• |
ide | kryesore

Një vit nga marrëveshja e Ohrit Borrell del me një mesazh

Arkiva, Lajme, Të fundit
Borrell



Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, në njëvjetorin e dakordimit të saj.

Borrell në një deklaratë për media ka thënë se të hënën shënohet përvjetori i parë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ai ka thënë se marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit të saj u arritën pas muajsh negociatash intensive nën lehtësimin e Bashkimit Evropian për të ndihmuar palët të bëjnë një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Ai ka thënë se është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – atë evropiane.

Borrell duke përmendur luftën në Ukrainë ka thënë se arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ishte një arritje historike. Sipas tij, për herë të parë gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja, palët ranë dakord për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Lexo më tej: Investigimi/ “The Sunday Times”: Si po pastrohen miliardat e drogës me ndërtime në Shqipëri 

Ka shtuar se kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Evropian.

“Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje. BE rikujton vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm. Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se presin që liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme.

Sipas tij, është një mundësi që nuk duhet ta humbasin.

“Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i gatshëm për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por ata janë ata që duhet t’i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara”, ka përfunduar ai.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *