 Lazio
Celtic 2-1 Feyenoord
Champions League Group F
Borussia Dortmund 1-1 Paris Saint-Germain
Newcastle United 1-2 AC Milan
Champions League Group G
FK Crvena Zvezda 2-3 Manchester City
RB Leipzig 2-1 Young Boys
Champions League Group H
FC Porto 5-3 Shakhtar Donetsk
Royal Antwerp 3-2 Barcelona



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *