• |
ide | kryesore

Presidencialet në RMV/ Kryeson bindshëm kandidatja e opozitës

Arkiva, Lajme, Të fundit
rmv


Në Maqedoninë e Veriut qytetarët më 24 prill votuan për presidentin e ri të shtetit. Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kandidatja e partisë opozitare, VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, po prin bindshëm në garën për të parin e shtetit.

Sipas rezultateve të publikuara nga 77.74% e vendvotimeve, Silanovska-Davkova, ka fituar 272 729 vota ose 39,58%. Ajo ishte kandidate e VMRO-së për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.

Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 133 184 apo 19.33% të votave.

Sipas këtyre rezultateve, presidenti i ri do të zgjidhet në rundin e dytë zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Kjo pasi në rundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50% të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40% e elektoratit.

Këto zgjedhje njëherësh janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë ato do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahem më 8 maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Më herët, KSHZ, tha se në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale votuan rreth 49% e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:000, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.

Në garën për kreun e shtetit kanë garuar 7 kandidatë.

Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garoi me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme. Sipas rezultateve të para, ai është i treti me 99 210 vota apo 14.40% të votave të fituara.

Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, mori pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit. Ai ka siguruar 70 511 apo 10.23 % të votave.

Pjesë e garës zgjedhore ishin edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”. /LAPSI.al


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *