• |
ide | kryesore

Video/ Usyk kampioni i padiskutueshëm i peshave të rënda: Fury pëson humbjen e parë në karrierë

F1, Sport, Video
Usyk


Oleksandr Usyk është kampioni i padiskutueshëm i peshave të rënda i botës në boks. Në Kingdom Arena në Riad, në eventin e quajtur ‘Ring of fire’, kampioni ukrainas mundi anglezin Tyson Fury, mbajtës i kurorës WBC, me pikë me një vendim jo unanim: 115-112, 113-114, 114-113 pikët e tre gjyqtarëve. 25 vjet më vonë, që kur Lennox Leëis mposhti Evander Holyfield me pikë, Usyk arrin të ribashkojë të gjithë rripat e peshave të rënda (IBF, WBA, WBC, WBO). “Faleminderit shumë stafit tim, Zotit tim, Jezusit, shkëlqesisë së Tij. Për familjen time. Për vendin tim!” ishin fjalët e para të ukrainasit dukshëm i emocionuar. Hesapet me Fury nuk janë larë, sepse tashmë është paralajmëruar revanshi, më 12 tetor sërish në Riad.

ARROGANCA E NDËSHKUAR E ANGLEZIT

Spektakël duhet të ishte e spektakël u bë. Usyk dhe Fury dhuruan emocione dhe boks të madh në ndeshjen më të shumëpritur të viteve të fundit, duke konfirmuar se janë dy peshat e rënda më të mira në qarkullim. Në fund triumfoi boksieri ukrainas 37-vjeçar, shumë i zoti për të përmbysur një ndeshje që dukej se ishte në duart e anglezit, më i gjatë (16 centimetra diferencë) dhe shumë më i rëndë (18 kg më shumë).

Gipsy King nuk hoqi dorë nga qëndrimi i tij tallës, por në dy raundet e para Usyk bëri më mirë, më iniciativë dhe më preciz. Më pas, megjithatë, Fury u rrit me kalimin e minutave, goditjet e tij në trup dhe fytyrë shpesh arrinin tek Usyk, i cili vuajti fuqinë dhe shtatlartësinë e kundërshtarit të tij. Pas 7 raundeve, boksieri britanik ishte dukshëm përpara në pikë, por nga raundi i tetë muzika ndryshoi. Një overhand preçize i shkundi kokën Fury, që pastaj pëson një goditje tjetër të saktë dhe fillon të gjakosë nga hunda.

PIKA E KTHESËS

Raundi i nëntë është më i bukuri dhe në të njëjtën kohë dramatik. Në finale Usyk mori epërsinë falë goditjeve precize me të majtën. Fury është në prag të shembjes, lëkundet, numërohet nga arbitri dhe shpëton nga KO i parë i karrierës vetëm falë gongut. Ishte pika e kthesës në ndeshje, sepse inercia ndryshoi dhe ukrainasi përfitoi nga një lodhje e kundërshtarit për të fituar edhe raundet e mbetura.

E kur zëri i pagabueshëm i Michael Buffer e shpalli atë fitues, Usyk nuk e mbajti dot emocionin. Fury mposhtet për herë të parë në karrierën e tij, pretendoi se kishte fituar dhe thotë se është gati për revanshin e përfshirë tashmë në kontratë. Ndërkohë ai ngushëllon veten me 105 milionët në kuletë, ndërsa Usyk duhet të ‘kënaqet’ me 45 milionë, por është ai që bëhet legjendë e boksit.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *