• |
ide | kryesore

Çfarë është e majta dhe e djathta në Shqipëri?

1, 2, Arkiva, Ide
Blendi Kajsiu


Dallimi mes PS-së dhe PD-së nuk reflekton ndarjen ideologjike tradicionale mes të majtës dhe të djathtës. Sipas teoricienit italian Norberto Bobbio dallimi themelor konceptual mes të majtës dhe të djathëts është barazia. Të majtët mendojnë se shumica e pabarazive prodhohen artificialisht nga shoqëria apo sistemi politik ndaj mund dhe duhet të eleminohen tërësisht (komunistët) ose të reduktohen (social-demokratët). Të djathtët mendojnë se pabarazia është një tipar natyral i gjendjes njerëzore, madje pozitiv, ndaj as duhet e as nuk mund të eleminohet (e djathta konservatore apo neoliberale), madje duhet thelluar (ekstremi i djathtë, nazizmi). E thënë ndryshe sa më e shqetësuar të jetë një forcë politike për reduktimin e pabarazive socio-ekonomike aq më e majtë është. Dhe anasjelltas, sa më pak interesohet per reduktimin e pabarazive aq më e djathtë është.

Me kriterin e mësipërm as PS-ja dhe as PD-ja nuk janë parti të majta sepse asnjëra nuk ka prioritet reduktimin e pabarazive socio-ekonomike që prej 30 vitesh thellohen në Shqipëri. Me rënien e komunizmit barazitizmi, i konceptuar shpesh si uniformitet, u identifikua si një nga të metat themelore të regjimit. Për pasojë barazia u kthye në një fjalë të pisët në fjalorin politik shqiptar të tranzicionit, prej të cilës distancoheshin të gjitha forcat politike. 

Në këtë kontekst edhe PS-ja e braktisi reduktimin e pabarazive socio-ekonomike, sidomos pas ardhjes në pushtet në vitin 1997. Tashmë ajo nuk është një forcë e majtë as nga pikëpamja sociologjike dhe as nga ajo ideologjike. Ideologjikisht në konfliktin kapital – punëtor PS-ja është rreshtuar tërësisht me kapitalin, duke u mburrur se në Shqipëri kanë vdekur sindikatat, të cilat synojnë reduktimin e pabarazisë mes aktorëve ekonomik të fuqishëm (kapitalit) dhe atyre të dobët (punëtorëve). Kjo lëvizje e thellë djathats është korrektuar në mënyrë shumë të zbehtë me mbrojtjen e të drejtave të gruas apo të minoriteteve të ndryshme, që sot janë tipike të artikulimit të majtë. 

Ndërkohë nga pikpamja sociologjike PS-ja më shumë se shtresat në nevojë përfaqëson sot shtresat e pasura, si brenda edhe jashtë partisë. Sikurse treguan edhe zgjedhjet e fundit mbështetja elektorale e PS-së është me e madhe në zonat dhe shtresat me të ardhura më të larta në krahasim me zonat dhe shtresat me të ardhura më të pakta. Pa përmendur faktin që tashmë pushtetarët socialist, si në ekzekutiv, në legjislativ, apo në adminstratën publike janë shumë larg shtresës së mesme. Përbërësit kryesor dhe më aktiv të Partisë Socialiste sot nga pikpamja sociologjike i përkasin shtresës së mesme të larë dhe shtresës së lartë, të paktën po ti referohemi të ardhurave të tyre.  

PD-ja, nga ana tjetër, shumicën e votave e merr nga shtresat më të margjinalizuara të elektoratit shqiptar, sidomos në zonat veriore. Ndërkohë thelbi i ligjërimit të saj ideologjik është denoncimi i elitës dhe shtresave të larta për pasurimin e tyre përballë varfërimit të shtresave në nevojë. Denoncimi i oligarkëve, dhe korrupsionit të elitës politike/ekonomike/mediatike/komuniste/puniste/socialiste/ në pushtet ka qenë thelbi i ligjërimit të Partisë Demokratike edhe kur gëzonte pushtet absolut. Në periudhën 1992-1997 ligjërimi demokrat bazohej në tezën se komunistët “lanë pushtetin politik për të marrë pushtetin ekonomik”. Para u transformuan nga një elitë politike në një elitë ekonomike. 

Ama kjo nuk do të thotë se PD-ja është një parti e majtë. Ligjërimi i saj anti-elitist historikisht është ndërthurur me koncepte qartësisht neoliberale, anti-statiste dhe në disa raste edhe konservatore. Ligjërimi i PD-së, i dominuar nga berishizmi, nuk ka pasur në thelb të tij reduktimin e pabarazisë por çlirimin e politikës, shoqërisë dhe ekonomisë nga elitat e korruptura social-komuniste. Kemi të bëjmë me një ligjërim thellësisht anti-elitist që nuk është i majtë.

Ky është në fakt thelbi i ndryshimit ideologjik në Shqipëri, mes të majtës, përfaqësuar nga Partia Socialiste dhe të djathtës, përfaqësuar nga Partia Demokratike. PS-ja është një parti thellësisht elitiste (jo domosdoshmërisht elitare!) si në ligjërim edhe në përbërje, ndërsa PD-ja është një parti thellësisht anti-elitiste si në ligjërim ashtu edhe në përbërje. Ky dallim është shumë më i rëndësishëm sesa ndarja e tyre ideologjike në aksin majtas – djathtas, pasi të dyja janë parti të djathta. 

Thelbi i ideologjisë socialiste sot është “ne jemi elitë dhe dimë ta bëjmë këtë vend” ndërsa kundërshtarët tanë janë “shpellarë të pacivilizuar dhe primitiv”. Ndërkohë që thelbi i ideologjisë së djathtë sot dhe dje, e përfaqësuar kryesisht nga berishizmi, është poshtë elita e korruptuar, e degjenaruar dhe perverse socialiste nën udhëheqëjen e Ramiz Alisë/Fatos Nanos/Edi Ramës/etj. 

Kjo ndarje ideologjike trupëzohet qartë tek dy liderët kryesor të së majtës dhe së djathtës sot. Udhëheqësi i PS-së Edi Rama artikulon një ligjërim thellësisht elitist, dhe shumë pak socialist, që reflektohet tek arroganca dhe përçmimi ndaj kundërshtarëve politik në veçanti si dhe ndaj shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Kjo e fundit e bezdis kryeministrin tonë me kazanet mediatike, me thashethemet dhe një popullatë dembele që merret vetëm me llafe. 

Ndërkohë e gjithë karriera politike e Berishës mund të përmblidhet tek denoncimi i elitave komuniste/pos-komuniste/socialiste si të degjeneruara, degraduara dhe të korruptuara. Në fakt është e pamundur të gjesh ndonjë elitë politike, mediatike, ekonomike apo kulturore si brenda ashtu edhe jashtë PD-së që nuk është denoncuar nga berishizmi. Këtu përtej elitave politike socialiste Nano-Meta-Majko-Rama, futet edhe elita anti-komuniste e djathtë e përfaqssuar nga Petrit Kalakula në qeverinë e parë Berisha, edhe elita politike nacionaliste e Abdi Baletës në vitet 90-të, si dhe elitat politike të prodhuara nga vetë PD-ja sic ishte dyshja Pollo-Sheshu dje.  

Ndarja e mësipërme mes një PD-je anti-elitiste dhe një PS-je elitiste nuk është rastësi. Ajo buron nga fakti që Partia Socialiste sot (ashtu sikurse edhe nëna e saj Partia e Punës dje apo gjyshja e saj Partia Komuniste pardje) përfaqëson një projekt modernizues. Komunizmi në Shqipëri nuk hodhi rrënjë si ideologji apo filozofi politike pasi Marksizmi nuk kish lidhje me realitetin socio-politik feudal shqiptar të viteteve 1940 ku gati nuk ekzistonte klasa punëtore. Komunizmi shqiptar pati sukses si një projekt komb-formues dhe modernizues që premtonte zhvillimin më të shpejtë dhe më efikas të Shqipërisë, sidomos përballë traumave sociale që krijonte sistemi kapitalist që prodhuan edhe Luftën e Dytë Botërore.  

E thënë ndryshe, dhe duke përgjithësuar në mënyrë brutale, shqiptarët nuk e përqafuan komunizmin sepse do eleminonte luftën e klasave, por sepse do ti ushqente dhe do ti zhvillonte më mirë dhe më shpejt se feudalizmi që linin pas dhe se kapitalizmi që kishin përpara. Po kështu edhe elitat shqiptare e përqafuan ideologjinë marksiste jo për dimensionin e saj filozofik, apo për drejtësinë sociale që do prodhonte, por si rruga më e shpejtë the efikase drejt modernizmit të vendit dhe konsolidimit të kombit. 

Modernizmi dhe konsolidimi i kombit do udhëhiqej nga elita e re komuniste që e përdori doktrinën marksiste – leniniste thjesht për të legjitimuar statusin e saj si partia avantgard.  Në gjuhën e Gaetano Moskës, marksizëm-leninizmi dhe nacionalizmi ishin formulat politike që justifikuan elitën e re në pushtet. Në thelb të kësaj formule nuk ishte dialektika marksiste apo materializmi historik por nacionalizmi, modernizmi, industrializmi dhe zhvillimi i vendit nën udhëheqjen e partisë avantgard, për të arritur tranzicionin e popullit shqiptar, dhe konosolidimin e kombit, nga prapambetja feudale drejt modernizimit komunist, duke evituar traumat e zhvillimit kapitalist.

Për vetë prapambetjen socio-ekonomike të Shqipërisë elita komuniste kish fare pak lidhje me klasën punëtore, pothuajse inekzistente në Shqipërinë e viteve 1940. Përkundrazi ajo buronte nga shtresa e mesme dhe e lartë e shoqërisë shqiptare. Shumica e themeluesve dhe figurave kryesore të Partisë Komuniste si Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Qemal Stafa, Sejfulla Malëshova, apo edhe Mehmet Shehu më vonë, nuk ishin punëtorë apo bujq, por intelektualë që vinin nga shtresat e mesme dhe të larta të popullësisë së vogël urbane shqiptare, shpesh të arsimuar në univeristete dhe akademi të Evropës perëndimore. Figura si Vasil Shanto, që ishte artizan dhe me prejardhje sociale modeste, ishin përjashtimi dhe jo rregulla e elitës komuniste shqiptare në fillimet e saj.  

Për nga prejardhja sociale komunistët shqiptar ishin shumë më larg klasës punëtore dhe fshatarësisë se komunistët e rajonit. Për ta kuptuar këtë mjafton të krahasosh Enver Hoxhën, lindur në një familje urbane të shtresës së mesme të lartë dhe i shkolluar në universitet në Francë, me udhëheqësit komunist të rajonit, Titon në Jugosllavi, Çausheskun në Rumani dhe Todor Zhivkovin në Bullgari. Zhivkovi lindi në një familje fshatare që nuk pati mundësi ta shkollonte mirë. Çaushesku gjithashtu lindi në një familje të varfër fshatare rumune dhe punoi si ndihmës-këpucar pa arritur kurrë të shkollohet mirë, dhe aq më pak të shkonte në universitet. E ngjashme është edhe historia e Titos, që lindi në një familje fshatare dhe bëri vetëm 4 vite shkollë gjatë fëmijërisë së tij, dhe më pas ishte punëtor në fabrika të ndryshme të Evropës Qendrore. 

Pra komunizmi shqiptar ishte produkt i shtresave të mesme/të larta dhe intelektuale dhe jo i fshatarësisë dhe aq më pak i klasës punëtore shqiptare. Natyrisht me kalimin e kohës, sidomos pas ardhjes në pushtet, Partia Komuniste filloi të hapej më shumë ndaj klasës punëtore dhe fshtarësisë; pjesërisht edhe si pasojë e nevojës së Enver Hoxhës për të hequr qafe konkurrencën. Ama komunizmi shqiptar me Enver Hoxhën në krye mbeti një projekt thellësisht elitist, edhe kur udhëheqja e tij u pasurua me përfaqësues të klasës punëtore dhe të fshatarësisë.   

Ndoshta për këtë arësye nacional-komunizmi në Shqipëri kish një dimension të qartë skizofrenik. Ai nga njëra anë lartësonte virtytet e popullit dhe klasës punëtore ndërsa nga ana tjetër i shikonte punëtorët dhe fshatarët nga lart poshtë. I trajtonte ata në mënyrë tejet paternaliste si fëmijë që duheshin orientuar nga elita komunsite sepse ishin një masë ende e paformuar. Ndryshe nga klasa punëtore në Jugosllavi që kish autonomi organizative dhe vendimmarrëse. 

Pavarësisht virtyteve të shumta, klasa punëtore, fshatarësia dhe populli në përgjithësi duhej të udhëhiqeshin nga elita komuniste sepse në thelb ishin ende tejet të prapambetur dhe injorante. Ata do modernizoheshin dhe formoheshin nga elita komuniste në pushtet. Ndaj ëndërra e popullit, punëtorit dhe e fshatarit në komunizëm ishte të mos ishte popull, punëtor dhe fshatar, pavarësisht lavdeve që i thurte regjimi.

Kalimi nga fshati në qytet, transformimi nga punëtor në intelektual nënkuptonte zhvillim, progres, modernizm dhe mbi të gjitha status social. Sa më larg klasës punëtore dhe fshatarësisë dhe sa më afër elitës komuniste aq më i lartë ishte statusi social në komunizëm. Llogjika elitiste dhe modernizuese ishte shumë më e rëndësishme në legjitimin e regjimit komunist se doktrina e thatë marksiste që prodhonin institutet tona. 

Në momentin që projekti modernizues komunist hyn në krizë në vitet 1980, pasi nuk prodhon më mirëqënie dhe zhvillim, komunizmi fillon dhe delegjitimohet. Pjesërisht edhe si pasojë e faktit se Enver Hoxha eleminon pjesën me elitare të Partisë së Punës që mund ti bënte hije, duke e zëvendësuar atë me përfqësues të klasës punëtore. Në një regjim politik që bazohej tek superioriteti i elites modernizuese ndaj popullit të prapamentur, më tepër se tek marksizmi, figura si Lenka Çuko, Muho Asllani apo Pali Miska ishin problematike për mungesën e theksuar të dimensionit elitar që supozohej se përfaqësonte Partia e Punës. Ndaj nuk ish rastësi që këto personazhe e bjerrnin legjitimitetin e Partisë së Punës teksa bëheshin objekt i talljes popullore. Në fund të viteve 1980 elita komuniste nuk perceptohej më si “elitare” apo “modernizuese” por si një udhëheqje injorante, regresive dhe anti-moderne.

Ndaj rënia e ideologjisë komuniste nuk shënoi rënien e paradigmës së modernizimit dhe aq më pak të elitizmit. Përkundrazi idea se Shqipëria duhej udhëhequr nga një elitë e ndriçuar që do ta modernizonte u forcua me rënien e komunizmit. Prapambetja dhe shkatërrimi ekonomik që prodhoi komunizmi dhe rënia e tij ishin dëshmi e qartë se Shqipëria kish nevojë ulëritëse të modernizohej. Ndërkohë degradimi elitës puniste me Ramiz Alinë në krye thjesht dëshmonte nevojën e një elite të re, më moderne dhe më evropiane se punistët e “mykur” shqiptarë.

Përballë degradimit të Partisë së Punës dhe elitës së saj puniste prodhohen dy ligjërime që reflektojnë dy nevojat akute të tejkalimit të kolapsit së regjimit komunist në vitet 1990-1992. Së pari, krijohet ligjërimi anti-elitist që përqendrohet tek rrëzimi dhe delegjitimimi i elitës në pushtet. Ky ligjërim përvetësohet nga PD-ja dhe kalërohet veçanërisht nga lideri i saj Sali Berisha që më mirë se kushdo e artikulonte dhe e trupëzonte denoncimin e elitës komuniste. 

Së dyti, krijohet ligjërimi elitist që reflekton nevojën e krijimit të një elite të re që do zëvendësonte elitën e vjetër komuniste. Ky ishte ligjërimi që përvetësohet nga Partia Socialiste që si karakteristikë të tranzicionit ka artikulimin dhe legjitmimin e një elite socialiste që do të udhëheqë modernizimin e Shqipërisë në tranzicion, ashtu sikurse PP-ja udhëhoqi modernizimin e Shqipërisë gjatë komunizmit. Për pasojë nëse PD-ja specializohet në denoncimin e elitave, PS-ja fokusohet në prodhimin e tyre. 

Në këto kushte Partia e Punës u transformua në Partinë Socialiste e cila thjesht duhet të zëvendësonte marksizmin me ideolgjinë e rradhës, pa ndryshuar aspak llogjikën bazë të projektit modernizues; një elitë e ndriçuar që udhëheq popullin e prapambetur. Në periudhën 1991-1997, Partia Socialiste tentoi të vishte ideologjinë social-demokrate, por pa sukses sepse kjo ideologji tashmë ish futur në një krizë të thellë edhe në Evropë. Pas vitit 1997 PS-ja përqafoi tërësisht ideologjinë dominante neoliberale që kish kritikur kur ishte në opozitë, duke vazhduar të gjitha reformat e nisura nga qeveria Meksi, por me më “kompetencë”. 

Ndonëse në pamje të parë zëvendësimi i ideologjisë marksiste me atë neoliberale duket i vështirë në fakt, sikurse e kanë vërejtur shumë autorë, neoliberalzmi dhe marksizmi kanë shumë pika të përbashkëta. Të dyja janë ideologji anti-shtet. Marksizmi synon eleminimin e shtetit ndërsa neoliberalizmi reduktimin e tij. Të dyja ideologjitë janë thellësisht dogmatike dhe elitiste. Ato propogandojnë ligjësi sociale apo ekonomike të hekurta që i njeh dhe i zbaton një elitë e ndriçuar. Neoliberalizmi predikon ligjet e tregut të lirë ndërsa marksizmi ligjet e materializmit dialektit apo të luftës së klasave. 

Për të gjitha këto arësye zëvendësimi i marksizmit me neoliberalizmin nuk ishte tejet traumatik. Krijimi i njeriut të ri komunist (që ishte altruist) u zëvendësua me njeriun e ri neoliberal (homos ecomicus që ishte egoist). Tranzicioni socialist drejt modernitetit komunist u zëvendësua me tranzicionin post-komunist drejt modernitetit kapitalist. Në të dyja rastet një elitë e ndriçuar ishte e nevojshme për të udhëhequr procesin modernizues dhe masat e paformuara popullore. 

Ndaj nuk është çudi që socialistët u transfomuan në kapitalistët, liberalët dhe neoliberalët më të thekur të tranzicionit shqiptar. Lideri socialist Fatos Nano ishte më larg ligjërimit punist dhe komunist dhe më moderni ndër udhëheqësit politik të brezit të tij. Elita e re socialiste legjitimohej në pushtet si grupi më i aftë për të realizuar modernizimin e ri të vendit, tashmë drejt kapitalizmit liberal. 

Në frazën legjendare të Pjetër Arbnorit, ata “nuk ishin socialista por specialista”, preket thelbi i projektit socialist që nuk kish fare lidhje me socializmin si ideologji por me aftësinë për tu legjitimuar (dhe vjedhur) në pushtet si një grup politik i specializuar për të qeverisur, modernizuar dhe udhëhequr masat. Socializmi shqiptar mbetet në thelb një projekt modernizues, tashmë neoliberal, që legjitimon pushtetin e elitës socialiste. 

Si në çdo projekt elitist dhe modernizues edhe këtu elita në pushtet e sheh shoqërinë, popullin dhe elektoratin nga sipër, pra shpesh me përçmim. Ky përçmim shprehet publikisht nga kryeminsitri Rama teksa u thotë biznesmenëve që të marrin punëtorë nga Banglandeshi sepse shqiptarët merren vetëm me llafe dhe nuk punojnë. Në ligjërimin e Ramës koncepti “popullor” nënkupton injorancë dhe prapambetje. Ndaj ai flet me përçimimn për “kalkulatriçet popullore” me të cilat mediat llogarisin humbjet e inceneratorëve. I njëjti përçmim dhe e njëjta arrogancë reflektohet edhe tek komunikimi i kryeminsitrit me gazetaret dhe gazetarët e thjeshtë që kontraston fort me respektin që kryeminsitri tregon me pronarët e tyre, edhe kur u shëmb kullat. 

Pa përmendur ankimin konstant të socialistëve gjatë opozitarizmit të dytë të tyre (2005-2013) se shqiptarët ishin tejet injorant dhe ndaj votonin Sali Berishën. Ky përçmim shprehej veçanërisht qartë në zonat më të margjinalizuara të kryeqytetit si Bathorja ku socialistët dhe intelektualët e tyre shprehin në mënyrë shpesh brutale përçmimin për popullatën e “pagdhendur” veriore që mbështeste PD-në e Berishës duke e identifikuar atë me informalitetin, krimin, rrumpallën dhe prapambetjen. A thua se kriminaliteti, rrumpalla dhe informaliteti nuk ekzistonin tek blloku. 

Për këtë arësye epiteti themelor që përdorin socialistët për të cilësuar kundërshtarin e tyre politik është “shpellar”. Përballë “shpellarëve” berishist socialistët janë të qytetëruar, të edukuar dhe modern. Sikurse thotë udhëheqësi Rama “vetëm ne dimë ta bëjmë këtë vend”. “Ne” nënkupton elita socialiste modernizuese në pushtet. Ashtu sikurse dje vetëm Partia e Punës dinte ta modernizonte Shqipërinë e prapambetur.

Ligjërimi elitist dhe modernizues me të cilin legjitimohet Partia Socialiste nuk do të thotë se brenda saj mungojnë figura të rëndësishme politike që nuk janë elitist as në prejardhjen sociale dhe as në artikulimin politik. Karriera politike e Namik Dokles, Gramoz Ruçit dhe e Ilir Metës brenda PS-së është dëshmi e këtij fakti. Ashtu sikurse fakti që asnjëri prej këtyre kandidatëve nuk është projektuar si kryetar i PS-së dhe as ka arritur ta kontrollojë atë tregon se Partia Socialiste i përket elitës socialiste shumë më tepër se atyre që vijnë nga populli, edhe pse këta të fundit i duhen në terren. 

Dështimi i Ilir Metës për t´ia marrë PS-në Fatos Nanos në fillim të viteve 2000 është një tjetër dëshmi e dimensionit thellësisht elitist ë PS-së.  Edhe pse Ilir Meta si kryeministër kontrollonte pothuajse të gjitha pushtetet dhe buxhetet dhe kish blerë një pjesë të mirë të mediave ai nuk arriti tia merrte PS-në Fatos Nanos që ishte me “duar në xhepa” dhe tërësisht i mënjanuar nga qeverisja socialiste. Nuk është rastësi që midis Fatos Nano, që si në prejardhje sociale edhe në formim përfaqësonte elitën e re socialiste, dhe Ilir Metës, që përfaqësonte popullin e thjeshtë socialist, fitoi Fatos Nano. 

Elitizmi i Partisë Socialiste kontraston shumë me ligjërimin berishist që karakterizon Partinë Demokratike. Në gjithë ligjërimin e tranzicionit të Berishës është e vështirë të gjesh përçmim për popullin e thjeshtë, fshatarësinë, elektoratin, shoqërinë shqiptare apo për gazetarët, madje edhe kur i dhunon ata. Ndryshe nga elita socialiste që është krenare për prejardhjen e saj nga elitat e komunizmit, që shpesh legjitimon edhe karrierenë e tyre politike brenda PS-së, berishizmi është krenar për prejardhjen e tij sociale jashtë elitës sociale komuniste. Berisha është thellësisht krenar për orgjinën e tij modeste dhe aspak i preokupuar që nuk i perket elites së etërve dhe të bijëve. Përkundrazi, ky është aseti i tij kryesor politik që shpesh nuk kuptohet nga kundërshtarët e tij elitist.

Është një aset që Berisha e ka ruajtur dhe kultivuar me kujdes duke projektuar gjithnjë imazhin e një personi që edhe pse tejet i shkolluar nuk i përket elitës së degraduar. Shprehjet e tij thellësisht veriore, shkeljet e shpeshta të gramatikës së shqipes, të tipit “ju keni punur, luftur, etj.” më shumë sesa produkt i paaftësisë së tij për të folur shqipen letrare, janë një mënyrë për tu identifikuar me shqipen autentike të popullit dhe jo me atë të elitave. 

Anti-komunizmi i Berishës në fillim të viteve 1990 ishte anti-elitizëm më shumë se një ligjërim doktrinor apo një ideologji e qartë politike që kritikonte doktrinën marksiste. Urrejtja ndaj bllokut, apo bllokmenve nuk kish të bënte me ideologjinë e tyre komuniste por me statusin e tyre elitar. Pikërisht për këtë arësye një ish komunist i bindur si Berisha mund ta artikulonte dhe trupëzonte fare mirë urrejtjen popullore ndaj elitës komuniste, në mënyrën më puniste të mundëshme, sepse nuk ishte një urrejtje ideologjike por sociale. Në këtë ligjërim mëkat nuk ishte përqafimi i ideologjisë komuniste, por të bëje pjesë tek elita e degraduar e bllokut, që në fakt e kish tradhtuar ideologjinë komuniste duke e dhunuar dhe mashtruar popullin. 

Në këtë kontekst karizma politike e Berishës kombinuar me prejardhjen e tij gjeografike dhe sociale e bënin Berishën kandidatin perfekt për tu transformuar në pishtar të anti-elitizmit shqiptar. Veriu ishte zona më e margjinalizuar dhe e përçmuar nga elita komuniste shqiptare dhe projekti i saj modernizues. Ndërkohë prejardhja modeste sociale e Berishës çertifikonte distancën e tij nga elitat dhe hidhte poshtë çdo akuzë se suksesi i tij profesional në komunizëm ishte produkt i lidhjeve me bllokun komunist.

Nuk ishte aspak rastësi që kur u zgjodh president në vitin 1992 Berisha vendosi të mos shkonte në pallatin presidencial ku kishin jetuar elitat komuniste por të jetonte në apartamentine tij modest në Tiranë. Me intuitën e tij të mprehtë politike ai e kuptonte se ruajtaja e statusit anti-elitë ishte themelore për të sidomos në momentin kur bëhej President i Republikës. Akti i Berishës për të mos shkuar në pallatin presidencial pati një jehonë të madhe në elektoratin shqiptar dhe betonizoi statusin e tij anti-elitist. 

Ky status i garantoi një fitore të qartë Berishës ndaj rivalëve të tij në PD si majtas edhe djathats. Ligjërimi anti-elitist i delegjitimonte lehtë si elitat e “majta”, të tipti Pashko, Ceka apo Zogaj, edhe elitat e djathta të tipit Kalakula, apo ato nacionaliste të tipit Baleta. Fryma anti-elitiste e PD-së nënkuptonte se projekti i saj politik nuk ishte zëvendësimi i elitës së majtë apo komuniste me elitën e djathtë balliste apo legaliste. Jo rastësisht i vetmi kundërshtar i vështirë në PD për Berishën ka qenë Azem Hajdari, kundër të cilit ligjërimi anti-elitist nuk funksiononte. 

Ligjërimi anti-elitist i ka shërbyer Berishës jo thjesht për të delegjitimuar rivalët politik, por për të eleminuar procesin e formimit të elitave të reja politike brenda PD-së. Ligjërimi anti-elitist me theksin e tij tek denonicmi i elitës së korruptuar vështirëson krijimin e një elite politike alternative, pasi çdo elitë është e dyshimtë. Karriera në PD historikisht ka nënkuptuar adoptimin e një ligjërimi shpesh agresiv, të ashpër, pak koherent, dhe anti-elitist, jo thjesht sepse duhet të përsërisësh dokrrat e shefit, por edhe sepse duhet të vërtetosh që nuk je pjesë e “elitës së korruptuar” por e “popullit” të zemëruar. 

Në këtë aspekt berishizmi ka një dimensión të fortë anti-intelektual. Ai e shikon me dyshim çdo politikan “elitar” jo vetëm sepse i bën hije shefit por edhe sepse kërcet me ligjërimin anti-elitist të berishizmit. Ndaj karriera politike në kuadrin e ligjërimit anti-elitist të berishizmit nënkupton një proces sa de-elitizimi aq edhe de-intelektualizimi për tu integruar në garnizonin pothuajse ushtarak të denoncuesve të elitave të korruptuara socialiste. 

Nuk është rastësi që në tridhjetë vite tranzicion Partia Demokratike nuk ka arritur të krijojë një elitë politike të djathtë. Aq më pak mund të flitet për elita të djathta kulturore apo ekonomike, ndonëse këto të fundit rrallë kanë ngjyrim të qartë politik. Denonocimi i çdo lloj elite si brenda dhe jashtë PD-së është pjesë e ligjërimit anti-elitist po aq sa produkt i interesave të ngushta të shefit. 

Për ta mbyllur këtë përsiatje të gjatë mund të themi se përplasja reale mes së djathtës dhe së majtës në Shqipëri në tre dekadat e fundit mund të përmblidhet në përplasjen e ligjërimit anti-elitist të së djathtës me ligjërimin elitist të së majtës. Të djathtët e akuzojnë të majtën si një elitë e degraduar dhe e korruptuar, ndërkohë të majtët argumentonë se ata janë një elitë reale dhe modernizuese që dinë të qeverisin ndryshe nga të djathtët berishist që janë “shpellarë”.  

Të dyja këto ligjërime sot ndodhen në një krizë të thellë. Berisha nuk është më i aftë të denoncojë neo-bllokmenët socialist nga pallati i tij luksoz në Bllok. Aq më tepër kur komunikimin direkt me popullin e varfër ia pengojnë kullat e larta të dhëndrit. Rama nga ana tjetër e ka gjithnjë e më të vështirë të bind shqiptarët se po qeverisen nga një elitë modernizuese ndërkohë që procesi i prodhimit të elitave politike në PS është bllokuar, qeveritë e tij kanë numrin rekord të ministrave anonimë, ndërsa Shqipëria si kurrë më parë po zbrazet nga truri. Vetëm ligjërimi i fortë anti-elitist i berishizmit arrin ta mbulojë mediokritetin e thellë të “elitës” socialiste në pushtet. 

Por për mos ta lodhur më shumë lexuesin dhe lexuesen, krizën e projektit politik demokrat dhe të atij socialist do ta shtjellojmë në vijim në artikullin me titullin e thatë Kriza e projektit politik demokrat dhe socialist.

*Artikull i Blendi Kajsiu i shkruar enkas për Lapsi.al


41 Comments

    1. E majta në Shqipëri është ajo forcë politike që e ka mbajtur pushtetin 80 vjet hiq 1992-1997 dhe 2005-2013 dhe që gjatë qeverisjes së saj shkatëroi Shqipërinë dhe degradoi shqiptarin në qënien më pa dinjitet që mund të ketë mbi Tokë.

      E majta ta kem në dorë unë e shpall jashtë ligjit,

      E djathta nuk pati kohë të tregojë veten edhe pse në vitet 1925-1939 nisi të bëjë gjëra të mira në këtë vend me 90% popullsi fshatare injorante që u gënjye nga komunizmi!

      1. Po çpret nga nje milet qe ne shumice absolute mendon se EDI RAMA eshte i majte? Edi eshte uzurpator i Partise se punes , por si person as ka qene as eshte i majte. Ai me rilindjen jane me te djadhte se e djathta. Ortak i oligarkeve, PPP – ista, Po si mund te jete i majte ai qe DYFISHON Rrogat e Deputeteve, ministrave dhe jep 5%. Per Pensionistet dhe ndihmat sociale. Si mund te jete i majte ai qe takson STUDENTET.

      1. Analiza qe ben Kajsiu eshte tejkaluar qe ne shekullin qe lame pas. Konsideratat e tij per te majten dhe te djathten kane vulen e nje ideologjie te deshtuar dhe po te tejkaluar qe ne shekullin e XX. Konceptet e tij jane te kohes se luftes civile ne Spanje; qe i bie nje shekull me pare pothuaj.
        Ideologjia e majte , e zotit Kajsiu, ka deshtuar ne menyre sa spektakolare po kaq te turpshme; sa komike po kaq tragjike, po te numerojme qindra milione viktimat qe solli me vete kjo ideologji gjate gjithe shekullit te XX.
        Te gjitha statistikat thone qe qeverite me te korruptuara dhe te deshtuara ne Europen Perendimore, pergjate shekullit XX, kane qene , me ndonje perjashtim, te gjitha te majta. Ky fakt , qe per fat te keq u desh nje shekull qe te vertetohej, ka bere qe shume njerez te urte te dijes, te shprehen pak a shume keshtu: qe e majta eshte e mire ne opozite, si opozite, per te denoncuar, meqe ka dellin dhe zellin denoncues te “padrejtesive” ( e veme ne thonjeza, sepse padrejtesite per te cilat flasin te majtet jane demagogji gerditese); por me te ardhur ne pushtet, ajo eshte nje deshtim i plote dhe detyrohet te lepije gjithe cka peshtire kur ishte ne opozite.
        E majta ne Shqiperi eshte e induktuar nga jashte. Pioneret e pare te saj ishin njerez te rekomanduar nga Kominterni ( ne Moske), per te perhapur ideologjine bolshevike ne Shqiperi; kjo qe ne kohen e Mbretit Zog. Strukturimi i pare i se majtes shqiptare u be ne vitin 1941, kur dy emisaret serbo-malazeze, po ashtu me mandat nga Kominterni, themeluan Partine Komuniste Shqiptare; qe nga ajo kohe e deri me sot, kjo parti eshte dominuese ne jeten politike te Shqiperise, me ndoca retushime te vogla ne emer, ne fillm si Parti Komuniste, pastaj si Parti e Punes, sot si Parti Socialiste; po i njeti soj i felliqur eshte: gjysherit, baballaret, bijte dhe nipat sot.
        Kajsiu duhet te beje bilancin e qeverisjeve PD-PS; kur ka pasur me shume zhvillim, demokraci dhe mireqenie; me fakte dhe statistika, jo me paragjykime qesharake.
        Kajsiu duhet te kuptoje, se pse PD-ja ka me shume mbeshtetes ne Veri. E verteta eshte kjo: sepse PS-ja ka mbeshtetes ne Jug. Mund te duket si loje fjalesh e pakuptimte, por jo. Qe kur e moren pushtetin komunistet, pergjate gjysemshekulli, e gjitha jeta politike ekonomike sociale ate bote dominohej nga Jugu; sepse aty e kishin origjinen dhe mbeshtetjen komunistet; ata pak veriore qe ishin ne pushtetin e kohes, ishin sa per syrin e keq, si te thuash. Keshtu kur u rrezua sistemi komunist, krejt natyrshem, ne rrethanat e reja, lindi nevoja per perfaqesim, edhe te ketyre verioreve te margjinalizuar per 50 vite, ne jeten politike; dhe keshtu ndodhi; sepse nuk kish si te ndodhte ndryshe; sepse eshte gjeja me e natyrshme qe mund te ndodhte; dhe fundja, sepse vete pushteti krahinor (jugor) i 50 viteve komunizem, e bente kete nje reagim ne kushet e detyrim-percaktimit, po te perdorim nje term nga dama.
        Kajsiut as i shkon ne mendje kjo, sepse, per te ashtu si edhe per shume te sojit te tij, dominimi krahinor eshte i natyrshem, meqe Jugu (nenkupto PSj-a) eshte “elitist” kurse Veriu (PD-ja) eshte “malok”. Keshtu kur vjen ne pushtet PD-ja, ketyre u duket si dhune krahinore, si padrejtesi…. sepse eshte prishur rendi “natyrshem” i gjerave!!!
        C’soj i peshtire!

  1. Mbylle sqepin moj gojesperme e perdhunuar….
    Ushtttt te qifsha pragun moj pisanjoze.
    Logodiarrre e qelbure.
    Rropqire e ndyre.
    As kurvat e pragut tend nuk te votojne.
    Sepse ato ja shesin voten psd se tome kurvarit ose ndonje banditi tjeter vrasesi kokepalare.
    Ptuuu legen.

  2. Per konceptin e inte -leh-ktualit Kajsi, modernitet i elitave komuniste ishte mbushja e Shqiperise me kampe shfarosese si ai I Tepelenes , me burgje politike,me varret e atyre qe tentonin te largoheshin nga ky
    modernitet komunist, ishte vrasja me gjyq e pa gjyq, modernitet ishte zhdukja e elites intelektuale
    qe kishin stgudiuar ne shkollat e Europes, ishte lufta e klasave, rrembimi i prones, zvetenimi e depersona-
    lizimi i njeriut, varferimi ekstrem , shembja e objekteve te kultit, ndalimi i fese dhe vrasja e burgosja e klerikeve
    ishte perpjekja per te zhdukur nga qarkullimi gjuhen e me shume se gjysmes se popullit shqiptar qe
    fliste dialektin e bukur gege.
    Per inte-leh-ktualin Kajsi modernitet i socialisteve ne pushtet eshte korrupsioni, degjenerimi moral
    deri ne perversitet, luksi i shfrenuar qeveritar, perbuzja dhe urrejtja ndaj popullit, percarja deri ne
    armiqesi mes popullit opozitar dhe atij qe mbeshtet socialistet.

  3. Dhe si për të na plotësuar të plotë kuadrin e përngjasimit me Al Kaponen të Sali Berishës, ka menduar dhëndri i tij Jamarbër Malltezi me atë paraqitjen që bëri dhe ai para SPAK. E kemi fjalën për mënyrën se si ishte veshur. Pasi në kokë mbante kapelen ‘Republika’. Kishte veshur xhaketë me jelek kafe e kollare të verdhë e në xhep mbante një shami të kuqe. Duke na kujtuar portretet e botës së krimit të viteve ‘40 në SHBA

  4. Në Shqipëri, këto dallime janë aq të pakuptimta saqë mund të ndahen parti politike bazuar në preferencat për ngjyra të çorapeve të tyre. Në Shqipëri, e majta dhe e djathta janë aq të ngjashme saqë të dyja i pëlqejnë të njëjtin lloj kafeje – të ftohtë dhe të zbehtë. Në politikën shqiptare, elitizmi dhe anti-elitizmi janë si dy anët e të njëjtit monedhë: njëra palë flasin për popullin nga karriget e tyre të larta, ndërsa pala tjetër flasin për popullin por harrojnë të dëgjojnë atë që thonë. Në Shqipëri, partitë politike janë kaq të angazhuara në ‘modernizimin’ saqë kanë harruar se çfarë do të thotë të jenë të lidhur me realitetin e popullit.

  5. Vdekshin idiotët, patronazhistët, parazitët, dembelat dhe neokomunistët. thotë:

    Dyshoj se ndonjëri e ka lexuar shkrimin nga fillimi deri në fund sepse në rradhë të parë lexuesit e arsimuar të këtij portali me të drejtë që në fillim paragjykojnë shkrimet e kajsiut sepse refreni i tij i përhershëm është: Fajin e ka Saliu! Arsyeja tjetër është se shkrimi është shumë i gjatë ku ka më tepër ide të politologëve të tjerë jo shqiptarë të vendosura në shkrim edhe si ide të kajsiut, se sa një vështrim realist i politikës dhe shoqërisë shqiptare.

    Teoritë politike besoj se kanë qenë krijuar në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20, nga intelektualë anti borgjezi si pasues të Marksit e tj ideologë të majtë.

    Nuk besoj se përveç këtyre gjasme intelektualëve që e kanë profesion, paguhen, mbajnë familjet me të tilla analiza i lexon kush tjetër këto mut analizash që të lodhin që në fillim.

    Çështja është më e thjeshtë është lufta për pushtet shkaku që ideologët e majtë, sidomos, zhyten në të tilla analiza që nuk prodhojnë asgjë, veç paqartësisë dhe mjergullës për të kuptuar se çfarë duan të thonë.

    Politika dhe feja janë bërë mjete për të sunduar turmat injorante që nuk e rruajnë për analiza të tilla, ata si tifozë janë rreshtuar majtas apo djathtas.

    Janë mënyra e qeverisjes dhe ekonomia individuale që në mënyrë racionale i rreshton njerëzit të mbështesin njerën apo tjetrën forcë politike në cilin do anë të jetë ajo forcë, militantët që kanë përfitime ekonomike janë tjetër gjë.

    Aq më tepër të bësh një analizë të politikës në Shqipëri është të rrahësh ujë në havan, shqiptari, pjesa më e madhe janë injorantë dhe as e vrasin trurin për analiza të tilla, shumica e tyre edhe për nga origjina janë me bindje të majta, karakteristikë kjë e shtresave më të varfra e gjysëm të arsimuara.

  6. Vdekshin idiotët, patronazhistët, parazitët, dembelat dhe neokomunistët. thotë:

    Po të lexosh me kujdes gjen pa fund kontradikta dhe të pavërteta si psh: kajsu shkruan “Komunizmi shqiptar pati sukses si një projekt komb-formues dhe modernizues që premtonte zhvillimin më të shpejtë dhe më efikas të Shqipërisë, sidomos përballë traumave sociale që krijonte sistemi kapitalist që prodhuan edhe Luftën e Dytë Botërore.”

    Kjo shprehje është tregues ose e injorancës ose e anshmërisë komuniste të autorit.
    Sepse nqs do të analizojmë gjendjen e Shqipërisë sot, jemi vendi më i varfër në rajon, as nuk krahasohemi me rajonet e tjera të Europës, atëherë ku qenka suksesi i komunizmit shqiptar që ka qeverisur në 90 përqind të kohës në këtë periudhë 1944-2024?!!! E kundërta është e vërtetë komunizmi eleminoi elitën e djathtë në 1944-1948, dhe e zevendësoi me terroristë injorantë e të paarsimuar që do të ishin elita e re e Shqipërisë.

    Të tilla pasaktësi e gafa mund të gjesh sa të duash në kët paçavure, konste e përhershme, e kajsiut.

    1. Vdekshin idiotët, patronazhistët, parazitët, dembelat dhe neokomunistët. thotë:

      Të tilla pasaktësi e gafa mund të gjesh sa të duash në kët paçavure, konstante e përhershme, e kajsiut.

  7. Shkrim shume i thelle. Shpresoj qe ndonje profesor sociologjie ne Shqiperi ta kopjoj dhe ta bej pjese te kurrikules se universitetit. Flm z. Kajsiu si gjithmon super, do tja keshilloja shkrimet tuaja cdo te huaji dhe Shqiptari qe do ta njoh me mire realitetin socio-politik te vendit.

    1. Koqe ky 09:26 dhe tjetri qe shkuan duke pretenduar se eehte sociolog i bires bythes nuk eshte tjeter veçse buri e çare e propagandes se hajduteve e llumit shqipetar,………. qe nuk eshte i zoti ta kamufjoje,….. nje hale dhe aq!

  8. nëse diktatura nuk do ishte shembur në ‘90, me të gjitha gjasat Rama do kishte përfunduar në skuadrën e pushkatimit nën akuzën për poliagjent, ndërsa Berisha do ishte nga skuadra e pushkatimit. Majko do vazhdonte të ishte sekretar i Partisë Komunistë ndërsa Basha do ishte zëvendësi i tij. Meta mund të ishte drejtor i hidrocentralit të Fierzës”

  9. Per te mos hyre aq gjate sa KAJSIU , ketu ne Shqiperi e majta aktuale eshte nje grup
    njerzish me ne krye KM, te pafe, te pa atdhe, te pamoral, te pangopur, perverse, shpirtzi
    antikombetar, te pa din e imam qe per interesat e tyre personale nuk ndalen para
    asgjeje. Keta nuk kane asnje lloj reference morale, nuk kane asnje lloj ndjeshmerie
    njerzore, per ta vuajtejet e njerzve jane kenaqesi. Baballaret e tyre kane vrere , torturuar
    u kane marre njerzve bagetite e fundit me qellim qe femijet mos te kishin qumesht
    i kane vrare maleve tek arratiseshin. Sot nuk vrasin por po te kishin mundesi do ta benin
    me kenaqesi.
    E djathta ka si elektorat njerzit kryesisht te vrfer, te skeduar ne listat e patronazhisteve ,
    te targetuar per tu lene pa pune, per te perdorur ligjin ndaj tyre ne menyre selektive, per
    ti gjobitur, per tu vene fadromat mbi shtepi, e me ne fund per tt larguar nga Shqiperia.
    E djathta eshte me frikacake, me e paorganizuar, mendojne se kane te drejta dhe se
    e drejta heret ose vone triumfon duke harruar se e drejta ose fitohet me force ose nuk
    fitohet fare.

    1. Dakors, por ke harruar që edhe e djathta janë nje grup
      njerzish me ne krye një ish-KM, te pafe, te pa atdhe, te pamoral, te pangopur, perverse, shpirtzi
      antikombetar, te pa din e imam qe per interesat e tyre personale nuk ndalen para asgjëje.
      asgjeje.

  10. Sociologu i bires bythes na meson se kudh eshte e djathta dhe kush eshte e majta! E djathta o sume: eshte ajo qe ka çuar shoqerine njerezore perpara dhe e majta eshte ajo qe e ka tradhetuar kete shoqeri qe negjeneze te saje! Nuk e them une por eshte historia ajo qe e thote…. Shqiperia nuk ka nevije per llafolloge por per njerez patriote te vertete! Eshte e qarte qe paguhesh per sasi jo per cilesi mendimesh ( sepse nuk ke mendim) per tu mare ne konsiderate! Tyç!

  11. E majta eshte ne shqiperi nje MUT I MADH dhe ne krye te saj ka qene dhe eshte nje mut ta haje.E djathta eshte ?Nuk e di ceshte,se ska qene kurre ne shqiperi.

  12. Ky me vërtetë është bërë tepër qesharak!!!
    Po na filozofon me filozofinë e ideologjive të shndërruara në projekte politike!!
    Po na thon neve që kemi një moshë dhe dhe të paktën për vendin tonë kemi aq praktikë jete dhe e dimë mirë se kush është e majta dhe e djathta.
    Në diktaturë e majtë ekstreme represive me ekonomi të dështuar.
    Në demokraci e majtë për të xhvatur sa më shumë në qeverisjet e saj.
    Kulmin arrin me rilindasit që është njehsuar me qeverisjen tipike oligarkike Putiniste.
    E djathta në përpjekje për një filozofi e një qeverisje për kohën kur erdhi në pushtet me një ekuilibër social për vet kushtet e vëndit.
    Për shtet ligjor dhe të drejtë me çdo shtresë sociale.
    Po çakallët ish komunistë të shndërruar në socialistë e rilindas nuk rinin dot pa ardhë në pushtet.Por shtresat që duhet të mbronin pak bënë,dhe shfrytëzuan të qënit në pushtet me shumë për t’u pasuruar me trafiqe,vjedhje e korrupsion duke rivendosur neodiktaturën oligarkike!!

  13. Në mës gaboj, ky zotëria Kajsi jeton për shumë kohë në një vend të Amerikës Latine ku gëlojnë teoritë majtiste revokucionare alla Çe Guavara apo Kastro, të përzjera me “konkurencën ekonomike kapitaliste” të kartelave të drogës.
    Etapat e evolucionit social të shoqërisë, i ndan me mendësinë se etapa e fundit na qenka ideollogjia komuniste, si ideollogjia “më moderne”.
    Ideollogjia komuniste paska sjellë “eilitat intelektuale” e për ta ilustruar këtë, na sjell si fakt që diktatori shqiptar komunist Enver Hoxha, sipas tij , paskej mbaruar studimet e larta në Francë.
    Edhe fëmijtë tani në Shqipëri e dijnë se Enver Hoxha nuk arriti të përfundojë edhe provimet e vitit të parë të studimeve të larta në Francë pasi paratë e bursës së dhëna nga qeveria e Ahmet Zogut, e paratë e kunatit të tij që më vonë e pushkatoi, i harxhonte duke vagabonduar në lokalet e orgjive të natës.
    “Modernizimin” e elitave intelektuale në sistemin diktatorial stalinist shqiptar, e gjen tek arsimimi i plebejve që shkollat e larta të perandorisë sovjetike mësuan ndërtimin e sistemit “human” të diktaturës së proletariatit.
    A ka qenë në të vërtetë ideollogjia komuniste, një ideollogji “moderne” ?
    Aspak.
    Krejt e kundërta.
    Ka qenë ideja e një rikthim në sistemin e komunave primitive të para disa mijra vitesh ku njerëzit sapo kishin dalë nga stadi i kafshëve e jetonin në kope e ku nuk kishte filluar edhe koncepti i familjes, si bulëza themelore e ndërtimit të shoqërisë njerëzore..
    Parimi ekonomik stalinist i kolektivizimit të gjithë pronave, që u eksperimentua me zell të madh nga diktatori Hoxha në Shqipëri, ishte një kthim prapa edhe në sistemin monarkik feudal, pasi diktatori komunist na u bë një monark absolut, pronar jo vetëm i të gjitha tokave, por edhe gjithë kokave.
    Marksizmi në të vërtetë si ideollogji u mbështet tek eksperimenti i dështuar francez i Komunës së Parisit, që solli kokëprerjet barbare me gijotinë e modeli i Komunës së Tiranës, prodhoi me qindra mijëra viktima tek shqiptarët që deshën të mendojnë me kokën e tyre e jo të diktatorit..

  14. Mahhh, sic e thone edhe njeri nga komentuesit, artikull i mbeshtetur ne plot pasaktesi historike.

    Autori, ka nje teze te tijen, dhe ben bashke disa argumenta te cilat nuk mund te qendrojne se bashku, vetem per te konfirmuar tezen e tij. Tipike e hulumtuesve sociolog.

    1. Armiku i popuIT
      PD PS Tregojne qe kane pjelle e diktatures
      We dine vetem te vjedhen te burgosim dhe tu sherbejne interedave te nje klani te caketur paideale partjake nacjonaliste ekstremiste
      Njerez te pa pergjegjeshem per popullin
      Politika e tire esht ti sherbeje kastes kriminale te oligarkis ne sherbim te keqes se popullit
      Ne nje udhekriq we me politiken e tire krijojne disfatizmin e shoqeris
      Shpresae nje politike rracjonale esht shum larg
      Ideollogjia islamoo komuniste politikanet e shqiperis jan ejashte orbitres se konceptit partjak
      Partit shqipetare jane me shume parti nacjonaliste getare se sa socjal femokrate
      Ne dhwiperi pa zhfukut mentalitetnislamo komunist nuk mund te linde demoktasia dhe socjalizmi

  15. 80% e komenteve te mesiperme, jane shkruar nga i njejti njeri, kompleksiv, inatci ndaj autorit, analfabet funksional, qe ve pseudonime te ndryshme dhe replikon me vetveten, e aprovon mendimin e vetes dhe mundohet te krijoje idene sikur ky mendim i pagdhendur, eshte masiv.

    Shkrimi eshte cilesor, i argumentuar, i sakte dhe objektiv. Ai konfirmohet nga realiteti dhe sekelldia qe ndjejne prej ketij shkrimi njerez te shkeputur nga realiteti jane deshmia me e mire e kesaj te vertete.
    Urime Kajsi.

    1. Suzit i pëlqejnë kajsitë, po pse mgul këmbë që edhe të tjerët të hanë vetëm kajsi ?
      Mund të ketë një Suzi tjetër që i pëlqeejnë bananet, a mos duhet që të gjithë të rinë me banane në gojë ?
      Meqë Suzit i pëlqen mendësia “intelektuale” e Kajsiut që pretendon se komunizni paskej sjellë “elitat” e si pasojë “modernizimin” e shoqërisë, a mund të na e shpjegosh faktin se pse perandoria lindore europiane sovjetike , flaku tej sistemin komunist e ju bashkua sistemit perëndimor kapitalist e jo e kundërta ?
      Përse shqiptarët preferojnë të emigrojnë në SHBA Britaninë e Madhe apo Gjermani, e jo në Rusi apo Korenë e Veriut ?
      Mandej pse moj Suzi bëhesh kaq qesharake kur cilindo që ka mendim ndryshe nga ti , e “damkos” me fjalët “analfabet funksional”
      Nëse ke hapur ndonjë kurs kundër analfabetizmit, na e jep adresën se do të vijmë te regjistrohemi për të mësuar prej teje të shkruajmë. gjuhën shqipe, do të fitoje goxha para, ama nëse je vetë analfabete do të falimentoje duke na kthyer paratë.

      1. Po, me pëlqejnë kajsitë. Ma sill kajsinë tënde të ta çaj më katç. Të vjen inat që komunizmi e modernizoi Shqipërinë. Plas.

  16. “Efektet” e arrestit shtëpiak?! Berisha: Shqiptarët të arrestojnë Edi Ramën, ta kapim dhe…!Te rroni vete o cecene maloke e shpellkare ku do ndodheni,se salihu i berishajve na ka lene shendene.dy jave ne arrest tjetri e mbush diten me mbrockulla.

  17. Përse hesht Berisha për oligarkun e qeverisë?

    Po Bardhi dhe deputetët e tjerë që deri më dje kur ishin me Bashën bënin akuza ndaj oligarkëve, sapo u futën në sqetullën e Berishës e kanë mbyllur gojën dhe nuk flasin më ndaj tyre?

    Mjafton të ngrini këto pyetje dhe t’u jepni përgjigje dhe e kuptoni se kush janë pengjet e vërtetë

  18. Berisha donte që të vriste njerëz atë ditë. Ata u vranë për të dëshmuar se Berisha ishte njeriu që e bënte zap këtë popull. Por, gaboi sepse u bënë kur demonstrata kishte mbaruar, por ishin për të treguar që ne e bëjmë zap këtë popull dhe donte që t’ja tregonte ndërkombëtarëve. Ka shumë punë sepse është mbyllur njëherë, njëri prej tyre s’ka vrasës, por rëndësi ka se kush urdhëroi. Ai e tha edhe më vonë që unë vrisja edhe 1 mijë, madje edhe Edi Ramën nëse vinte këmbën në oborrin e Kryeministrisë.

  19. E kuptoj që është mërzit duke dalë në ballkonin e shtëpisë së vet çdo natë, por për çdo rast mund t’i ofroj edhe ballkonin e shtëpisë sime.

    Thjesht duhet të marrë leje në SPAK që të kalojë Bulevardin”

  20. Berisha nuk ka lënë gjë pa bërë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, u ka ‘punuar’ qindin, duke e vjedhur, vrarë dhe shitur dhe pastaj fillon dhe ankohet pse SHBA e ka shpallur ‘non grata’ familjarisht

  21. Une e gjej pothuajse gjithmone veten tek shrimet e Kajsiut dhe e vleresoj si intelektual, por kjo eshte analiza me e dobet qe kam lexuar prej tij. Dakord qe partite politike nuk kane lidhje me ndarjen teorike ideologjike, por kjo ndarje vendoset ne nje spekter ndaj nuk mund te futet si PS dhe PD ne nje thes aq me teper kur njeres i atribuon nje qasje totalisht elitiste dhe tjetres narrativen e kundert. Madje ndarje qe mund te argumentohet me politika totalisht neo-liberale dhe ato neo-weberiane qe kane pak ndryshim. Bie ndesh me perkufizimin ne fillim qe eshte i sakte teorikisht, por me duket gabim logjik ceketia si analizohet ne vijim. Mbase ka studime, por edhe barazia mes marksizmit dhe neo-liberalizmit si ideologji m’u duk qesharak. Ligji i Hekurt i Oligarkise mund te gjeje zbatim ne cdo regjim praktikisht, por edhe kjo ka nuanca. Sikunder m’u duk qesharake gjetja e shkaqeve per fillimin e regjimit diktatorial ne Shqiperi ne aspiratat per modernizim te popullsise qe nuk mund t’ua jepte kapitalizmi (pas nje analize te thelle qe kishin bere mbi perfitimet dhe kostot) duke e barazuar edhe kete me aspirate te elistes komunistese. Edhe ketu eshte harruar nje kontekst gjeo-strategjik thelbesor ne fund te luftes se dyte, ku ngjarjet tek ky vendi yne ishin me shume rrjedhoje. Renia e regjimit nuk erdhi as per figura qesharake politike te zgjedhura nga masat, ne gjykimin tim, por per deshtim se pari ekonomik, tufezimi, buka me tollon etj, sikunder rrjedhoje e asaj qe Fukuyama quan fundin e historise qe shkonte pertej pellgaces sone. Nuk lexova me tej. Por per aq elitizmi si shkak e pasoje m’u duk i dobet dhe me keqardhje e vendos analizen e autorit ne te njejtin rrafsh elitist qe kritikon. Mund te besh shume me mire se kaq Kajsi. Uroj qe artikullin e rradhes ta lexoj me me shume kenaqesi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *