• |
ide | kryesore

Propozimi i fortë: Polonia të pajiset me armë bërthamore për të frenuar Rusinë

Arkiva, Lajme, Të fundit
Polonia



Nga Dalibor Rohac “The Spectator”

Ndërsa Donald Trump po shkon drejt fitimit të nominimit zyrtar si kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, një pyetje po e përndjek Europën:Si duhet të përgatitet për një botë, në të cilën NATO mund të mos ekzistojë më?

Për disa, përgjigja është “autonomia strategjike”. Për të tjerët duhen blerë sa më shumë armë dhe sisteme mbrojtëse të SHBA-së, për të garantuar mbështetjen e kësaj të fundit edhe gjatë administratës së ardhshme. Megjithatë është lënë mënjanë një përgjigje tjetër:parandalimi bërthamor.

Kur flitet mbi mbrojtjen e Evropës Lindore, pak masa do të ishin aq efektive se sa armatosja e vendit më të madh të rajonit – Polonisë – me armë bërthamore. Edhe politikanët centristë të BE-së, si Manfred Veber – udhëheqësi aktual i Partisë Popullore Evropiane – po mendojnë për parandalimin bërthamor si një përgjigje të mundshme ndaj rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Veber propozon që Franca, me kapacitetet e saj të mëdha bërthamore, të lejohet të udhëheqë një përpjekje evropiane për ndërtimin e një sistemi parandalues ndaj çdo lloj sulmi të mundshëm nga ana e Rusisë. Skema mund të përfshijë edhe Britaninë e Madhe, me synim shndërrimin kolektiv të BE-së dhe partnerëve të saj më të afërt evropianë në një fuqi bërthamore.

Kjo varet nga ajo nëse Trump do të vendosë apo jo të heqë armët bërthamore amerikane nga Gjermania, Belgjika dhe Italia. Shumë ukrainas, e pranojnë sot se heqja dorë nga arsenali i tyre bërthamor gjatë viteve 1990 ishte një gabim tragjik, pasi krijoi terrenin për ndërhyrjen dhe agresionin rus në vitet që pasuan.

Evropa nuk ka asnjë iluzion për atë që mund ta presë: Trump nuk do të jetë i ashpër me Rusinë, dhe as nuk do të jetë i interesuar që ta forcojë NATO-n. Ish-presidenti amerikan e quajti disa vite më parë të vjetruar aleancën veri-atlantike, madje mendoi që ta nxirrte SHBA-në prej saj.

Administrata e ardhshme e Trump, do të ketë një staf shumë më të madh të përbërë më shumë nga besnikë të Trumpit sesa nga republikanët tradicionalë. Ligji dypartiak, i miratuar vitin e kaluar, që supozohet se i pengon presidentët amerikanë të tërhiqen nga aleanca pa miratimin e Senatit ose pa një akt të Kongresit, nuk ka ndonjë peshë reale.

Kërcënimi për aleancën nuk është tërheqja zyrtare e Amerikës, por mundësia që një president i ardhshëm, të zgjedhë të mos i dalë në mbrojtje një aleati të sulmuar, siç e përcakton neni 5 i mbrojtjes kolektive. Evropianët duhet të bëjnë shumë më tepër për të forcuar aftësitë e tyre ushtarake, përfshirë ato bërthamore.

Megjithatë, skema e Veber është krejtësisht jorealiste. Sipas sistemit ekzistues të unanimitetit, është njëlloj sikur Franca të pranojë një veto të mundshme të Hungarisë mbi përdorimin e arsenalit të saj bërthamor. Edhe nëse do të realizoheshin ëndrrat e çuditshme të federalistëve, Parisi do të përballej me mundësinë e mbivotimit për këtë çështje nga shumica e kualifikuar e Këshillit Evropian, një propozim politikisht i pakëndshëm për çdo udhëheqës francez.

Aktualisht nuk ka një besim apo mirëkuptim të mjaftueshëm ndaj kërcënimeve gjeopolitike për të “evropianizuar” çdo fuqi lloj vdekjeprurëse, dhe aq më pak arsenalin bërthamor të Francës. Për më tepër, parë nga Varshava apo Talini, një forcë bërthamore evropiane që kontrollohet kryesisht nga dyshja franko-gjermane, do të dukej kryesisht e padobishme duke pasur parasysh historikun e keq-interpretimit të fakteve dhe qasjes së butë të tyre ndaj Rusisë.

Por kjo s’do të thotë se Evropa, dhe sidomos ajo lindore, është e pafuqishme. Së pari, atje ka një grup të madh vendesh që i besojnë njëri-tjetrit, që kanë një pikëpamje të përbashkët mbi Rusinë dhe që mund të fitojnë dhe mbajnë lehtësisht armët e tyre bërthamore:Polonia, shtetet baltike dhe ato skandinave.

Në fakt, do të mjaftonte që vetëm njëra nga këto vende të ecë përpara, të përballojë koston fikse, dhe më pas të ofrojë një marrëveshje për ndarjen e armëve bërthamore, në mënyrë që vendet e tjera të nisin të shfaqin interesin e tyre. Duke investuar shumë në ushtri dhe energjinë bërthamore, Polonia do të ishte në krye të listës së vendeve të interesuara.

Kostoja e pajisjes me armë bërthamore, mund të jetë çuditërisht modeste. “Trident System” i Mbretërisë së Bashkuar, i blerë në vitet 1980, kushtoi rreth 21 miliardë paund me çmimet e sotme. Kjo shumë u shpenzua në një shumë se një dekadë, me mirëmbajtjen vjetore që arrin në rreth 3 miliardë paund.

Edhe vetëm shpallja publike e një qëllimi të tillë, mund ta nxisë Francën dhe Britaninë e Madhe, që t’i ofrojnë Varshavës një marrëveshje dypalëshe për ndarjen e armëve të tyre bërthamore. Por që parandalimi të jetë i besueshëm, këto armë duhet të kontrollohen nga pala që mbart rrezikun më të drejtpërdrejtë ndaj një sulmi të mundshëm të Rusisë:vetë Polonia.

Në një botë post-amerikane, një “ombrellë” bërthamore polake mund të ndihmojë në sigurimin e krahut lindor të Evropës. Po ashtu, do të ofronte një mënyrë alternative për të garantuar sigurinë e Ukrainës pasi të ndalojnë luftimet aktuale, dhe veçanërisht nëse nuk do të ishte më një opsion anëtarësimi i saj në NATO.

Por më e rëndësishmja, një Poloni bërthamore do t’i jepte një përgjigje një problemi të përhershëm të gjeopolitikës së Evropës:si të pengohen Gjermania dhe Rusia që të kërkojnë të dominojnë territorin euro-aziatik.

Shënim:Dalibor Rohac, bashkëpunëtor në think-tankun “American Enterprise Institute” me qendër në Uashington. Përktheu ditar.al



4 Comments

  1. Sipas kesaj logjike , dhe vendet arabe kane te drejten te pajisen me arme berthamore si pasoje pasjes se armeve berthamore nga ana e Izrealit . Irani do te jete i pari qe do bertasi, perse Polonia ka te drejte te kete arme berthamore dhe ne jo.
    Keto jane lojra te rrezikshme.

  2. E kishte Polonia mbrojtjen raketore , meqë ësht vëndi kufitar i Natos me Rusinë , po presidenti i majtë Obama Bin Laden bëri marrëveshje që të hiqte , ta linte zbuluar Poloninë ! U çudit dhe Putini me marrëveshjen , perëndimorët hoqën raketat dhe nuk kërkuan asnjë gjë në këmbim atij ! Këto jan rrjedhojat e politikave skandaloze të të majtëve të perëndimit , që sa her jan në pushtet shkatërrojnë gjithshka ! Imagjino kush drejtoi Amerikën !!!!!Luftrat e “pranverës arabe “, spostimi me imponim i gjith afrikës e azis drejt europës ! Europa me emigrant si një bomb shpërthyese në çdo moment !

  3. Sa trapa qe jane! Po e bejne si Covidi, vecse frike dine te mbjellin!

    Trump nuk tha se do ike nga NATO, thjesht kerkoi qe gjithe vendet qe bejne pjese te paguajne taksen qe u takon. Kaq!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *