• |
ide | kryesore

Investigimi/ “The Sunday Times”: Si po pastrohen miliardat e drogës me ndërtime në Shqipëri

Arkiva, Lajme, Të fundit
drogës



Numëron vinçat dhe kryeqyteti shqiptar duket sikur po lulëzon. Por miliarda “parash të pista” të dërguara nga bandat që kontrollojnë rrugët e drogës në Evropë, kanë bërë që horizonti të shkëlqejë.

Nga Tom Kington, Tiranë

Horizonti i kryeqytetit të Shqipërisë është si një deklaratë besimi. Në të gjithë Tiranën po ngrihen kulla të reja me shkëlqim, disa prej tyre të projektuara nga arkitektë me famë botërore. Në sheshin qendror “Skënderbej”, blloqe zyrash gjigante dhe ndërtesa të shkëlqyera apartamentesh duken pas një xhamie të shekullit të 19-të. Më tej, Muzeu Historik Kombëtar duket i vogël me mozaikun e tij të madh socialisto-realist mbi dyert e hyrjes.

Por ky bum ndërtimi ka më shumë nga sa duket. Investigimet mbi krimin dhe ekonomistët kanë paralajmëruar se kjo tregon për një anë më të errët të ekonomisë së vendit, e nxitur nga baronët shqiptarë të drogës që anembanë globit sjellin në shtëpi më shumë se 1 miliard euro në vit për t’i pastruar përmes ndërtimit dhe pronave.

“Është e vështirë të llogaritet pastrimi i parave, por shpesh duhet vetëm të numëroni vinçat dhe Tirana është vendi për ta bërë këtë” – thotë Antonio Nicaso, një ekspert mbi mafian dhe autor librash. Paratë vijnë lumë nga Belgjika, Spanja, Holanda dhe Amerika e Jugut. Qindra miliona paund vijnë gjithashtu nga Britania e Madhe, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit të Britanisë. Kushdo që blen kokainë në Britani ka shumë të ngjarë të ndihmojë në shndërrimin e Tiranës në një Dubai në miniaturë.

Apartamente boshe dhe 1 miliard euro para droge

Sasia e parave të pista që qarkullojnë është marramendëse. Rreth 3.7 miliardë euro në vit investohen për ndërtim dhe prona, sipas Ola Xamës, një gazetare investigative biznesi që ka punuar me Transparency International. Kjo është 15% e PBB-së. Xama thotë se nga kjo shumë, vetëm 847 milionë euro kalojnë në sistemin bankar.

“Kjo do të thotë se 2.85 miliardë euro janë para të pista, madje edhe duke llogaritur remitancat nga emigrantët dhe faktin që Shqipëria është një ekonomi parash cash, unë vlerësoj se 1.3 miliardë euro janë para droge” – thotë Xama.

Paratë e pista kanë rritur kërkesën për prona në Tiranë, me çmimet e apartamenteve që u rritën nga 1000 euro për metër katror që ishin në vitin 2017 në rreth 4000 euro sot. Oferta tashmë tejkalon kërkesën dhe shumë banesa mbeten të pashitura, megjithatë çmimet nuk tregojnë shenja rënieje.
Paratë nuk përdoren vetëm në blerjen e banesave, por edhe në blerjen e kompanive që i ndërtojnë ato, thotë Belind Këlliçi, anëtar i Partisë Demokratike të opozitës në Shqipëri, i cili bëri një fushatë kundër pastrimit të parave kur kandidoi për kryetar bashkie të Tiranës vitin e kaluar.

“Kjo është arsyeja pse ka kompani që marrin leje për të ndërtuar ndërtesa me vlerë dhjetëra milionë euro të cilat kanë vetëm një kapital të deklaruar prej 1000€” – tha ai. “Tirana kishte 8000 apartamente bosh në vitin 2015. Që atëherë janë dhënë leje për 10 milionë metra katrorë ndërtim dhe tani kemi 40 000 apartamente bosh. Megjithatë çmimet po rriten dhe një çifti mesatar tani i duhen 64 jetë për të kursyer për të blerë një apartament të vogël.”

Si e morën bandat shqiptare kontrollin e trafikut të kokainës

Jashtë selisë së partisë së tij, Këlliçi shikon kullën më të fundit dhe më të lartë të Shqipërisë që po përfundonte: “Downtown One”, 37-katëshe, e cila ka një fasadë që imiton hartën e Shqipërisë. Parkingu nëntokësor i kullës u hap nga një nënkontraktor lokal, “Alesio 2014”, i cili ka pasur një rol në shumë ndërtesa të reja në qytet dhe mburret se ka një sipërmarrje të përbashkët me arkën e shtetit shqiptar. Dhe këtu vjen surpriza, pronari Anton Gjinaj, u arrestua me një urdhërarresti spanjoll në vitin 2021 për kontrabandë heroine me vlerë 1.9 milionë euro nga Holanda në Spanjë fshehur në gomat e makinave.

Paratë që vërshojnë në Shqipëri janë falë suksesit të jashtëzakonshëm të bandave të drogës në vend, që daton në vitet 1990. Vendi i varfër po dilte nga komunizmi dhe kontrabandistët panë shansin e tyre për t’i shitur kallashnikovët “mafias Ndrangheta” të Italisë. “Ndrangheta e kuptoi se mund t’u besonte shqiptarëve, i prezantoi ata me kartelet në Kolumbi dhe Ekuador dhe doli garant për ta” – thotë Nicaso.

Në shkurt, Europol tha se kishte shkatërruar një linjë droge përmes Ekuadorit në Europë, e cila ishte ideuar nga një shqiptar i cili kishte një marrëveshje me kultivuesit kolumbianë për të marrë 4 ton kokainë në muaj, për t’u transportuar të fshehura në kuti bananesh. Operacione të tilla nuk janë të pazakonta. Ndërkohë, të rinjtë që kultivonin plantacione masive të kanabisit në Shqipëri, shpesh largohen jashtë vendit kur policia nuk i lë për t’u bërë ushtarë të bandave.

“Papritmas shqiptarët u përfshinë në të gjithë rrugën e kokainës për në Europë, nga prodhuesi, te rruga dhe pranonin të merrnin fitime më të ulëta. Ata mund të ofronin 1 kilogram kokainë 99% të pastër në Londër për 4000 – 6000 paund ndërsa holandezët kërkonin 20 000 paund” – thotë Nicaso.

Europol publikoi muajin e kaluar videon e kapjes së një sasie kokaine dhe parash që lidheshin me një shqiptar me banim në Ekuador. Ndryshe nga ‘Ndrangheta, që i fsheh paratë e saj jashtë vendit dhe e lë Kalabrinë e saj të zhytur në varfëri, bandat shqiptare shpesh preferojnë t’i dërgojnë fitimet e tyre në shtëpi për të përfituar nga çeqet e lehta dhe ekonomia e parave të thata.

“Grupet shqiptare të krimit të organizuar kanë akses të konsiderueshëm në tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar, i cili është ende një biznes me para të thata”, – thotë Pete Stevens, zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare të Krimit. “Ata janë në përgjithësi shumë të shpejtë për të transferuar në Shqipëri të ardhurat e tyre nga paratë e krimit, për investime ose për t’i fshehur ato në mënyrë të sigurt nga autoritetet.”

Klodiana Lala, një gazetare shqiptare për krimin thotë: “Bandat shqiptare të drogës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar po i investojnë paratë e tyre në ndërtim dhe biznese të tjera në Shqipëri. Ata mblidheshin, merrnin furgona me qira dhe i dërgonin në shtëpi plot me para, ose përdornin kamionë që transportonin makina dhe fshihnin paratë në makina, por tani kriptomonedhat kanë ndryshuar gjithçka dhe po i përdorin të gjithë.”

Vjet 436 milionë sterlina u dërguan në Shqipëri, nga 250 milionë sterlina në vitin 2019. “Është e qartë se po ndodh diçka”, – thotë Ola Xama, e cila përllogariti shifrat. Ajo zbuloi se në vitin 2022, 368 milionë paundë përfunduan në Shqipëri pa kaluar përmes bankave.

Paratë e pista kanë hyrë si në ekonominë shqiptare ashtu edhe në politikën e saj, pasi baronët e drogës blejnë vota për 50 euro në emër të politikanëve miq. Qeveria shqiptare ka reaguar duke ngritur një prokurori të posaçme të quajtur SPAK, me zyrtarë të trajnuar nga FBI-ja në Virxhinia.

Aktualisht duket se kjo ka pasur një efekt. Në vitin 2022, SPAK ngriu asetet e lidhura me Gjinajn, manjati i ndërtimit, nënkontraktori pjellor i të cilit hapi parkingun e makinave për “Downtown One”. Ata ngritën dyshime se pasuria e tij e pazakontë ishte e lidhur me trafikun e drogës.

SPAK tani është në pritje të një vendimi gjykate për konfiskimin e pasurive të tij. Mes tyre është kompania që qëndron pas ndërtimit të “Garden Residence Turdiu”, një kompleks i ri pallatesh në Tiranë ku jeta vazhdon normalisht. “Unë nuk do ta kisha blerë banesën time nëse do ta dija se do të sekuestrohej nga qeveria” – thotë Fatjona, 40 vjeçe, një banore që shihte fëmijët e saj duke luajtur. Një zëdhënës i kompanisë “Alesio 2014” tha: “Është një çështje që po vazhdon në gjykatë dhe do të sqarohet së shpejti.”

Përgjatë bregdetit, ku paratë po pastrohen përmes “furtunës” së hoteleve të reja që ofrojnë shërbime për turistët që zbulojnë plazhet shqiptare, qeveria po përpiqet të tregojë se po i lufton bandat. Në janar, ministri i brendshëm, Taulant Balla, njoftoi se një hotel me pamje mahnitëse nga deti, i sekuestruar nga kriminelët në Vlorë, do të përdorej nga oficerët e policisë për pushime. Pëllumb Gjoka, një biznesmen i quajtur dikur një “investitor strategjik” nga qeveria shqiptare pasi ka marrë miratimin për të ndërtuar një resort 52 milionë euro në bregdet, u arrestua nga SPAK-u vjet me dyshimin se kishte porositur vrasje mafioze.

Por teksa koha fluturon për autoritetet që përpiqen të ndalojnë fluksin e parave kriminale: rreziku i një flluske ndërtimesh po rritet, dhe bashkë me të edhe potenciali për shkatërrim në ekonomi.

“Sektori i ndërtimit është rritur shumë më shpejt se ekonomia gjatë 3 viteve të fundit” – thotë ekonomisti Klodian Tomorri. “Tirana tani po ndërton rreth 300 m2 sipërfaqe për çdo banor të ri. Kjo është 9 herë më shumë se mesatarja e BE-së. Të gjitha këto rritin shanset për një flluskë. Nëse pasojat shpërthejnë, kreditë me probleme do të rriten, firmat e ndërtimit do të falimentojnë, pronarët e shtëpive do të humbasin investimet dhe do të ketë një recesion të mundshëm. Të shohim se ç’do të ndodhë”. ©Marrë nga The Sunday Times, përshtati në shqip LAPSI.al



3 Comments

  1. ekonomia e droges eshte diktature ekonomike dhe politike, aty eshte pjesa me e madhe e dhunes shteterore ndaj klases qytetare dhe te mesme. nepermjet tyre po shkaterrojne shoqerine shqiptare dhe po marrin monopolin mbi cdo meter toke te Shqiperise. ndryshe nga komunizmi ku prona kolektive perdorej dhe per privilegjet e kupoles dhe ato shoqerore, tani shikohet vetem interesi i kupoles , dhe shpopullimi.

  2. Qe parate e droges po ndertojne sot Tiranen, kete e dijne edhe nxenesit e klases se pare, edhe kjo eshte nje barre e madhe per ciftet e reja qe duan te krijojne nje jete ne Tirane,prandaj parate e atyre qe ndertojne plus te atyre qe blejne keto apartamente duhet te kalojne neper sita me shume filtra, gje qe nuk do ndodh kurre.

    I cuditshem fakti se nje gazete britanike ka botuar kete artikull sepse kur vjen puna per tek parate e pista, Londra eshte kryelavatricja e botes per sa i perket pastrimit te tyre,edhe kete e di mire se kam 25 vjet qe jetoj ne te, por gjithsesi, faleminderit qe na treguan dicka qe e dinim.

  3. Ekonomia e droges nuk sjell asgje tjeter vec dhune, probleme sociale e shendetesore, shkaterrim ekonomik. E kane provuar te tjere para nesh. Rrofte Rilindja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *