• |
ide | kryesore

Sindromat e Kane e Immobile, fusin në ankth Bayern e Lazio: në Allianz duhen dy gola, PSG nuk i beson baskëve

F1, Sport
Bayern



Nën një gol pas ndeshjes së parë të muajit të kaluar në Romë, Bayern Munich do të synojë të përmbysë epërsinë e Lazios në 1/8 e Champions League të martën. Ndërsa skuadra e Serie A është afër paraqitjes së parë në çerekfinale në dy dekada, kampionët gjermanë e kanë kaluar atë fazë për tre vjet rresht dhe kërkojnë kurorën e shtatë evropiane. Tre javë pas një ndeshjeje të parë argëtuese në Parc des Princes, Real Sociedad dhe Paris Saint-Germain rinovojnë njohjet për ndeshjen e kthimit në Reale Arena. Kampionët e Ligue 1 kanë dalë triumfues 2-0 dhe baskët e kanë përjetuar tashmë një dozë dëshpëruese eliminimi.

BAYERN MUNICH – LAZIO

Ndërsa Dayot Upamecano do të jetë i pezulluar për shkak të kartonit të kuq në Romë, Bayern Munich mund të mirëpresë rikthimin e Matthijs de Ligt nga skualifikimi në Bundesligë. Thomas Tuchel ka ende një listë të gjatë mungesash për t’u marrë në konsideratë. Sacha Boey (kofshë), Kingsley Coman (gju), Noussair Mazraoui (kofshë) dhe Bouna Sarr (gju) janë të gjithë të padisponueshëm. Leroy Sane (ijë) dhe Serge Gnabry (kofshë) mund të përfshihen në ndeshje nëse konsiderohen të rikuperuar.

Ylli i ri i bavarezëve Jamal Musiala duhet të bëjë paraqitjen e tij të 30 në Championës. Ndërsa Mathys Tel mori ndeshjen e parë si titullar në Bundesligë, këtë sezonit, të premten në mbrëmje, pas 19 paraqitjeve si zëvendësues. Djaloshi mund të luajë një rol të rëndësishëm në treshen mbështetëse të Harry Kane. Anglezi ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në 19 gola, në po aq ndeshje në shtëpi të Champions League deri më sot. Megjithatë, Kane ka dështuar të shënojë në tre paraqitjet në ndeshjet me eliminim në terrenin vendas.

NË KËMBËT E CIROS…

Ndërkohë, Lazio i ka sytë nga kapiteni Ciro Immobile. Ai është golashënuesi më i mirë i bardhekaltërve në të gjitha kohërat në garat evropiane me 26 gola. Megjithëse ka një problem. Sulmuesi italian mesatarisht shënon vetëm një në çdo 231 minuta larg shtëpisë, krahasuar me një në çdo 85 minuta në Stadio Olimpico. Ai do të zëvendësojë Taty Castellanos në vijën e parë. Në qendër të mesfushës, Luis Alberto ka krijuar më shumë raste (21) dhe ka bërë më shumë pasime (62) nga çdo lojtar i Lazios në Champions League këtë sezon.

Nicolo Rovella, në pronësi të Juventus dhe qendërmbrojtësi spanjoll Patric janë shqetësimet kryesore të dëmtimeve të italianëve, por Mattia Zaccagni së fundmi u rikthye në aksion dhe ishte pjesë e treshes së parë kundër Milan.

FORMACIONET E MUNDSHME

Bayern Munich:
Neuer; Kimmich, De Ligt, Kim, Davies; Pavlovic, Goretzka; Tel, Muller, Musiala; Kane

Lazio:
Provedel; Marusic, Gila, Romagnoli, Hysaj; Guendouzi, Cataldi, Alberto; Anderson, Immobile, Zaccagni

REAL SOCIEDAD – PARIS SAINT-GERMAIN

Real Sociedad nuk mund të mbështetej në shërbimet e mbrojtësit kryesor Aritz Elustondo për ndeshjen e parë. 29-vjeçari u pezullua për shkak të shumës së kartonëve të verdhë, por tani mund të zbresë sërish në fushë në Europë. Megjithatë, për shkak të një dëmtimi në gishtin e këmbës, Elustondo ishte një nga gjashtë lojtarët që munguan në humbjen ndaj Sevillas, një listë e cila përfshinte gjithashtu Martin Merquelanz (gju), Alvaro Odriozola (ligament), Aihen Munoz (ACL), Carlos Fernandez (gju) dhe Ander Barrenetxea (shpinë). Shpresa është që ky i fundit mund të riaftësohet për t’u rikthyer së bashku me Elustondo në fushë.

Alguacil bëri rotacion të fortë për ndeshjen e fundjavës me Sevillan, me ndeshjen e dytë të Champions në mendje. Kështu, kundër PSG, baskët do të rikthehen në fuqinë e plotë në mesjavë. Të gjithë Mikel Merino, Robin Le Normand, Hamari Traore, Mikel Oyarzabal dhe Takefusa Kubo duhet të kthehen në 11-shen e parë.

DILEMA MBAPPE…

Sa i përket francezëve, Mbappe doli më herët nga ndeshja në Ligue 1 të premten mbrëma. Ylli i skuadrës është shqetësimi i madh i Luis Enrique. Mbappe dukej se po ecte duke çaluar lehtë rreth pistës së Stade Louis II, edhe pse tekniku spanjoll zbuloi se zëvendësimi i tij ishte thjesht një zgjedhje taktike. Ish-trajneri i Barcelonës përsëriti se skuadra e tij duhet të “mësohet” të luajë pa 25-vjeçarin, por nëse vendime të tilla të prera nga spanjolli do të vazhdojnë deri në fund të sezonit është një çështje krejtësisht tjetër. Në fakt, do të jetë një befasi të shohësh Mbappe të ulur në stol për ndeshjen e dytë.

Lexo më tejBayern Munich, Tuchel nuk dorëzohet pa luftë: “Përmbysja do jetë e vështirë, por unë urrej të humb”

PSG, gjithashtu, duhet të jetë në gjendje të llogarisë në rikthimin e Marquinhos. Braziliani pushoi kundër Monaco për shkak të një shqetësimi në pulpë dhe do të jetë gati për transfertën. Çështja është se Milan Skriniar (kavilje), Sergio Rico (kokë), Layvin Kurzawa (shpinë), Danilo Pereira (kofshë) dhe Presnel Kimpembe (thembër) nuk do të përfshihen për kthimin ndaj Sociedad. Për më tepër, gara e Marco Asensio kundër Monaco zgjati vetëm 39 minuta. Ish-lojtari i Real Madrid duket se ka pësuar një dëmtim në kofshë, kështu që golashënuesi i ndeshjes së parë Barcola, mund të jetë sërish titullar.

FORMACIONET E MUNDSHME

Real Sociedad:
Remiro; Traore, Zubeldia, Le Normand, Galan; Mendez, Zubimendi, Merino; Kubo, Silva, Oyarzabal

Paris Saint-Germain:
Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Hernandez, Mendes; Zaire-Emery, Ugarte, Vitinha; Dembele, Mbappe, Barcola

Round of 16 Champions League

21:00 Bayern Munich – Lazio
21:00 Real Sociedad – Paris Saint-Germain



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *