• |
ide | kryesore

Shuhet Roberto Cavalli, ikonë e modës italiane për gjysmë shekulli

F1, Paparazzi
cavalli



Stilisti Roberto Cavalli, një nga emrat ikonë të modës, jo vetëm italiane, por edhe botërore ndërroi jetë në Firence këtë të premte. Ai ishte 83 vjeç dhe një vit më parë u bë baba i fëmijës së tij të gjashtë, të quajtur Giorgio (si babai i tij) me partneren e tij, modelen Sandra Bergman.

Ndër protagonistët e industrisë së modës së 50 viteve të fundit, Cavalli ka kontribuar në mbajtjen lart të flamurit “Made in Italy” në mbarë botën. “Mos më quani stilist. Talenti im është të gjej atë që e bën të veçantë një pëlhurë, një fustan, një grua, duke menduar gjithmonë për modën sikur të ishte një ëndërr gati për t’u veshur” – shkruan ai në autobiografinë e tij “Just Me”. 

Veshjet e tij të dallueshme falë motiveve ikonike si animalier, janë ekspozuar nga emra të famshëm në të gjithë botën, nga Jennifer Lopez te Naomi Campbell, nga Katy Perry te Lady Gaga, vetëm për të përmendur disa.

I lindur më 15 nëntor 1940, Roberto Cavalli ka qëndruar gjithmonë shumë pranë Firences, qyteti ku u shpërngul nga provinca me nënën e tij, ende i vogël dhe i tronditur nga humbja e babait të tij, i cili u rrëmbye dhe u pushkatua më 4 korrik 1944 nga gjermanët në tërheqje. Në kryeqytetin toskan ai i dha jetë sipërmarrjes së tij stilistike në vitet 70-të.

Vizionar, admirues i trupit të femrës dhe i frymëzuar vazhdimisht nga bota e natyrës aq sa e bëri një animalier. Fillimisht ishte leopardi në vitet ’70, më pas në vitet ’90 erdhi zebra dhe më pas modelet e fluturës, leopardit, krokodilit, rrëqebullit, gjarprit dhe teminave të përdorura si luspa peshku.
Gjarpri është simboli i linjës së tij që sot ka butikë në të gjithë globin. Një sukses që madje e çoi atë të mbante një leksion në Universitetin e Oksfordit.

Roberto Cavalli ka lënë pas 6 fëmijë. Nga gruaja e tij e parë, Silvanella Giannoni, ai ka Cristina dhe Tommaso. Më pas u martua me Eva Deman në vitin 1980, me të cilën pati Rachele, Daniele dhe Robert. I fundit ishte Giorgio i vogël pak më parë.

Një tifoz i madh i Fiorentinës, ai ishte ndër miqtë dhe mbështetësit e parë të të riut Matteo Renzi. Ndër anekdotat që qyteti nuk ka harruar është edhe ajo e vitit 2002, kur Firence u pushtua nga Forumi Social dhe shumë emra të mëdhenj mbyllën butikët e tyre nga frika e demonstruesve. Ishte i vetmi që i mbajti hapur në rrugën Tornabuoni ku disave u ofroi mëngjes në lokalin që kishte pranë dyqanit.

Që nga viti 2014, Roberto Cavalli ishte larguar nga drejtimi i biznesit, i cili tashmë i është besuar Fausto Puglisit. Sot marka është në pronësi të kompanisë së investimeve në Dubai Vision Investments, e kryesuar nga Hussain Sajwani. ©ANSA, LAPSI.al

Roberto Cavalli RIPRODUZIONE RISERVATA © ANSA/EPA

+++E ' morto lo stilista Roberto Cavalli+++ RIPRODUZIONE RISERVATA © ANSA/EPA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *