• |
ide | kryesore

“Me Partizanin do jetë ndryshe”. Tetova entuziast për finalen, Brdaric nuk gjen ngushëllim: “Jam bosh”

Sport
Tetova


“E kishim përgatitur ndeshjen për ta sulmuar Vllazninë, sepse pastaj ishte vështirë ta ktheje rezultate. Në 20 minutat e para ishim mirë, në 20 minutat e dyta toleruam pak. Pastaj u kthyem në ekuilibër në pjesën e dytë”. Edlir Tetova komenton barazimin 0-0 me Vllazninë, që e dërgoi Egnatian në finalen e Final 4. Tekniku i Egnatias është i kënaqur me mënyrën si u soll skuadra, duke menduar për finalen: “I kërkova skuadrës të mos nxitonte te qarkullimi i topit, Vllaznia nuk po na vinte shumë në presion, dozat e emocionit janë shumë të forta te këto ndeshje”.

Tetova pastaj u përqendrua te ndeshja e fundit që vendos titullin kampion: “Ndaj Partizanit do të jetë ndeshje e kundërt, Vllaznia bën ndeshje të hapura, do të jetë një finale për t’u shijuar nga të gjithë. Dozat e gëzimit janë, nuk është se morëm një trofe, por kjo është natyra ime”.

BRDARIC: “TANI JAM BOSH”

“Fillimisht duhet të përgëzojmë Egnatian, e harrova këtë, e meritojnë të jenë në finale. Sipas meje sot, në zonën e fundit ne nuk kishim fuqi depërtimi. Por përsëri kishim 3-4 raste për të shënuar. Por kur nuk gjen portën, atëherë në këto ndeshje 1-2 aksione e vendosin dhe kjo është për të ardhur keq”. Thomas Brdaric nuk arriti të përmbushë atë për të cilën u thërrit edhe njëherë në Shkodër.

Gjermani u eliminua nga Egnatia dhe tani do të luajë vetëm për vendin e tretë me Skënderbeun në 24 maj. “Nga një anë, duhet të shohim veten tonë dhe nëse do të luash, duhet të luajmë shumë mirë, dhe sot nuk ishte mjaftueshëm. Mund të bëjmë padyshim më shumë, por përsëri të gjithë duhet të mos kemi dëmtime. Krymi e Gruda u dëmtuan, dy lojtarë nuk luajtën 90 minuta dhe të tjerët u munduan të kompensojnë por si punon në futboll, kur nuk shënon nuk fitohet”.

Lexo më tej: Video/ I anuluan dy gola, por Egnatia shkon në finale me barazimin 0-0: titulli luhet me Partizanin

Brdaric, në fund, nuk patyi as dëshirë të japë jë mendim për kampionin e mundshëm të Superiores: “Për mua tani nuk ka rëndësi. Për mua, më besoni, unë jam i fokusuar vetëm te skuadra jonë dhe më besoni se nuk kam asnjë ide. Jam paksa bosh në mendjen time dhe më vjen keq për këtë”.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *