• |
ide | kryesore

Gati me valixhe në dorë, ku festojnë shqiptarët

Lajme, Të fundit



“Uria” dhe tendenca për të udhëtuar në ditët e pushimit ka ndikim në industrinë e turizmit, duke nxitur zhvillimin e ofertave dhe eventeve të veçanta për shqiptarët që kërkojnë një eksperiencë të paharrueshme për fundvit. Hotele, restorantet dhe agjencitë turistike janë përshtatur për të ofruar paketa dhe shërbime të personalizuara që i përshtaten nevojave dhe pritshmërive. Këtë vit vihet re një rritje e lehtë e çmimeve, si dhe udhëtarët që organizojnë çdo gjë vetë, janë në rritje…

Alternativat turistike në shërbim të shqiptarëve janë duke u shtuar gjithnjë e më shumë dhe kjo ka nxitur prej disa vitesh gjetjen e ofertave, sipas buxhetit, për secilin udhëtar.

Menjëherë pas festave të nëntorit, agjencitë turistike në kryeqytet thonë se nisi interesi për udhëtime për fundvit. Një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë rezervuar më herët për festat e fundvitit dhe kjo ka ndodhur, kryesisht për destinacione më të largëta, megjithatë agjencitë raportojnë që ka gjithnjë  udhëtarë “në minutë të fundit”.

Zgjedhjet flasin për të njëjtat tendenca si vitet e mëparshme: rajoni për ski, sërish rajoni për natën e ndërrimit të viteve e deri te destinacionet ekzotike, ku një përqindje e ulët u lejojnë vetes luksin e 10 ditëve pushime, nga 29 dhjetor në 7 janar.

Agjencitë turistike në Tiranë përmendin edhe një tjetër fenomen të viteve të fundit. Me rritjen e përdorimit të teknologjisë, përqindja e udhëtarëve është më e vështirë të përllogaritet, duke marrë në konsideratë se një pjesë e mirë e tyre i presin biletat dhe hotelet vetë, jo më nëpërmjet një agjencie turistike.

Edhe këtë vit, në preferencat e shqiptarëve, mbizotëron rajoni: Mavrovë, Kolashin, Brezovicë me një paketë 3-4 ditore, të gjitha të përfshira, duke i shtuar edhe sportin e preferuar të skive, që u mungon në atdhe.

Këtë vit, çmimet janë të favorshme në Stamboll, një tjetër destinacion i lakmuar, sidomos për mbrëmjet gala.

Rajoni

Thuajse në të gjitha festat që shqiptarët kërkojnë të lëvizin jashtë, alternativa e parë që i vjen në mendje është rajoni. Arsyeja është çmimi, siç argumentojnë agjencitë turistike, por edhe afërsia.

Me një avantazh të tillë dhe me organizime të mira për festa, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut kanë pasur rezervime të shumta nga shqiptarët, për pushimet e fundvitit.

Faktor kyç, sipas agjencive është afërsia, sidomos për familjet, edhe me fëmijë, që mund të zgjedhin të udhëtojnë me makinën e tyre drejt këtyre destinacioneve.

Infrastruktura e mirë dhe çmimi i leverdishëm e ka vendosur Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me resortet e tyre të skive, në listën kryesore. Edhe Brezovica ka qenë e kërkuar, si dhe zona malore e Prizrenit, Prevallë etj. Nga agjencia Union Travel thonë për “Monitor” se çmimi i lirë i josh shqiptarët jo vetëm për festat e fundvitit, por për të gjithë ditët e pushimit të tyre.

Ata zgjedhin rajonin për darkën e ndërrimit të viteve, kryesisht në Budva apo Dubrovnik. Edhe Greqia ka kërkesa, pohojnë agjencitë, por këtë vit kanë qenë më të dobëta. Megjithatë, jashtë shifrave zyrtare të agjencive, raportohen kërkesa për Athinën, pas vendosjes së linjës direkte me kosto të ulët.

Udhëtimet me autobusë në rajon, sidomos Selaniku dhe Stambolli, ndryshe nga vite më parë, nuk janë më të preferuara. Shqiptarët kërkojnë të udhëtojnë me avion ose makinë, sipas destinacioneve që kanë buxhetet e tyre.

Budva preferohet shumë për fundvit, për të cilën pyesin: “Çfarë festë organizohet dhe me cilët këngëtarë?” dhe më pas, për çmimin dhe hotel-in.

Sipas të gjithë agjencive të kontaktuara, çmimet në rajon këtë vit kanë pësuar rritje të lehtë dhe variojnë nga 139 euro dy ditë deri në 450 euro maksimumi.

Europa

Eksplorimi i destinacioneve europiane për festat e fundvitit është bërë një preferencë e njohur midis shqiptarëve, duke sjellë një freski dhe magji të veçantë në mënyrën se si ata festojnë fundin e vitit.

Qytete të njohura si Parisi, Vjena dhe Roma janë shpesh destinacionet e para që vijnë në mendje për shumë udhëtarë. Këto metropole ofrojnë një bukuri arkitekturore, si dhe evente festive në sheshet dhe bulevardet e tyre kryesore.

Ndërkaq, për ata që e preferojnë natyrën dhe stilin e jetesës më të qetë, Alpet zvicerane janë një tjetër destinacion i preferuara për të kaluar fundvitin.

Sipas komunikimeve me agjencitë në kryeqytet, vëmendje të veçantë ka pasur Vjena, Kolmari, Praga, Amsterdami, Bukureshti dhe Parisi , ndër prenotimet e fundjavës së Krishtlindjeve.

Çmimet për këto destinacione raportohen në rreth 170 euro mesatarisht për person, 2netë. Ndërsa një udhëtim tjetër i preferuar është Milano-Como-treni St.Moritz, me trenin Bernina që udhëtohet nga Italia drejt Alpeve të Zvicrës, me një kosto rreth 350 euro për përson, për 3 netë.

Një aspekt i rëndësishëm i kësaj tendence drejt Europës është edhe diversiteti i zgjedhjeve. Nëse disa shqiptarë zgjedhin qytete të mëdha evropiane për të festuar me stil dhe elegancë, të tjerë preferojnë qytete bregdetare si Barcelona, Nica, apo Venecia, ku klima e butë ofrojnë një eksperiencë të veçantë festive.

Destinacionet e “nxehta”

Në krye të prenotimeve është Dubai. Dikur, pohojnë agjencitë, ishte një nga destinacionet më të shtrenjta, por prej tre vitesh, çmimet kanë pësuar ulje të lehtë, prej vendosjes së linjës direkte të fluturimit nga Tirana. Paketat për këtë destinacion variojnë rreth 550 euro për person, 5 ditë. Kërkesat janë kryesisht për data si 02-07 janar 2024.

Risia e viteve të fundit

Eksplorimi i rajoneve të panjohura dhe të magjishme, si Lapland dhe qyteti i Rovaniemit, ka bërë që shqiptarët të kthehen nga destinacionet e zakonshme dhe të zgjedhin një aventurë të re në vendet që dikur shiheshin si më shumë legjenda se sa realitet.

Një ndjenjë misteri dhe kurioziteti, e mbështetur nga një paketë e veçantë që po qarkullon në shumë agjenci, po shtyn shqiptarët drejt këtyre destinacioneve të njohura për natyrën e tyre të veçantë dhe historinë e pasur.

Lapland, me peizazhet e saja të bardha, është bërë tërheqës për ata që dëshirojnë të përjetojnë një festë të fundvitit më ndryshe. Në këtë rajon të Laponisë së Finlandës, vendi i famshëm i Babagjyshit dhe i Elfëve dhe ku slitat tërhiqen nga Husky-t, po bëhet një destinacion i preferuar për familjet dhe çiftet që kërkojnë një përvojë të jashtëzakonshme festive.

Rovaniemi, qyteti kryesor i Laplandës dhe vendi ku ndodhet ‘zyra’ zyrtare e Babagjyshit, është një qytet i vogël por i shpërndarë me mrekulli natyrore dhe atmosferë festive.

Një varg aktivitetesh dhe eventesh specifike, përfshirë qendrën e qytetit të shndërruar në “Vilën e Babagjyshit,” ka bërë që ky destinacion të nisë të jetë i preferuar.

Kjo tendencë e zgjedhjes së destinacioneve në rajone të panjohura ka një ndikim thelbësor në mënyrën se si shqiptarët po e shohin aventurën dhe festën e fundvitit, por domosdoshmërisht edhe në ‘kuletën’ e tyre. Sipas agjencive, ky udhëtim ka një kosto që fillon nga 899 euro për person, për 4 netë./  Monitor



1 Comment

  1. Emigrantet shqiptare kudo qe ndodhen nuk bejne as 10% te jetes dhe qefit qe bejne shqiptaret e Shqiperise. Kjo esht e verteta dhe cdo emigrant qe e mohon kete fakt rren veten dhe askend tjeter.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *