• |
ide | kryesore

“Nuk mendojmë fare për Final 4”: Mehmeti i gëzohet suksesit në derbi, Shehi kupton “ngërçin psikologjik”

Sport
Mehmeti



“Jam shumë i kënaqur edhe pse kemi treguar grintën e duhur, vazhdimësinë në lojë. U përballëm si të barabartë me Partizanin sot. Në situata të veçanta të lojës ishim dominantë, jam shumë i kënaqur”. Dritan Mehmeti po shijon fitoren e parë sezonale në një derb kryeqytetas. Dinamo arriti të përmbysë Partizanin 2-1, edhe pse tekniku mundohet të qendrojë me këmbë në tokë për ndeshjen e radhës: “Duhet të rrimë në ekuilibër dhe të jemi të kujdesshëm se mendoj që duhet të punojmë fort. Grupi të ketë besim te vetja dhe të rritet në lojën e të mos mendojë më gjatë se ndeshja në vazhdim me Laçin se është ndeshje e vështirë”.

Sukses i rëndësishëm, për moralin mbi të gjitha: “Normalisht është, se është derbi mbi të gjitha. Plus që kaluam një moment të vështirë se ne derbin paraardhës kishim panikun dhe lojtarët treguan forcë karakteri. I falënderoj se e treguan sot se kanë personalitet dhe karakter të fortë sportiv. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm se duhet të kemi vazhdimësi dhe të jemi me këmbë në tokë”.

Mehmeti është afruar ndjeshëm zonës Final Four, pavarësisht rezultatit të Tiranës, nesër kundër Erzenit, sepse ka një ndeshje për të rikuperuar. “Më vjen keq si e pësojmë, edhe pse punojmë shumë në goditjet standarte. E pësuam përsëri sot me një hezitim. Mendoj se vështirësia sapo ka filluar. Nuk e mendoj fare “Final Four”, se do bëjmë gabim nëse e mendojmë. Duhet të ulim kokën e mendojmë për ndeshjen e radhës me Laçin”, përfundoi Mehmeti.

SHEHI: “JEMI NË NGËRÇ PSIKOLOGJIK”

“Rezultati na ka futur në presion. Futja në presion ka një ngërç. Më vjen keq kur e humb ndeshjen. Në fazë mbrojtëse të marrësh dy gola në atë mënyrë nuk ka kuptim. Te goli i parë qëndruan të gjithë poshtë linjës së topit. Nuk bëjmë presion si te lojtarët me top, por dhe te shoqërimi i portierit. E thash pak më parë që presioni, trysnia, na bënë që të futemi në një errësirë”. Orges Shehi nuk fshihet pas fjalëve. Partizani ka vetëm një fitore në 12 javë kampionat, edhe pse kjo seri ka nisur edhe para se të mbërrinte ai në pankinë. “Varet se si e shikon gotën. Duke qenë pjesë e një klubi të madh dhe kërkesat janë maksimale. Kjo është humbja e dytë. Me Laçin kemi luajtur mirë. kemi bërë dy barazime dhe një fitore. Sot e çuam ndeshjen 1-0 shumë shpejtë”.

Lexo më tejVideo/ Carës i anulohet goli, përjashtohet Vila: Dinamo përmbys Partizanin, fitorja e parë në 15 vjet në derbi

Ajo që nuk i pëlqen Shehit është efekti që i ndodh skuadrës së tij sapo pëson gol: “Sapo pësojmë golin, skuadra fiket. Ndeshje të tjera kemi bërë performanca të mira. performanca e mirë duhet të konkretizohet me gol dhe rezultat. Edhe pse rezultati fut njerëzsit në presion. Nuk jam këtu të gjej justifikim te humbja. I pari i punës e merr përgjegjësinë vetë. Në futboll po nuk ishe agresiv, po nuk pate atë gjendjen e alertit, po nuk vlerësove situatën, shkon në këtë pozitë ku jemi”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *