• |
ide | kryesore

Profil mediave kroate/ Kryeministri i ri serb, një kukull e re në duart e Vuçiçit

Arkiva, Lajme, Të fundit



Millosh Vuçeviç , president i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, është mandatuar për krijimin e qeverisë së re në Serbi.

Rrota e fatit që rrokullis Aleksandër Vuçiçi, ashtu siç pritej, ndaloi në emrin e tij (ai duhej t’ia kishte marrë kryeministrinë Ana Bërnabiçit në mesin e mandatit të qeverisë së kaluar, por Vuçiç atëherë thirri zgjedhjet e parakohshme).

Kështu pra vendosi presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili ngjiti në orbitën progresive bashkëpunëtorin dhe studentin e tij të ngushtë. Duhet pranuar se është e vështirë të përdoret përkufizimi “bashkëpunëtor i ngushtë” me  Vuçiqin, pasi në “botën” e tij do të ishte më e saktë të flisje për “pasues të ngushtë” ose “zbatues të vullnetit” të tij.

Në një moment ndershmërie gjatë një tubimi parazgjedhor, Vuçiç i ka nxjerrë gjërat në shesh duke u thënë shokëve të partisë se pa të nuk do të kishin fituar asnjë palë zgjedhje dhe se çdo gjë në parti i duhej ta bënte vetë. Deklaratë që ata e shoqëruan me duartrokitje të zhurmshme dhe britma adhurimi.

Kaq për këta “bashkëpunëtorë” dhe dinjitetin e tyre. Domethënë, Vuçeviçi nuk është një politikan i ri i aftë i “rracës së re”, por thjesht një anëtar i sektit dhe nomenklaturës partiake të Vuçiçit. “Cilësitë” e tij më të mëdha janë “besnikëria ndaj Vuçiçit”, ambicia për karrierë dhe ortakëria në biznes me vëllain e Vuçiqit, Andrej, që është edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të SNS-së dhe me djalin e madh të presidentit Danilo, cilësi që i japin atij edhe peshë politike dhe zyrtare.

Përveç kësaj, pozita e kryeministrit në Serbi gjithsesi është protokollare dhe figurative, megjithëse ky duhet të ishte pozicioni presidencial i Vuçiçit sipas kushtetutës, por në Serbi gjërat janë për së mbrapshti. Këtë e ka treguar tashmë edhe fati politik i shoqërueses së parë të Vuçiçit, Ana Brnabiç, e cila sot është kryetare e Kuvendit.

Aleksandar Vuçiç i mban të gjitha fijet në duar dhe kryeministrat ndonjëherë shërbejnë për të dalë të parët në publik me një ide të tij, dhe më pas ai kontrollon nëse ia vlen ta implementojë apo ta refuzojë atë.

Me pak fjalë, nuk priten ndryshime të rëndësishme në panoramën e madhe të politikës serbe, sepse Vuçiç mbetet “capo di tutti capi” (“shefi i shefave”).

Me këtë emërim Vuçeviç bëhet i fuqishëm brenda kuadrit të qeverisjes së Vuçiçit, por në të njëjtën kohë është edhe “një kokë turku” në rast se Vuçiç e sheh veten keq. Ishte qesharake, natyrisht, kur para se të shpallej emri i kandidatit, presidenti Aleksandër Vuçiç postoi një foto në Instagram me Millosh Vuçeviçin, me Ministrin e Financave Sinisha Mali dhe djalin e tij Danilo në një restorant të Beogradit. Diçitura ishte se ai po përpiqej të “gjente kush prej tyre ishte kandidati i ri për kryeministër”. Shakaja e vitit. Vuçiç, ndërkaq, shkruan portali i pavarur nova.rs, e ka shkelur afatin për emërimin e kryeministrit të ri për gati një muaj më shumë, por gjithsesi për të kjo është normale.

Vuçeviçi është “djalë besnik i partisë”, pra “lider i madh” dhe “vizionar”. Ai nuk është një i panjohur në “qiellin progresiv të politikës serbe.

Për dy mandate ka qenë kryetar i qytetit të dytë më të madh, Novi Sad, ndërsa si kryeministër vjen nga pozita e ministrit “luftarak” të mbrojtjes, i cili vazhdimisht kërcënonte NATO-n, veçanërisht Kosovën, urdhëroi ngritjen e avionëve dhe kërcënonte me nxjerrjen e ushtrisë nga kazermat.

Ana Bërnabiç dhe Millosh Vuçeviç
Ana Bërnabiç dhe Millosh Vuçeviç

Babai i Vuçeviçit, Zorani, ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kriminelit të dënuar të luftës Vojisllav Sheshelj, gjë që i jep Milloshit vetëm një impuls shtesë në Serbinë e Vuçeviçit. Ai ishte një anëtar i vjetër i Partisë Radikale, ashtu si edhe Milloshi, i cili me krijimin e SNS-së hyri menjëherë nën kujdesin e Aleksandër Vuçiçit.

Vuçeviç ka mbaruar Fakultetin Juridik në Novi Sad, por siç thuhej në serialin “Heronjtë e epokës së keqe” të publicistit të famshëm serb Slavisha Lekiç, këtë e arriti falë babait të tij, avokatit të njohur. Shkollën e mesme e kreu në Bačko Petrovac, “shkollë e mesme sllovake”, ku përfitoi nga kuotat për serbët.

Sido që të jetë, është e vështirë të presësh ndonjë lloj politike autonome nga Vuçeviçi, të paktën tani për tani. Ai shpesh ndërton mbi Vuçiqin, ndaj së fundi tha se nuk do të mund t’i kuptojë kurrë serbët që pushojnë në Kroaci, veçanërisht kur festohet përvjetori i “Stuhisë” (operacioni më i madh ushtarak në luftën e kroatëve për pavarësi).

“Nuk mund t’i kuptoj serbët që ishin atëherë në Dalmaci apo Istria, apo në ishuj. Unë nuk gjykoj askënd, le ta kalojnë verën ku të duan, por duhet të jetë një gjë e keqe dhe mjaft e pakëndshme të jesh serb në Dalmaci ose diku në detin Adriatik në Kroaci kur ata festojnë dhe flasin se si fituan dhe i dëbuan serbët” – tha ai.

Me këtë deklaratë Vuçeviç vetëm sa i bën jehonë Vuçiçit, i cili thotë se është i tmerruar nga serbët që shkojnë me pushime në Kroaci.

Përveç kësaj, Millosh Vuçeviç së fundi ka publikuar një foto me flamurin e republikës së dështuar të serbëve të Kroacisë, të ashtuquajturës SAO Krajna, një projekt i dështuar kriminal dhe fantazmë, duke dërguar një mesazh të qartë jo vetëm për marrëdhëniet me Kroacinë, por edhe se është në gjurmët e “botës serbe”, të Vuçiçit me politikën “të gjithë serbët në një shtet”.

Vuçeviç bëri deklarata të ngjashme me vendet e tjera fqinje, kur tha se “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë ofenduar Serbinë për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, dhe për këtë ai madje i kërcënoi ata me një “fat ukrainas”.

“Keni bërë një gabim dhe ky gabim do t’ju bjerë mbi kokë, ashtu siç goditi Ukrainën në kokë. Mbi të gjithë, ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur” – tha në atë kohë “Mini-Me i Vuçiçit” në një intervistë për televizionin pro- regjimit TV Pink.

Sipas tij, Shkupi dhe Podgorica hapën kutinë e Pandorës (kujtojmë se këto vende e njohën Kosovën në vitin 2008) dhe ai madje i akuzoi për “ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë”. Veç kësaj, sipas narrativës së politikës aktuale serbe, Vuçeviçi është i bindur për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, e cila do të gllabërojë pjesë të Malit të Zi dhe Maqedonisë, ndaj i paralajmëron ata me pyetjen: – Po flini të qetë o maqedonas!?

“Ata mendojnë se me hyrjen në NATO i zgjidhën problemet e tyre. Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, por nuk është kështu” – u mëson Vuçeviç.

Kur ishte Ministër i Mbrojtjes, ai u shpreh se në Maqedoninë e Veriut, 25 për qind e shqiptarëve kanë 50 për qind të qeverisë, ndërsa, “në Mal të Zi, 30 për qind e serbëve nuk mund të kenë as dy ministri”, që është vetëm një përsëritje prej papagalli e tezave të Vuçiçit.

Duhet thënë edhe se kur ishte kryetar komune, në Novi Sad u mbajtën përkujtimore për ideologun e fashizmit serb dhe bashkëpunëtorin nga Lufta e Dytë Botërore, Dimitrije Ljotiç. Ndërsa një vit më parë, ai trazoi shpirtrat në Serbi kur miratoi një monument për të kënaqur “vëllain e Vuçiçit” Viktor Orban.

Në monumentin e shumëpërfolur të “viktimave të pafajshme të viteve 1944/45” (domethënë ata që u pushkatuan nga partizanët), siç thoshin antifashistët e Novi Sadit, “ne gjetëm edhe emrat e kriminelëve të luftës, si kryetari okupator i Novi Sadit Miklós Nagy, kuislingu Milan Popoviç, përfaqësuesi i “Serbët e Baçit” në parlamentin hungarez gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe János Tóth, likuiduesi i pesë vëllezërve Jovandiç”.

Fjala vjen, Vuçeviç ka pasur emisionin e tij “Grad i mi” në Radio Televizionin Vojvodina gjatë mandatit të tij si kryetar komune, ku ai ishte i vetmi i ftuar, ndaj nuk duhet të jetë çudi nëse vendos të fillojë një format të ngjashëm në Pink apo në një tjetër televizion të regjimit, sipas gazetës së pavarur të Beogradit Danas.

Me pak fjalë, nuk ka më Ana Brnabiç. Tani Ana Brnabiç e re quhet Millosh Vuçeviç. Dhe ky është i gjithë ndryshimi në Serbi./ Marrë nga Jutarnji.hr, përshtati Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *