• |
ide | kryesore

Tre makina VAR për 5 ndeshje, zgjidhja vjen nga Kosova: FSHF dhe FFK kanë të njëjtin problem

Sport
VAR


Kampionati i Superiores në Shqipëri po i afrohet fundit, por bashkë me ethet e së panjohurës se cfarë do të ndodhë në Final 4 vijnë edhe shqetësimet. Pikërisht kështu, sepse 3 javët e fundit të kampionatit luhen të gjitha në të njëjtën ditë e në të njëjtin orar dhe këtu nis problem. Jo të gjitha ndeshjet mund të mbulohen me sistemin VAR, me FSHF që disponon vetëm tre të tillë. Të njëjtin numër të sistemit VAR ka edhe Kosova që do të përballet me të njëjtën situatë, kur të luajë në të njëjtën ditë e në të njëjtin orar 5 javët e fundit të Superligës.

BASHKËPUNIM FSHF-FFK

Por nga problemi vjen dhe zgjidhja me një shkëmbim reciprok, por jo lojtarësh e arbitrash, por sistemesh. Kështu, java e 34 e Superiores do luhet të shtunën në 4 maj dhe për të plotësuar mbulimin me teknologjinë, nga Kosova do të vijnë 2 makina VAR. Kështu do të veprohet edhe për javën e 35 të mërkurën në datën 8 e të shtunën e 11 majit kur luhet java e fundit e sezonit të rregullt.

Lexo më tej: FSHF kërkon të shmangë keqkuptimet: takim me trajnerët dhe kapitenët e klubeve për sistemin VAR

Rakordimi me ndeshjet e kampionatit në Kosovë është i plotë, me ndeshjet që do të zhvillohen 24 orë pas atyre në Shqipëri. Kështu, java e 32 do të luhet të dielën në datën 5 dhe bashkë me tre sistemet e tyre do të transferohen edhe dy të FSHF-së për të kompletuar mbulimin. Kjo merkato huazimesh të sistemit VAR do të vlejë edhe për javën e 33 në datën 9 maj, në të 34 në 12 maj e pastaj edhe për dy javët e fundit në 18 dhe 25 maj. Kohë në të cilën kampionati i rregullt në Shqipëri do të ketë përfunduar dhe do të mendohet vetëm për ndeshjet e Final 4.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *